Zbulohen detaje nga lufta: Ja nga kush shantazhohej Rrustem Berisha, ky ishte qëllimi i Shtabit të Përgjithshëm

Politika

Zbulohen detaje nga lufta: Ja nga kush shantazhohej Rrustem Berisha, ky ishte qëllimi i Shtabit të Përgjithshëm

Nga: P.R Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 10:52
Komandant Gani Lipa-Ahmetaj me ushtarët tjerë

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ish bashkëluftëtari dhe zëvendësi i kolonel, Tahir Zemajt, major Nazif Ramabaja ndër tjerash ka folur për flamurin e luftës së Brigadës 131, duke kërkuar sqarime nga Rrustem Berisha.

“Edhe një pyetje për Rrustemin? Ku mbeti flamuri i luftës i Brigadës 131 dhe kush dha urdhër që të merret ai flamur dhe t’i dorëzohej dikujt në Bajram Curr. A ishte modifikuar ai flamur luftarak brigade, apo është zhdukur krejtësisht, nëse ka problem me memorie dhe nuk i kujtohen detajet e sugjeroj që të komunikoj me Gani Lipën një epror karriere dhe luftëtar i dalluar në Koshare të cilit asnjëherë s´ju zu emri në gojë për meritat e tija në luftë, përveç Ganiut ka shumë epror që dhanë kontributin e tyre të pa zëvendësueshëm në betejën e Koshares të cilët u anashkaluan siç është Farush Thaqi, pjesëmarrës i betejës së Loxhës një profesionist artilerie e shumë të tjerë, pse?!”, ka deklaruar për “Bota sot” ish bashkëluftëtari dhe zëvendësi i kolonel, Tahir Zemajt, major Nazif Ramabaja.

E lidhur me flamurin e Brigadës 131, për “Bota sot” ka folur edhe Komandant Gani Lipa-Ahmetaj. 

Ai ka treguar se me urdhër të Rrustem Berishës, flamurin ia ka dorëzuar Sheqeri Malokut.

“Flamuri me urdhër të Rrustemit me  24 Qershor 1999 ia dorëzova komandantit të njësitit kundër ajror, Sheqeri Malokut në QSU Papaj.  E detyrova të nënshkruhet për dorëzim pranim. Ai e dërgoi te një rrobaqepës në Bajram Curr, dhe hoqi shenjat dhe simbolin FA dhe numrin 1 dhe e beri 8. Pra nga 131 e kishin bërë 138. E kam dëshminë me nënshkrim të dorëzim - pranimit të flamurit të kësaj brigade”, thotë Gani Lipa-Ahmetaj për “Bota sot”.

“Për ndërrimin e shkronjave dhe numrit, ridizajnimin e tij dëgjova pas 2 ditësh nga një  ushtar në kazermën e Babinës. Unë personalisht se kam parë më atë flamur as si ishte e as të ridizajnuar si pretendohej”, ka shtuar komandant, Gani Lipa-Ahmetaj.

Më tej, ai ka treguar se Rrustem Berisha ishte i shantazhuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

“Sa i përket thyerjes së kufirit, nuk kishte tjera forca pos brig.131, 134 dhe batalionit DELTA. Kah mesi i Majit 1999, me urdhër të SHP siç më tha Rrusta, nga brigada 134 dhe 131 formohet Brigada 138 Agim Ramadani dhe Batalioni Delta. Rrustemi siç ishte komandant fronti edhe në thyerje të kufirit, vetëkuptohet se mbeti në atë pozitë deri në fund. Dorën në zemër, Rrusta ishte në shantazh të plotë nga Shtabi i Përgjithshëm, por arriti t’i amortizoj të gjitha dhe të furnizohemi edhe nga MMRK edhe nga SHP. Me ushtar, armatim, ushqime dhe ndihmë të plagosurve.  Beso se presioni i SHP ishte enorm, unë s'kisha mujtë me ia dalë po të isha në vend të Rrustës. Ai ia dilte, me qetësi, kujdes dhe ja u bënte rrafsh. Dhe në të vertet bënim atë që duhej dhe donim vet”, deklaron Ahmetaj.

Për fund, Gani Ahmetaj ka thënë se Shtabi i Përgjithshëm synonte t’i zhdukte gjurmët e brigadave të kolonel, Ahmet Krasniqit dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

“Për emrin e Brigadës Agim Ramadani, e kam pyet se pse nuk është emri i Sali Çekut, se Agimi kur ra nuk ishte komandat brigade, por shef shtabi në brigadën 131, dhe Saliu ishte komandat brigade 134. Normal ishte dasht të ishte Brigada 138 Sali Çeku. Më është thënë se kur të kalojmë në Dukagjin, do riformohet edhe një brigadë dhe do merr emrin e Sali Çekut. SHP e ka dhënë këtë numër dhe emër, ashtu me është thënë. Në të vërtet emri i Sali Çekut ishte emri dhe njeriu që SHP e urrente dhe ju pengonte. Unë mendoj se krejt këtë SHP e ka bërë me qellim se të zhduk gjurmët të brigadave të Kolonel Ahmet Krasniqit dhe MMRK”, përfundon për “Bota sot”, komandant Gani Lipa-Ahmetaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat