Nëse jo Gjykata Speciale, atëherë kush ka guxim t’i ndjekë vrasësit e shqiptarëve në Kosovë?

Politika

Nëse jo Gjykata Speciale, atëherë kush ka guxim t’i ndjekë vrasësit e shqiptarëve në Kosovë?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 dhjetor 2020 Në ora: 22:04
Foto ilustrim “Bota sot” / Viktimat e vrasjeve politike në Kosovë

Me 5 nëntor të këtij viti, Gjykata Speciale i konfirmoi aktakuzat ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Që nga konfirmimi i këtyre aktakuzave të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pothuajse çdo ditë kanë qarkulluar deklarata të cilat e kanë vënë në pikëpyetje mandatin dhe ligjshmërinë e Gjykatës Speciale.

Një nga deklaratat e fundit lidhur me këtë çështje është ajo e shkrimtarit francez Serge Metais.

Ku, ky i fundit, para disa ditësh ka shkruar se Tribunali Special për Kosovën ka lëshuar aktakuzën e tij Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por nuk ka asnjë shenjë të trafikimit të organeve të marra nga të burgosurit serbë, gjë që ishte një turp i organizuar nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse.

Autori i “Historisë së shqiptarëve nga Ilirët te Pavarësia e Kosovës” të vitit 2006, ka theksuar se çështja është nëse mund ta lënë udhëheqësit e BE gjyqin të zhvillohet sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

“Si mund të gjykohen këto krime në një gjykatë ndërkombëtare pa provuar në të njëjtën kohë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, të cilat janë shumë të shumta, masive dhe të dokumentuara mirë, të kryera nga forcat serbe të sigurisë, ushtria dhe paraushtarakët në Kosovë? Një vendim i arsyeshëm do të ishte mbyllja e shpejtë e Dhomave të Posaçme dhe Zyra e Prokurorit Special dhe transferimi i çështjes së ndjekjes në Kosovë", ka shkruar shkrimtari francez.

Njohësit e çështjeve juridike dhe politike në vend, deklaratën e francezit Metajs e kanë cilësuar të natyrës filozofik dhe letrare. Sipas tyre, është gati e pamundur të mbyllen Dhomat e Specializuara në Hagë dhe të transferohen rastet e gjykimeve në Kosovë.

Smaka: Tentimi për zhbërjen e Speciales dëmton prestigjin e Kosovës

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” komentoi dhe vlerësoj deklaratë e francezit Metjas lidhur me lirimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Haga.

Smaka tha se deklarata e Metaj në lidhje me zhbërjen e Speciales dhe lirimin e të akuzuarve është e natyrë letrare dhe filozofike, e cila nuk e pasqyron realitetin juridik dhe politik.

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka

“Deklarata e z.S.Metais është e natyrës letrare, beletristike e filozofike e lansuar si një flokule voluntaristë e cila nuk do të mund të reflektohej në rrafshin politik e juridik aktual. Së andejmi deklarata e tillë mbetet shprehje e një opinionit qëllim mirë dhe për aq mbetet një opinion publik dhe asgjë tjetër”, theksoi Smaka.

Tutje, ai tha se Gjykata Speciale është e themeluar nga Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim me ndërkombëtarët, andaj edhe zhbërja e saj është shumë e vështir.

“Kolegjet prokuroriale e gjyqësore të specializuara janë themeluar nga Kuvendi i RK- së me mbështetja implicite nga komponentë ndërkombëtare ndaj abrogimi i të cilave do të mund të bëhej në procedurë të njëjtë e cila tejet vështirë do të mund të realizohej”, nënvizoi Smaka.

Sipas profesorit, nëse tentojmë të i zhbëjmë këto institucione juridike, atëherë do të shkaktonim trazira politike të cilat do ta dëmtonin imazhin e Kosovës

“Tentativa për abrogimin e atyre institucioneve të judikaturë, ab initio do të shkaktonte turbulenca politike në dëmin e prestigjit të vendit tonë”, u shpreh Smaka.

Në fund, Smaka këtë temë e përkufizoi me një fjali "Luani në gjumë nuk preferohet të ngacmohet".

Burjani: Nuk mbyllet Gjykata Speciale shkaku i propozimeve të kujtdo qoftë

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani për “Bota sot” tha se është e pamundshme të ndodh ajo që shkrimtari francez Metjas po kërkon të bëhet. Kjo shkaku se paraprakisht Kosova ka një marrëveshje me Bashkimin Evropian, lidhur me këtë çështje.

“Kjo është e pamundshme të ndodh, BE -Kosovë kanë një marrëveshje për këtë çështje”, tha Burjani.

Në vazhdim, ai tha se puna e Gjykatës Speciale përfundon vetëm nëse palët (Kosova dhe BE-ja) e bien dakord për këtë gjë ose shfaqen probleme gjatë procesit të gjykimit dhe me këtë rast nuk ofrohen dëshmi të besueshme.

Image
Blerim Burjani

“Kjo temë përfundon vetëm kur palët e konsiderojnë që ka përfunduar këtë punë kjo gjykatë ose rrethanat kanë ndryshuar shumë apo ka probleme tjera që vlerësohen se nuk ofrojnë një proces kredibil. Pra nuk ka mundësi që të mbyllet gjykata me propozime të kujtdo qoftë”, deklaroi Burjani.

Mirëpo, Burjani tha se kjo gjykatë po funksionon dhe do të vazhdon të funksionoj ende.

“E vërteta është se kjo gjykatë funksionon dhe do të funksionoj përderisa e konsideron BE dhe Kosova të nevojshme”, përfundoi Burjani.

Qarri: Thaçi dhe shokët e tij nuk e lejuan të formohet gjykata për krime lufte në Kosovë

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” e mbështeti shkrimtarin Serge Metajs në deklaratën e tij se është e padrejtë të gjykohen vetëm ish-krerët e UÇK-së nga Gjykata Speciale, ndërsa shteti okupator serb të sillet sikur s’ka ndodhur asgjë.

“Shkrimtari i mirënjohur francez, dashamiri i popullit tonë dhe autori i shquar i librit të botuar më 2006; “Historia e shqiptarëve nga Ilirët te Pavarësia e Kosovës”, Serge Metais, me të drejtë ka shtruar pyetjen nëse vërtetë udhëheqësit e BE-së dhe ata të ndërgjegjshëm ndërkombëtar, mund ta lejojnë në heshtje, të zhvillohet edhe më tejë një gjykim i tillë, vetëm kundër shqiptarëve, sikur asgjë të mos kishte ndodhur nga shteti okupator serb në Kosovë”, deklaroi Qarri.

Ai tha se deklarata e francezit është nxjerrë nga konteksti sepse ish-krerët e UÇK-së nuk janë akuzuar për trafikim organesh, kjo me qëllim për tu dal në mbrojtje Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Image
Gani Qarri

“Sado që unë personalisht nuk e kam lexuar shkrimin e tij, në origjinal, vet "paragrafi" i dhënë në fillim të shkrimit ose është keqinterpretuar nga shqiptarët, ose është nxjerrë kjo pjesë e tekstit, qëllimisht nga kontesti i një shkrimi më të gjatë, vetëm për tu dalë në mbrojtje Hashim Thaçit & CO sepse Hashimi as të tjerët nuk janë të akuzuar për trafikim të organeve por për vrasjen e rreth 100 personave, për tortura, detyrim dhe kërcënime, e shumica prej viktimave (nëse jo të gjithë) nuk ishin as serbë, por shqiptarë”, theksoi Qarri.

Në vazhdim, analisti tha se edhe në qoftë se eventualisht mbyllet Specialja dhe gjykimet e të akuzuarve barten në gjykatat e Kosovës, atëherë kush do të kishe guxim dhe forcë të i gjykonte këta persona?!

“Ndaj lind pyetja, nëse vërtetohet fakti siç përflitet e "vërtetohet" gjithandej nga dëshmitar të vetë ofruar të njohur edhe publikisht, me emër e mbiemër, se Hashim Thaçi me shokë, kanë vrarë edhe shqiptar, po u realizua propozimi i shkrimtarit francez, Serge Metais, për mbylljen e Speciales dhe lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve, apo transferimin e kësaj gjykate në Kosovë, kush do ti gjykonte këta njerëz pastaj?! Kush do ta bënte drejtësinë për ta? Kush do të kishte forcë apo merrte guximin që çështja e ndjekjes së ish-krerëve të luftës, për vrasjen e shqiptarëve, të zhvillohej në Kosovë?!”, nënvizoi Qarri.

Qarri tha se Thaçi dhe të tjerët po të donin të gjykoheshin krimet e luftës në Kosovë, atëherë nuk do të votonin formimin e Gjykatës Speciale para gjashtë viteve. Edhe pse, sipas tij për një gjë të tillë ShBA dhe BE i kishin dhënë kohë 15 vite me radhë Kosovës, por këtë nuk e lejuan Thaçi dhe shokët e tij.

“Po të donin, këtë mund ta bënin vet Hashim Thaçi me të akuzuarit tjerë tani të arrestuar në Hagë, derisa ishin vetë këtu, pse u dashka tash, pas rreth gjashtë vitesh të formimit Dhomave të Specializuara, ato bashkë me të arrestuarit të zhvendosen në Kosovë.

Kosovës i mundësoi SHBA dhe BE, për 15 vite me radhë, që ta formonte vet në truallin e saj një Gjykatë për hetimin dhe dënimin e krimeve të luftës, si të gjitha shtetet tjera të dala me luftë nga ish federata jugosllave, por ajo nuk ndodhi kurrë, sepse nuk e lejuan pikërisht Hashimi me shokë, ndaj për pasojë u votua krijimi i Gjykatës Speciale me seli në Hagë”, u shpreh Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat