Vjen paralajmërimi: LDK-në e presin humbje më të rënda se në Podujevë, të pastrohet nga “gjaku i ndytë”

Politika

Vjen paralajmërimi: LDK-në e presin humbje më të rënda se në Podujevë, të pastrohet nga “gjaku i ndytë”

Nga: G.B Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 20:31
LDK

Lëvizja Vetëvendosje fitoi në Komunën e Podujevës me 51 për qind, në zgjedhjet e të dielës.

Kjo parti do ta ndërrojë qeverisjen në këtë komunë, derisa për 20 vite ka qeverisur Lidhja Demokratike e Kosovës.

E këtë humbje të LDK-së në këtë komunë, analisti politik Skënder Zogaj e quan befasi.

"Humbja e zgjedhjeve komunale të LDK-së në komunën e Podujevës, është befasi, sepse, ka të bëjë me bastionin kryesor të demokracisë dhe përpjekjeve titanile për mbijetesë, të të gjithë llapjanëve, që janë shquar si flamurtarë të epokës së re demokratike! Kjo e ka karakterizuar edhe qeverisjen 20-vjeçare të LDK-së në këtë komunë", ka thënë Zogaj për "Bota sot".

Sipas tij, oponentë politik të LDK-së kanë përdorur "kuajt e Trojës" për ta ligështuat nga brenda atë dhe llapjanët janë thyer lehtë duke mohuar dhe përjashtuar figurat e devotshme të kësaj partie.

Image
Skënder Zogaj

"Këtë traditë të LDK oponentët politik e kanë rrezikuar duke i përdorur "kuajt e Trojës" për ta ligështuat nga brenda LDK-në, si e vetmja mundësi e dobësimit të saj! Dhe, për çudi, llapjanët janë thyer fare lehtë aq sa kanë mohuar dhe përjashtuar figurat më të devotshme intelektuale dhe demokratët më të spikatur, si akademik Sabri Hamiti, që është nga personalitete më të shquara dhe krenaruese të Llapit, e që për habi, llapjanët ishin faktori kryesor që intelektualin e tyre më të madh të të gjitha kohëve dhe të demokracisë rugoviane, e nxorën nga LDK-ja, nën ndikimin e fushatës anti LDK që injoranca llapjane e hëngri për të zezën e vet", ka vlerësuar ai.

Zogaj shton se humbja e LDK-së ka qenë e paralajmëruar pasi ka humbur nga ish anëtarët e saj që e kanë tradhtuar.

"Humbja e LDK-s prandaj ishte e paralajmëruar, sepse, LDK ka humbur nga ish anëtarët e saj, që pasi kanë tradhtuar LDK-n dhe eskurzioneve përfituese nëpër partitë e ndryshme, kanë gjetur rastin e përfitimit të pakënaqësive të sajuara për qëllime përfitimi të pushtetit", ka theksuar Zogaj.

Ai thotë se fitorja e VV-së është e pranuar dhe se procesi zgjedhor ka qenë i organizuar mirë, derisa shton se LDK duhet ta kuptojë se partia duhet të angazhohet në pastrimin e radhëve të veta nga 'gjaku i ndytë' në parti dhe kjo duhet të bëhet pa heizitim pasi LDK është ngulfatur dhe e presin humbje edhe më të rënda se kjo në Podujevë.

"Kjo nuk ka qenë dhe nuk duhet të jetë mënyra e veprimit të LDK-së, prandaj, fitorja e VV është pranuar, sepse procesi zgjedhor ka qenë i organizuar mirë dhe vullneti i qytetarëve e ka emërtuar të parin e komunës, që e ka konsideruar të denjë! LDK-ja duhet të kuptojë se, partia duhet të angazhohet seriozisht për pastrimin e radhëve të veta nga "gjaku i ndytë" që është sedimentuar në strukturat partiake. Kjo punë duhet të bëhet pa hezitim dhe me çdo çmim, sepse LDK-ja është e ngulfatur dhe, e presin humbje të reja, shumë më të rënda se kjo e Podujevës", ka deklaruar Skënder Zogaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat