Ja pse e humbi LDK-ja Podujevën, publicisti jep paralajmërimin dhe tregon se për çfarë e dënoi elektorati partinë e Isa Mustafës

Politika

Ja pse e humbi LDK-ja Podujevën, publicisti jep paralajmërimin dhe tregon se për çfarë e dënoi elektorati partinë e Isa Mustafës

Nga: G.B Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 22:50
LDK

20 vjet pasi qeverisi në Komunën e Podujevës, LDK humbi në zgjedhjet e mbajtura të dielën në këtë komunë.

Ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që fitoi zgjedhjet me 51 për qind të votave, me kandidat për kryetar Shpejtim Bulliqi.

E për këtë, publicisti Fadil Lepaja thotë se kur pushteti zgjatë aq shumë, korruptohet dhe më nuk shërben për interesa të qytetarëve por për interesa të një grupi të ngushtë.

"Çdo pushtet që zgjatë aq shumë korruptohet dhe demotivohet, ashtu që në vend se të shërbejë qytetarët, punon për interesa të një grupi të ngushtë duke humbur kështu edhe besimin e strukturës dhe elektoratit që e solli në pushtet", është shprehur ai për gazetën "Bota sot".

Sipas Lepajës, në Llap është dënuar koalicioni joformal LDK-PDK dhe se këto zgjedhje do të ndikojnë mirë për LDK-në, që do të detyrohet të bëjë ndryshime në këtë komunë.

Image
Fadil Lepaja

"Personalisht mendoj se me zgjedhjet në Llap është dënuar koalicioni joformal LDK-PDK dhe se ndryshimet do të shërbejnë për të mirë edhe për vet LDK-në, e cila do të detyrohet të bëjë reforma në radhët e saj në Llap. Po ashtu, mund të ketë luajtur rol edhe fushata shkel e shko konceptuar e LDK-së dhe deklarata të pamatura nga niveli qendror i kësaj partie", ka vlerësuar ai.

Lepaja shton se efekt mund të ketë pasur edhe prishja e koalicionit në nivel qendror dhe e gjithë kjo është paralajmërim se çka mund të ndodhë në zgjedhjet nacionale me LDK-në nëse nuk këndellet shpejt.

"Edhe prishja e koalicionit në nivel qendror nën trysninë e ish-presidentit Thaçi dhe kriza permanente qeveritare do të kenë pasur efektet e veta gjithsesi. Kjo është një paralajmërim serioz se çfarë mund të ndodhë në zgjedhjet nacionale me LDK nëse e njëjta nuk këndellet shpejt jo vetëm në Llap i cili ishte një nga bastionet e saj por sidomos në nivel qendror", ka theksuar Lepaja.

Sa i përket pranimit të humbjes nga ana e LDK-së, ai thotë se është vetëdije se janë larguar shumë nga parimet bazë të LDK-së dhe fryma e elektoratit të kësaj partie.

"Mendoj se pranimi i humbjes nga ana e LDK është vetëdije se nën trysnitë e vitit të fundit ishin larguar shumë nga parimet bazë të LDK dhe fryma e elektoratit të kësaj partie", ka deklaruar Fadil Lepaja për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat