Eksperti amerikan parashikon negociata të vështira për presidentin: Kjo është zgjidhja më e mirë për Kosovën

Politika

Eksperti amerikan parashikon negociata të vështira për presidentin: Kjo është zgjidhja më e mirë për Kosovën

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 19 dhjetor 2020 Në ora: 19:58
Vjosa Osmani

Alon Ben-Meir, profesor dhe ekspert amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, ka folur për situatën aktuale politike në Kosovë.

Ai ka thënë për gazetën "Bota sot" se dorëheqja e Hashim Thaçit nga posti i presidentit, ka zbuluar shumë gabime brenda koalicionit qeverisës dhe mungesën e angazhimit të të gjitha partive, për të bërë më të mirën për vendin.

Ben-Meir ka theksuar se negociatat e partive politike për postin e presidentit do të jenë të vështira.

“Megjithëse kushtetuta është e qartë për trashëgiminë në presidencë, dorëheqja e Presidentit Thaçi zbuloi vijën e gabimeve në përbërjen aktuale të qeverisë së koalicionit dhe mungesën e angazhimit të të gjitha partive (brenda dhe jashtë qeverisë) për të bërë atë që është më e mira për vendin. Padyshim, Kryeministri Hoti duhet dhe do të konsultohet me të gjitha palët për të zgjedhur një kandidat për të zëvendësuar Thaçin, një që mund të mbledhë votat e shumicës prej dy të tretave në Kuvendin e Kosovës. Sidoqoftë, kjo mund të jetë e vështirë. Një përpjekje e dytë mund të jetë e shkurtër, si dhe të përfundojë në zgjedhjen e një kandidati me një shumicë të thjeshtë prej 61, e cila nuk është ajo që kombit i duhet në këto kohë provash”, është shprehur për “Bota sot” profesori.

Image
Alon Ben-Meir

Ai ka thënë se Kosova po kalon një nga periudhat më shqetësuese që nga fillimi i saj, duke përmendur këtu pandeminë, papunësinë dhe grindjet politike.

Sipas ekspertit amerikan, politikanët në Kosovë janë të shqetësuar se kush do t'u shërbejë më mirë interesave të tyre, se sa popullit.

“Kosova po kalon një nga periudhat më shqetësuese që nga fillimi i saj. Pandemia ka shkaktuar dëme të rënda dhe ajo ende nuk është vënë nën kontroll, papunësia po rritet, dhe shqetësimet e publikut janë të shumta. Për më tepër, grindjet politike brenda dhe jashtë qeverisë së koalicionit vazhdojnë të konsumojnë pjesën më të madhe të kapitalit politik, në vend që të përqendrohen në nevojat urgjente të njerëzve. Për fat të keq, udhëheqësit e partive janë më të shqetësuar se kush do t'u shërbejë më mirë interesave të tyre, sesa kush do t'i shërbejë më së miri interesit të kombit”, ka thënë më tej Alon Ben-Meir.

Ai ka theksuar për “Bota sot”, se Kosovës i duhen zgjedhje të reja parlamentare dhe një qeveri që pasqyron vullnetin e popullit. Kjo, sipas tij, duhet të ndodhë edhe nëse gjendet konsensusi për postin e presidentit mes partive politike.

“Kosova ka nevojë për një fillim të ri tani më shumë se kurrë më parë. Pavarësisht nëse gjendet një kandidat për presidencë, edhe nëse ai ose ajo mund të mbledhë një shumicë prej dy të tretave, vendi do të shërbehet më së miri duke shkuar në zgjedhje të reja parlamentare për të zgjedhur një qeveri që pasqyron vullnetin e njerëzve, një që ka besueshmërinë dhe angazhimin për të përmbushur premtimet e saj”, ka shtuar eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut.

Aktualisht vendi po drejtohet nga ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat