Aktakuza ndaj Thaçit për vrasjen e anëtarëve të LDK-së, profesori universitar jep analizën: A po afrohet zbardhja e këtyre vrasjeve?

Politika

Aktakuza ndaj Thaçit për vrasjen e anëtarëve të LDK-së, profesori universitar jep analizën: A po afrohet zbardhja e këtyre vrasjeve?

Nga: N. H Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 12:04
Foto ilustrim “Bota sot”

Muaj më parë është konfirmuar aktakuza ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimi. Këta të fundit, mbanin pozita të larta shtetërore në Kosovë dhe aktualisht po akuzohen për krime lufte, tortura çnjerëzore dhe frikësim.

Në aktakuzën e publikuar nga Dhomat e Specializuara e cila ka 69 faqe, përmenden raste të ndryshme për të cilët ish-krerët e UÇK-së po akuzohen nga Gjykata Speciale. Madje përmenden edhe anëtarë e përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët thuhet se janë torturuar e frikësuar nga ish-udhëheqësit e UÇK-së.

Lidhur me këtë, profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi, në një bisedë për “Bota sot”, ka thënë se përmendja e ish-zyrtarëve të vrarë të LDK-së në aktakuzën e publikuar nga Dhomat e Specializuara është një temë e nxehtë, pasi sipas tij, viktimat dihet se janë nga LDK-ja dhe krejt kjo ka ndodhur për çështje politike.

Image
Jeton Kelmendi

“Përmendja e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në aktakuzën e publikuar nga Dhomat e Specializuara për të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, është një temë e nxehtë, pasi dihet se viktimat janë nga radhët e LDK-së dhe krejt kjo për çështje politike. Në këtë rast janë dy anët e medaljes. E para; të bën të mendosh se po afrohet zbardhja e këtyre vrasjeve, që mendohet ose supozohet që të kenë pasur edhe urdhërdhënës, e për çka Specialja pretendon se këta njerëz dinë për vrasjen e zyrtarëve të LDK-së, gjegjësisht rivalëve të tyre politik”, shprehet Kelmendi.

Se a do të ndodhë mrekullia e zbardhjeve të vrasjeve të ish-zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, profesori universitar shprehet se kjo çështje mbetet për t’u parë, por që Kelmendi shpreh edhe doza skepticizmi.

“Nga aspekti i tjetër është, pra ana tjetër e medaljes është e keqe për Kosovën pasi këta njerëz që janë në Gjykatën Speciale janë krerë institucionesh. Është ish-presidenti Hashim Thaçi, dy ish-kryetarët e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi. Pra, janë figura të rëndësishme politike, dhe mënyra se si është duke i përdorur gjykata edhe mund të jetë për t’i deskridituar në masë të madhe. Se a do të ndodhë ajo mrekullia, kushtimisht ta quajmë, për zbardhjen reale të vrasjeve politike, mbetet për t’u parë, por vazhdoj të jem skeptik, pasi këto vrasje nuk janë zbardhur nga Gjykata e UNMIK-ut, as nga Gjykata e EULEX-it, dhe as nga gjykatat vendore”, tha me tej profesori dhe njohësi i çështjeve politike.

Krejt në fund, ai thekson se duhet pritur verdikti i gjykatës lidhur me aktakuzat e ngritura, dhe që opinioni të mos merret me thashetheme.

“Faktet edhe mund të jenë humbur, natyrisht në vrasjet dëshmitarët edhe mund të jenë blerë, të ndërrojnë deklaratat pasi që kanë kaluar dy dekada nga koha e këtyre vrasjeve. Sido që të jetë duhet pritur, dhe duhet duruar në raport me drejtësinë, pra nuk duhet të bije pre e opinionit se këta qenkan fajtorët, por as nuk duhet thuhet se këta qenkan të pafajshmit, thjesht duhet t’i lihet gjykatës. Pasi e kemi prurë këtu punën, dhe janë duke u akuzuar këta njerëz për pretendimet e gjykatës, thjesht duhet të durojmë, dhe të mos merremi me thashetheme dhe të presim verdiktin e gjykatës”, tha krejt në fund profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat