U akuzua si “pro-rus”, flet autori i studimit të PE-së - i përgjigjet akuzave të Isa Mustafës dhe lidhjen e tij me Albin Kurtin

Politika

U akuzua si “pro-rus”, flet autori i studimit të PE-së - i përgjigjet akuzave të Isa Mustafës dhe lidhjen e tij me Albin Kurtin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 11 dhjetor 2020 Në ora: 16:20
Albin Kurti dhe Isa Mustafa; foto ilustrim nga "Bota sot"

Samuel Greene, njëri nga katër autorët e studimit të prezantuar në faqen e Parlamentit Evropian me titull “Hartimi i Lajmeve të Rreme dhe Dezinformimi në Ballkanin Perëndimor dhe Identifikimi i Mënyrave efektive kundër tyre”, ka folur për akuzat ndaj tij.

Greene, pas publikimit të studimit, në të cilin përfshihet edhe Kosova në dy faqe, e ku konkludohet se “dezinformatat kanë rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit”, u akuzua edhe nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, se ai është pro-rus dhe se studimi është një “manipulim”.

Mustafa ka paralajmëruar hapa për të hedhur poshtë gjetjet e këtij studimi.

“Nuk marrin fund as përpjekjet denigruese dhe poshtëruese të Vetëvendosjes dhe shokëve të tyre me përvoja të gjata dhe dashuri ruse. Të gjitha këto të financuara me para të taksapaguesve evropianë”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook.

Duke folur për këto akuza për gazetën “Bota sot”, drejtori i “Russia Institute” në Kolegjin “King’s London” Samuel Greene, ka thënë se Mustafa mund të mos pajtohet me studimin e tyre. Ai ka sqaruar se studimi përfaqëson analizën e autorëve si akademikë, dhe jo pozicionin e Parlamentit Evropian.

“Studimi flet vet dhe shpjegon në detaje se si kolegët e mi dhe unë kemi kryer analizën dhe kemi arritur në përfundimet tona. Ai përfaqëson, sigurisht, vetëm analizën tonë si akademik, dhe jo pozicionin e Parlamentit Evropian ose institucioneve tona, dhe z. Mustafa është i mirëpritur të mos pajtohet me analizën tonë nëse ai zgjedh kështu”, është shprehur Greene.

Ai ka mohuar akuzat se ai dhe kolegët e tij, Gregory Asmolov, Adam Fagan dhe Borjan Gjuzelov, janë “pro-rusë”. Greene madje ka treguar se ka marrë kritika nga disa anëtarë të PE-së se ishin shumë “anti-rusë” në studim.

“Sa për akuzat e z. Mustafës: E kam të vështirë të kuptoj pse ai beson se unë jam pro-rus - ose se janë ndonjë nga kolegët e mi - duke pasur parasysh shkallën e kritikës që ne kemi treguar ndaj qeverisë ruse në studim. Në fakt, disa anëtarë të Parlamentit Evropian na kritikuan gjatë prezantimit të studimit se jemi treguar shumë anti-rusë”, ka thënë Samuel Greene për “Bota sot”.

Ai ka mohuar se kishte lidhje me ish-kryeministrin Albin Kurti për këtë çështje.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me z. Kurti, ose me ndonjë tjetër në Kosovë për këtë çështje, me përjashtim të një numri të vogël të kolegëve akademikë. Me sa jam në dijeni, e njëjta gjë vlen për kolegët e mi”, ka sqaruar Drejtori i “Russia Institute”.

Image
Samuel Greene

Studimi i prezantuar në PE, ka nxjerrë në pah se dezinformatat në Kosovë kanë pasur ndikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit.

"Vet koalicioni ishte jetëshkurtër dhe u rrëzua nga një operacion dezinformues amerikan”, thuhet në studimin e publikuar, të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të PE (AFET).

Në dokument përmenden edhe media të caktuara me ndikim në Kosovë, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Mesazhet në rrjetet sociale që vinin nga Mustafa dhe Veseli, posaçërisht kanë nxitur mashtrimin e aferës Grenell”, thuhet në dokument./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat