20 vite në karrocë/ Gjykata Speciale deklarohet për atentatin ndaj deputetit, Fetah Rudi

Politika

20 vite në karrocë/ Gjykata Speciale deklarohet për atentatin ndaj deputetit, Fetah Rudi

Nga: BS Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 19:16
Fetah Rudi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, në 20 vjetorin e atentatit ndaj tij, ka thënë se Gjykata Speciale është e vetmja shpresë për zbardhjen e atentatit ndaj tij, atentat ky që e ka lënë në karrocë tash e 20 vite.

“Atentati ndaj meje u bë vetëm pse isha gjithmonë në krah me Dr. Rugovën, si para, gjatë dhe pas luftës. Nga unë kërkohej që të hiqja dorë nga LDK-ja e Dr. Rugova. Por, unë nuk zgjodha një gjë të tillë, pasi kjo nënkuptonte që të hiqje dorë nga rruga e shtetndërtimit të Kosovës, synim ky i LDK-së dhe Dr. Rugovës. Ky synim vazhdon edhe sot”, ka shkruar Rudi.

“Tash e 20 vite, drejtësia në Kosovë, përfshirë edhe atë ndërkombëtare, ka dështuar që urdhërdhënësit e atentatit ndaj meje të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Por, pas dy dekadash, nje dritë po shihet në fund të tunelit. Gjykata Speciale është e vetmja shpresë për zbardhjen e atentatit ndaj meje dhe gjitha vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë”, ka shkruar ndër tjerash deputeti i LDK-së, Fetah Rudi.

E lidhur me atentatin ndaj Fetah Rudit, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar me Chris Bennett, zëdhënësin e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith.

Ai ka thënë se Prokurori i Specializuar është duke kryer hetime për rastin e Rudit, dhe të gjitha rastet e ndodhura brenda mandatit të Gjykatës Speciale.

“ZPS-ja nuk komenton publikisht për investigime, apo për çështje individuale dhe, për këtë arsye, zyra e ka të pamundur të trajtojë pyetjen tuaj. Megjithatë, investigime aktive po vazhdojnë për çështje që janë brenda mandatit të ZPS-së, të cilat përfshijnë krime kundër njerëzimit, krime të luftës, dhe krime të tjera të parashikuara në legjislacionin e Kosovës, që kanë ndodhur nga 1 janari 1998 deri në 31 dhjetor 2000, referuar Raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në janar 2011”, ka thënë për gazetën “Bota sot”, Chris Bennett, zëdhënës i Prokurorit të Specializuar, Jack Smith.

Kujtojmë se deputeti i LDK-së, Fetah Rudi ka mbetur që 20 vite në karrocë invalidi, nga një atentat i bërë ndaj tij më 15 dhjetor të vitit 2000.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat