Ndizet alarmi i kuq për LDK-në, ky ishte gabimi strategjik në Podujevë

Politika

Ndizet alarmi i kuq për LDK-në, ky ishte gabimi strategjik në Podujevë

Nga: P.R Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 19:34
Agim Veliu dhe Nexhmi Rudari

21 vite që nga përfundimi i luftës në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës në Podujevë ia dorëzoi “stafetën” Lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli fituese në zgjedhjet e 29 nëntorit në Podujevë.

Ish anëtari dhe deputeti i LDK-së, tash deputet i Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi arriti që ta rrëzojë nga pushteti ish partinë e tij, ku përball kishte Nexhmi Rudarin.

Lidhur me procesin zgjedhor dhe humbjen e LDK-së në Podujevë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Fatmir Bajraj.

Sipas tij, në Podujevë nuk humbi vetëm LDK-ja, por edhe Kosova.

“Bastioni unik i LDK-së, Podujeva, ra, por kësaj radhe, LDK-ja, për fatin tonë të ligë , këtë humbje ndanë me Kosovën dhe humbja e Kosovës në këtë rast është ma e madhe se sa ajo e LDK-së, kur dihet se LDK është vetëm aset i saj. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës, të shkaktuara panevojshëm nga LDK-ja, Podujeva dhe Llapjanët me votën e tyre i dhanë fund një epoke, i dhanë fund një orientimi, i dhanë fund një filozofie iluministe për ta zëvendësuar me një ideologji ekstremiste, anarkiste dhe populiste”, thotë Bajraj për “Bota sot”.

Ai shton se në Podujevë ra Rugovizmi dhe u ngritë anti-Rugovizmi.

Image
Fatmir Bajraj

 

“Zatën humbja nuk është e vogël, ngase nuk është vetëm e LDK-së, por ma shumë se sa kaq ; humbje e Kosovës dhe e shqiptarëve. Orientimi pro-perëndimor Rugovian, i promovuar dhe i afirmuar nga presidenti historik Rugova, por edhe nga Llapjanët për mbi tri dekada, të dielën që shkoj, mori një goditje të rëndë, goditje kjo e kushtueshme, e dhimbshme dhe me pasoja! Llapjanët, në vend të orientimit të gjertanishëm euro-perëndimor dhe veriatlantik, zgjodhën të kundërtën e saj : LVV-në e Kurtit, të ideologjisë së majtë dhe të ekstremeve socio-politike si antipod i Rugovës dhe Rugovizmit”, shton Bajraj.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, analisti Bajraj i quan gabim strategjik të LDK-së.

“LDK dhe z. Veliu, e dorëzoj pushtetin e fituar në Podujevë, e braktisi atë për motive dhe ambicje të cilat nuk shpaguheshin me asnjë funksion n'Qeveri, biles thënë troq, për asnjë pozitë të mandatuar nga përfaqsuesit e Sovranit - Parlamenti i Republikës së Kosovës, siç është rasti edhe Qeverinë, Kryeministrin dhe Presidentin e zgjedhur nga Parlamenti sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ndoshta në ndonjë kontekst tjetër kushtetues, kur do duhej vota e drejtpërdrejtë e Sovranit, si psh për President të vendit, për çfarë nuk është rasti me procedurën kushtetuese në vendin tonë, ndoshta edhe do ishte mirëkuptimi i votuesve dhe elektoratit i cili i dha mbështetjen dhe besimin z. Agim Veliu për Kryetar të Komunës së Podujevës”.

“LDK-ja, nuk humbi zgjedhjet në Podujevë, për shkak se nuk qeverisi mirë dhe pse ishte e shkëputur me elektoratin dhe qytetarët Llapjan, përndryshe nuk do t'i kishte fituar radhazi ato atje që të gjitha dhe bindshëm, pra i humbi ato edhe pse punoj për qytetarët dhe Komunën , por nuk punoj dhe s'mendoj për vete dhe pushtetin përmes të cilit realizohet kontrata me qytetarët. Vetëbesimi në punën e suksesshme të dëshmuar gjatë mandatit qeverisës me Komunën, për çfarë flet mësëmiri edhe fitorja e LDK-së dhe e z.Veliu në të gjitha zgjedhjet në njërën anë, dhe agresivitetit i LVV-së dhe i qarqeve të dyshimta financiare dhe mediatike në vend, të cilat e "luftuan" LDK-në dhe Qeverinë e drejtuar prej saj, bënë që ky hap i LDK-së dhe i z.Veliu që kushtëzoj zgjedhjet e jashtëzakonshme atje, të kthehet në mllef, dëshpërim dhe ndryshim definitiv vullneti, duke votuar një kandidat të kompromituar, të degraduar dhe të nxjerrë jashtë proceseve partiake, të konsumuarin e LDK-së, z. Shpejtim Bulliqi”, deklaron Bajraj për gazetën “Bota sot”.

Më tej, ai shton se humbja në Podujevë, është një alarm rreziku për LDK-në.

“Ndërrimi i kursit n'Llap, është një hata, është një alarm rreziku për, jo vetëm për LDK-në , por për Kosovën, është kambanë alarmi që paralajmëron një trend negativ të shoqërisë Kosovare dhe vetë shtetit sovran dhe demokratik të Kosovës. LVV, dhe lideri i saj narcist, z.Kurti, kurrë nuk e njohën dhe as pranuan projektin nacional të LDK-së dhe të shqiptarëve të Kosovës n'krye me presidentin historik Rugova: Pavarësinë e Kosovës si projekt të përhershëm dhe nacional historik dhe as Institucionet e saj, përkundrazi, e luftuan me të gjitha rrugët, mjetet dhe metodat. Z.Kurti dhe Lëvizja e tij ekstremiste, shquhen për logjikë të dhunës, qasje obstruksioniste dhe sabotim të proceseve politike nëpër të cilat kemi kaluar si komb dhe atdhe, dhe kurrë dhe asnjëherë për mirëqeverisje (pushtet lokal), dhe për dezertim nga pushteti qendror dhe përgjegjësitë kushtetuese, atëherë kur vendi përballej me sfida komplekse dhe fati i tij ishte n'udhëkryq”, thekson analisti Bajraj.

Analsti Fatmir Bajaraj më tej tregon edhe synimin kryesor të Lëvizjes Vetëvendosje me fitoren në Podujevë.

“Aty, la pushtetin, pasi kishte dëmtuar dhe rrezikuar raportet me partneret tanë strategjik dhe në vend të saj, i'u qas, konceptit populist dhe intrigues e nihilist ndaj meritorëve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, përfshi këtu edhe SHBA-të dhe Presidentin amerikan. LVV-ja dhe z.Bulliqi, nuk dijnë dhe nuk kanë qellim mirëqeverisjen në Podujevë e gjetiu, por kanë synim & qellim, që kë të të fundit, ta përdorin si trampolinë populiste për ngritje dhe ngjitje e cila i'u mundëson ; ndryshimin definitiv të kursit qeverisës në vend, ndryshim radikal të orientimit të Kosovës dhe shqiptarëve, nga ai euro-perëndimor dhe veriatlantik, në atë të Lindjes dhe ekstremit mysliman. Podujeva dhe qytetaret lojal të Republikës së Kosovës, duhet të zgjedhin në mes të një pushteti të Kurtit i cili bie ndesh me vlerat e demokracisë perëndimore dhe mbi të gjitha, me atë amerikane dhe atyre të cilët i njohin dhe promovojnë t ‘njëjtat vlera (LDK-ja), me Amerikën dhe i janë thellësisht mirënjohës asaj për kontributin kapital për lirinë që gëzojmë dhe atdheun që kemi”.

Për fund, analisti Bajraj pret një reflektim nga LDK-ja pas humbjes në Podujevë.

“LDK, pas rënies së Llapit në duart e bolshevikëve të LVV-së dhe bolshevizmit Kurtian, duhet t'a lexojë drejtë mesazhin e kësaj rënjë për të cilën është fajtore dhe mbahet përgjegjëse. Një reflektim i thellë që presupozon edhe derivimin e përgjegjësive si konsekuencë e gabimeve n'strategji, e ndihmon vetë LDK-në dhe Kosovën, për çfarë LDK-ja, i'a ka borgj dhe i detyrohet vendit dhe qytetarëve të Republikës, në të kundërtën ; trendi negativ dhe me rreziqe permanente, po i sillet mbi kokë sikur retë e zeza mbi atdheun. Ri-kthimi edhe njëherë nga Lindja dhe ideologjia e majtë-bolshevike e Kosovës dhe e shqiptarëve, do të ishte ogur i zi dhe mortajë për fati tonë në Gadishullin Ilirik”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Fatmir Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat