“Formula”/ Kështu duhet të veprojë LDK – Ja paralajmërimi për Vetëvendosjen

Politika

“Formula”/ Kështu duhet të veprojë LDK – Ja paralajmërimi për Vetëvendosjen

Nga: P.R Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 20:07
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Profesor doktor, Enver Bytyçi ka folur lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, si dhe të ardhmen e LDK-së pas humbjes befasuese në Podujevë.

Sipas profesor Bytyçit, Kosova ka hyrë në një fazë të re të zhvillimeve të saj.

“Ajo që ndodhin me rrëzimin e qeverisë Kurti po kthehet në një bumerang dhe liderët e Lidhjes Demokratike duhej ta dinin këtë. Por në vend të shihnin interesat e LDK-së dhe të Kosovës, u vunë në kërkim të realizimit të interesave personale, interesa të cilat ua siguronte ish-presidenti dhe ish-ndërmjetësi amerikan Grenell. Podujeva ishte testi i parë. Kur Vetëvendosja mori gati 52 përqind të votave në bastionin më të madh të Lidhjes Demokratike është e kuptueshme se sa është rritja e saj në komunat e tjera të Kosovës, sidomos në Prishtinë. Vetëvendosja ka një favor. Nuk shihet as si parti e Llapit, as si parti e Dukagjinit, as si parti e Drenicës dhe as si parti e Malishevës. Pra nuk ka karakter lokal. Si e tillë ajo votohet pa paragjykime. Por votohet edhe për shkak të angazhimit të Albin Kurtit për ta luftuar korrupsionin”, thotë për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai paralajmëron se në zgjedhjet e ardhshme nacionale, Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë një shumice absolute.

“Në këto kushte zgjedhjet e ardhshme do t'i japin Vetëvendosjes jo vetëm vendin e parë me diferencë të madhe, por mesa duket një shumicë absolute. Sa më shumë intriga të turrin Isa Mustafa, Agim Veliu, njerëzit e Thaçit dhe politikanë të tjerë në Kosovë, aq më shumë rritet e forcohet Lëvizja Vetëvendosje. A është një gjë e mirë kjo? Unë konsideroj se Kosova ka nevojë për një qeverisje me dy parti politike në pushtet, me qëllim që pushteti të balancohet, sepse shumicat absolute kanë treguar se qeverisja shndërrohet në një autokraci. Kjo ndodh edhe nëse kreu i mazhorancës mund të mos jetë i prirur të bëhet një autokrat. Por kreu i Vetëvendosjes e ka një prirje të tillë, së paku në aparencë”, thekon Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, profesor Bytyçi i ka bërë thirrje LDK-së që të nis reformat brenda saj.

“Prandaj është e domosdoshme dhe e them me zemër të hapur që Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti institucionale dhe me përvojë qeverisëse të reformohet, të rinovohet, t'i kthehet një filozofie tjetër të qasjes ndaj shtetësisë dhe parimeve të demokracisë në Kosovë. Kjo do të thotë që krerët aktualë të LDK-së të japin dorëheqjen, nëse duan vërtet të mirën e partisë së tyre dhe të rikthejnë në parti Vjosa Osmanin. Madje t'i japin asaj besimin për kryetare të LDK-së. Kjo që shkruaj nuk ka të bëjë me simpatitë ose antipatitë e mia. Ka të bëjë me të ardhmen e Lidhjes Demokratike. Nëse Vjosa Osmani vjen në krye të LDK-së, ajo do të realizojë një bashkëqeverisje të suksesshme me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen. Dhe për Kosovën është një qind herë më mirë që pushteti të ndahet midis këtyre dy politikanëve, të cilët fituan zgjedhjet më 6 tetor të vitit 2019”, deklaron Bytyçi.

Ai shton se nëse realizohet kjo formulë, nuk ndodh vetëm rrotacioni, por edhe ndryshimi i madh i boshtit politik në Kosovë.

“Dhe nëse LDK do të reagojë kësisoj çfarë thashë më lart, do të mbetet partia e dytë në spektrin politik të Kosovës. Kjo sepse të djathtët nuk do të kenë arsye të votojnë të majtën, në rastin konkret Vetëvendosjen, dhe kësisoj ata do të mund ta gjejnë veten te LDK e reformuar dhe e rinovuar. Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të heqë dorë menjëherë nga makinacionet dhe akrobacitë për t'i dhënë vendit një president përmes pazareve politike. Pazaret politike e sollën Lidhjen Demokratike në këtë situatë, më të rëndën në historinë e saj. Nëse vazhdon me manovra e pazare politike, Lidhja Demokratike do të konsiderohet si parti destruktive dhe jo institucionale dhe me bindje në respektimin e standardeve të demokracisë. Demokracia lidhet me respektin ndaj vullnetit të sovranit, jo me respektimin e vullnetit të Thaçit, Vuçiçit apo Richard Grenell-it”.

“Tabuja e konservatorëve të LDK-së për gjoja "ruajtjen e miqësisë me SHBA-të" është preteksti i saj për të mbajtur me thonj dhe me vota pushtetin. Nuk është argument. Argument është vota e qytetarëve, të cilën SHBA-të e respektojnë si të shenjtë. Mund të dalë një i çmendur edhe në SHBA e të kërkojë, p.sh ndarjen e territorit të Kosovës, por kjo nuk do të thotë që për hir të miqësisë të shkatërrosh ëndrrën e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë për liri, pavarësi e shtetësi. Dhe për t'i realizuar ambiciet, objektivat dhe synimet e Kosovës për shtetësi, do të duhet të respektohet sovrani, votuesi. Këtë mesazh dha Podujevë të dielën e shkuar. Ky mesazh duhet lexuar në radhë të parë nga LDK e më pas edhe nga partitë e tjera. Dhe nëse lexohet, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje ende pa diskutuar se kush mund të jetë president. Do të ishte shumë mirë, nëse palët bien dakord të bëjnë një ndryshim kushtetues dhe presidentin ta zgjedhin qytetarët. Kjo mënyrë votimi shmang ehe krizat nëse presidenti nuk arrin të zgjidhet në parlament”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat