Vendimi i Gjykatës, Miftaraj tregon pse vota e Arifit vështirë se do të vlerësohet e kundërligjshme

Politika

Vendimi i Gjykatës, Miftaraj tregon pse vota e Arifit vështirë se do të vlerësohet e kundërligjshme

Nga: G.B Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 15:18
Qeveria e Kosovës

Në ditët në vijim, pritet të bëhet i ditur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kushtetushmërinë e Qeverisë Hoti, lidhur me votën e deputetit Etem Arifi.

Kjo është bërë e ditur nga kryetarja e gjykatës, Arta Rama-Hajrizi, dje pas seancës dëgjimore për këtë çështje.

Rama-Hajrizi bëri të ditur palëve se mundet deri të hënën e javës së ardhshme të dorëzojnë edhe me shkrim argumentet e përmbledhura.

Lidhur me këtë çështje, Ehat Miftaraj nga IKD ka thënë për gazetën “Bota sot” se është për tu përshëndetur seanca e mbajtur dhe se një qasje e tillë ndikon në rritjen e transparencës së gjykatës kushtetuese.

“Është për tu përshëndetur qasja e Gjykatës Kushtetuese duke ofruar mundësi që për një çështje kaq të rëndësishme të caktojë seancë dëgjimore ku të gjitha palët e autorizuara të paraqesin qëndrimet dhe argumentet juridike lidhur me votën e deputetit Arifi. Një qasje e tillë po ashtu ndikon në rritjen e transparencës së gjykatës kushtetuese por edhe një mundësi unike që qytetarët dhe publiku të informohen lidhur me rëndësinë e qeverisjes në Kosovë nga persona pa të kaluar kriminale. Përderisa, Kushtetuta e Kosovës dhe Aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës i japin të drejtë në këtë rast përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës”, është shprehur ai.

Image
Ehat Miftaraj

Sipas Miftarajt, aktgjykimi i Gjykatës Supreme po ashtu, kishte konstatuar se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme bie ndesh me nenin 45 të Kushtetutës.

“Aktgjykimi i Gjykatës Supreme po ashtu, kishte konstatuar se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme bie ndesh me nenin 45 të Kushtetutës, ku sipas interpretimit të kësaj gjykate kur në një anë kemi normën kushtetuese, e cila përcakton se e drejta për të garuar në zgjedhje mund të kufizohet vetëm me vendim gjyqësor dhe në anën tjetër kemi nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që parasheh mundësinë e kufizimit të kësaj të drejte pa vendim gjyqësor, atëherë mbizotëron Kushtetuta si akt më i lartë juridik”, ka shpjeguar Miftaraj.

Ai vlerëson se do të jetë vështirë që Kushtetuesja ta vlerësojë votën e kundërligjshme të Arifit.

“Si rezultat i interpretimit të Gjykatës Supreme dhe paqartësisë ligjore, respektivisht Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme vetëm në zgjedhjet lokale të mbajtura më 22 tetor 2017, janë certifikuar dhe kanë kandiduar mbi 600 persona me të kaluar kriminale për kryetar komune apo asamble komunale. Në këtë drejtim nëse interpretohet Kushtetuta dhe ligjet e aplikueshme në Kosovë, Gjykata Kushtetuese do ta ketë shumë të vështirë që të vlerësojë votën e deputetit Arifi të kundërligjshme”, ka theksuar ai.

Miftaraj thotë se IKD në vitin 2017 dhe 2019 kishte propozuar që bëhet amandamentimi i Kushtetutës apo miratimi i kodeve të etikës nga partitë, që do të përjashtonin kandidimin e personave me të kaluar kriminale apo që kanë probleme me ligjin, por që kjo nuk ka gjetur përkrahje.

“IKD në vitin 2017 dhe 2019, përmes raporteve të saj kishte propozuat disa rekomandime për partitë politike dhe Kuvendin për të evituar raste të tilla, ku ndër propozimet ishin edhe amandamentimi i Kushtetutës apo miratimi i kodeve të etikës nga partitë politike që do të përjashtonin kandidatë me të kaluar penale apo probleme me ligjin për të kandiduar në nivel qendror apo lokal. Fatkeqësisht, nuk ka pasur vullnet politik që rekomandime të tilla të merren për bazë”, ka deklaruar Ehat Miftaraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat