Aktakuza e Gjykatës Speciale që tronditë ish-krerët e UÇK-së: I rrahën me shkopinj bejsbolli, grushte e shkelma, pastaj i eliminuan...

Politika

Aktakuza e Gjykatës Speciale që tronditë ish-krerët e UÇK-së: I rrahën me shkopinj bejsbolli, grushte e shkelma, pastaj i eliminuan...

Nga: N.Sh Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 17:50
Foto ilustrim nga "Bota sot"/ Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

69 faqe është aktakuza e publikuar nga Dhomat e Specializuara ku përmenden raste të ndryshme për të cilat ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të cilët tashmë ndodhën në Hagë, po akuzohen nga Gjykata Speciale.

Ndër akuzat e shumta, në këto faqe përmenden edhe anëtarët e përkrahësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët thuhet se janë torturuar e frikësuar nga ish-udhëheqësit e UÇK-së.

Kjo parti përmendet plotë 13 herë në aktakuzën e konfirmuar nga Specialja.

Në aktakuzën thuhet se anëtarët e përkrahësit e LDK-së, thuhet se janë frikësuar, keqtrajtuar dhe janë eliminuar në mënyrë të paligjshme nga ish-krerët e UÇK-së, pasi të njëjtit sipas aktakuzës, i kishin cilësuar si kundërshtarë.

Në një rast tjetër thuhet se Thaçi dhe Selimi në shtator të vitit 1998 në Zonën operative të Dukagjinit morën hapa për të frikësuar dhe për të vendosur pushtet mbi njësitet që kishin lidhje me LDK-në, ndër të cilat edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (‘FARK’) të lidhura me qeverinë në mërgim.

Tutje në aktakuzë thuhet se midis prillit 1998 dhe janarit 1999 në Likoc, Skenderaj, të ndaluarve nuk iu ofrua mjaftueshëm ushqim, ujë, kushte higjienike e sanitare, kujdes shëndetësor dhe/ose shtroja e mbuloja.

Një numër anëtarësh të UÇK-së, ndër të cilët Sylejman SELIMI dhe Sabit GECI, rregullisht i rrahën të ndaluarit egërsisht dhe i keqtrajtuan ata psikologjikisht. Të ndaluarit u goditën në të gjithë trupin me pushkë, shkopinj bejsbolli, instrumente prej metali dhe shkopinj druri, grushte, shkelma, dhe/ose ndryshe u kërcënuan me lëndime trupore dhe vdekje. Ata dëgjuan dhe panë keqtrajtimin e egër që u bëhej të ndaluarve të tjerë, ndër të cilët edhe anëtarë të familjes, si dhe i detyruan të rrihnin njëri-tjetrin.

Në lidhje me këto aktakuza të Speciales ka folur analisti politik. Faton Mehmeti.

Ai është pyetur se a do të zbulohen vrasjet e LDK-së?

“Natyrisht se po, vrasjet e zyrtarëve të LDK do të zbardhën në Hagë, jo më kot në 13 raste në aktakuzë përmenden vrasjet e zyrtarëve të lartë të LDK, konkretisht njerëz të afër të dr. Rugovës”, thotë Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, tashmë njerëzit e SHIK-ut po akuzohen për këto vrasje.

“Tashmë dihet se njerëz të SHIK-ut, ose të lidhur me SHIK, akuzohen për këto vrasje e të cilat do të jenë objekt i përballjes në Hagë. Më i atakuari është Kadri Veseli, i cili nën udhëheqjen e SHIK-ut ka pasur informacione, andaj edhe do bart gjithë peshën e vrasjeve të pasluftës”, shton Mehmeti.

Ai beson se do zbardhën vrasjet,ndonëse si proces do jetë i gjatë.

“Haga do jetë vendi ku do zbardhët e vërteta, së paku kështu besoj dhe shpresoj, ndryshe do jetë dështim fatal i Gjykatës Speciale”, përfundon Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat