Dialogu rifillon të enjten, analisti tregon dilemën e këtij procesi

Politika

Dialogu rifillon të enjten, analisti tregon dilemën e këtij procesi

Nga: M.H Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 15:49
Foto ilustrim

Dita e parë e raundit të dialogut mes Kosovës e Serbisë, që është i pari për këtë vit, ka përfunduar pa arritjen e marrëveshjeve.

Bisedimet vazhdojnë të enjten, ndërsa burimet e BE-së kanë bërë me dije, se takimi i së mërkurës ka zgjatur gjatë gjithë ditës.

Sipas këtyre burimeve, palët janë afruar shumë në qëndrime rreth dy pikave, që kanë qenë në agjendë- zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, si dhe për marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal, konkretisht se si do të marrë pjesë Kosova në takimet rajonale.

Në lidhje me këtë temë, analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që procesi i dialogut duket të jetë paalternativë dhe si i tillë do të shtyhet. Mirëpo dilemën që analisti shtron është se si SHBA do i qaset këtij procesi sepse është me rëndësi se si do të jetë qëndrimi i Amerikës në këtë proces.

Image
Leon Duhanaj

Gjithashtu Duhanaj thotë që pala e Kosovës duhet të jetë e gatshme për dialog dhe të menaxhoj presionin ndërkombëtar sidomos pas situatës së krijuar nga arrestimet e krerëve të UÇK-së.

“Procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç duket është i paalternativë dhe, si i tillë sipas gjasave do të shtyhet nga BE. Ajo çfarë ënde nuk dihet, është se si SHBA do t'i qaset këtij procesi. Administrata e re Biden, duhet të deklarohet rreth dialogut dhe do të jetë me rëndësi jetike çfarë dhe si do të jetë qëndrimi amerikan në ketë çështje. Deri atëherë, mendoj që dialogu nuk do të ndalet, por as nuk do të kemi ndonjë përparim të theksuar. Është e rëndësishme që pala e Kosovës, ta mbaj gjallë gatishmërinë për dialog në mënyrë që presioni ndërkombëtarë mos të drejtohet drejtë nesh dhe ta menaxhoj sa më mirë të të jetë e mundur, situatën e krijuar në vend pas arrestimi të krerëve të UÇK-së”, u shpreh Duhanaj.

Në fund, analisti thotë që për Kosovën është shumë e rëndësishme që sa më shpejt të mbyllet tema me Serbinë dhe për këtë arsye subjektet politike duhet të reflektojnë siç duhet në këtë aspekt.

“Do të jetë me rëndësi jetike për ne që të kemi konsensus rreth temave me interes nacional, prandaj është e rëndësishme që subjektet politike të reflektojë siç duhet në ketë aspekt. Për Kosovën është me rëndësi që sa me parë të përmbyllet tema Serbi, ndërsa Serbisë i konvenon status cuo, në mënyrë që ta destabilizojë Kosovën, prandaj të gjithë ato subjekte, që nuk i shërbejnë përmbylljes me sukses të këtij dialogu, duhet të korrigjohen sepse nuk janë në linje me interesin kombëtarë”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat