Lëmshi politik në Kosovë - analisti zbulon arsyen e revoltimit të Haradinajt ndaj LDK-së

Politika

Lëmshi politik në Kosovë - analisti zbulon arsyen e revoltimit të Haradinajt ndaj LDK-së

Nga: A.Morina Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 21:50
Avdullah Hoti dhe Ramush Haradinaj

Tash e sa muaj, njëra nga temat kryesore në vend është posti i Presidentit të Kosovës.

Kjo është njëra nga arsyet, pse subjektet politike assesi nuk po arrijnë të gjejnë mirëkuptim mes vete. Veçanërisht PDK dhe AAK po këmbëngulin në marrjen e postit të presidentit dhe asnjëra nga këto nuk po lëshon pe.

Lidhur me këtë temë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Mulliqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar zhvillimet politike lidhur me postin e presidentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vend.

Mulliqi deklaroi se partitë politike në vend po e përdorin postin e Presidentit të Kosovës për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga problemet e tjera që po përballet vendi. Ai përplasjet për post të presidentit po i quan jo normale.

“Përplasjet për postin e presidentit të Kosovës, sikur kanë zhvendosur vëmendjen e opinionit të gjerë publik, nga problemet më të cilat po përballet Kosova tash e një kohë të gjatë. Kjo klasë politike, jo vetëm PDK e AAK që po kanë pretendime për këtë post, kanë dështuar në shtete ndërtim, dhe mirëqenie pikërisht, duke u orientuar në luftën për pushtet dhe pasurime personale. Kjo çka po shohim dhe dëgjojmë lidhur më postin e të parit të shtetit, ka tejkaluar logjikën normale”, tha Mulliqi.

Tutje, analisti tha se AAK-ja dhe Ramush Haradinaj personalisht është i revoltuar ndaj afërsisë së PDK-së dhe LDK-së. Prandaj, sipas tij, po bëhen gjithë këto deklarata kundër Partisë Demokratike të Kosovës nga ish-partneri i saj i koalicionit.

“Pas disa deklarimeve të krerëve më të lartë të LDK-së, së nuk u takojnë tre postet kryesore të shtetit, kur dihet së LDK mban postim e ekzekutivit dhe zyrtarisht të krye parlamentarit. Thirrja që po i bëhet PDK-së nga LDK -ja për zgjerim të koalicionit sikur i ka revoltuar paksa  partnerin e koalicionit  AAK-në dhe Haradinajn personalisht, i cili edhe  është kandidat për president të Kosovës. Me këtë kandidaturë nuk po pajtohet PDK-ja por as LDK-ja e Mustafës”, theksoi Mulliqi.

Analisti foli edhe për ftesën e kryeministrit Hoti për të gjitha subjektet politike, me qëllim të gjetjes së zgjidhjes për postin e presidentit. Mulliqi e shpjegoi edhe arsyen pse Vetëvendosje nuk i’u përgjigj pozitivisht takimit.

"Pazaret politike janë duke vazhduar të bëhen më PDK -në, të cilës edhe ju ka premtuar presidenca, duke e përjashtuar nga konkurrenca LVV , që  nuk është hiq parimore dhe e logjikshme , kur për president të vendit kërkohet një konsensus i të gjitha partive politike. Mu për këtë arsye edhe Hoti u kishte bërë thirrje partive politike për një takim, por që është ditur së LVV nuk i pranon këto pazare politike pas fitores së lartë në Podujevë kundër LDK-së", nënvizoi Mulliqi, përcjell "Bota sot".

Mulliqi daljen e vetme nga kriza politike, institucionale i sheh zgjedhjet. Pasi, nga këndvështrimi i tij, lëmshi i të gjitha problemeve do të zgjidhej nga mbajtja e zgjedhjet e reja legjitimet.

“Posti i presidentit dhe problemet e grumbulluara po bëjnë që gjithnjë e më afër të duken edhe zgjedhjet e radhës nacionale, që për mua janë më së të domosdoshme që të lirohemi nga krizat politike, krizat institucionale dhe nga kriza globale pandemike. Kosova ka nevojë që të lirohet përfundimisht edhe  nga pazaret politike  të cilat  e kanë qitë atë përtokë. Me mbajtjen e zgjedhjeve të reja e legjitime , jo që do të zgjidhje lëmshi i problemeve të shumta, por shumë më lehtë do të vijmë edhe deri të zgjedhja e presidentit të Kosovës”, përfundoi Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat