Cila është afërsia e LDK-së me Thaҫin dhe PDK-në? Deputeti i LDK-së thotë se u bë për këtë marrëveshje

Politika

Cila është afërsia e LDK-së me Thaҫin dhe PDK-në? Deputeti i LDK-së thotë se u bë për këtë marrëveshje

Nga: H.O. Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 21:30
Isa Mustafa/Hashim Thaci

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi në një intervistë dhënë për “Bota sot”, ka përmendur edhe raportet e partisë së tij me Hashim Thaҫin dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Bislimi thotë se derisa LDK-ja e ka afërsinë e vetme me idealet e themelit të saj dhe filozofinë politike të Presidentit historik, Ibrahim Rugova, ka arsyet për afërsinë me PDK-në e Thaҫin.

Sipas tij, kjo u bë për shkak të marrëveshjes ndërmjet dy koalicioneve dhe kjo nuk duhet të shihet si afërsi.

Tutje, deputeti Bislimi thotë se ‘elektorati i LDK-së ka shpreh një pezm ndaj koalicionit të LDK-së me PDK-në dhe si rezultat e ka dënuar elektoralisht LDK-në për këtë’.

“Afërsia e vetme politike e LDK-së duhet të jetë me idealet e themelit të saj dhe mbi të gjitha me filozofinë politike të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Ka shumë që flasin për rugovizëm. Por, të paktë janë ata që përtej fjalës, mund edhe ta përçojnë mesazhin e botëkuptimit që fjala realisht e ka. Rugovizmi, si gërshetim i stilit udhëheqës dhe veprimit politik, shkon përtej gandizmit si koncept, dhe aktivizmit qytetar paqësor si lëvizje. Në stilin udhëheqës, rugovizmi është urtësi. Edhe në leksikonin akademik, por edhe në traditën tonë kulturore, urtësia është virtyt i lartë, është mençuri e mbështjellur me dashuri. Në veprimin politik, rugovizmi është idealizëm kombëtar, i mbështjellur me pasion. Si dy krerët e shqiponjës si simbol yni kombëtar, këto dy atribute bazë të rugovizmit janë pjesë të një trupi – ato i lidhë përkushtimi deri në vetmohim. Për LDK-në, përtej reflektimit, botëkuptimi rugovist duhet kuptuar si themel që premton shumë; themel që i dha shtytje të fuqishme lirisë e substancë pavarësisë së Kosovës. Themel aq i fortë, sa që premton dhe garanton ndërtimin e një Kosove që jo vetëm do na bënte neve krenar, por e cila do i bënte krenar edhe miqët tanë ndërkombëtarë, pa ndihmën e të cilëve, zor se do ishim këtu ku jemi sot. LDK nuk ka qenë asnjëherë barrikaduese ndaj proceseve politike; përkundrazi ka qenë në shërbim të konstruktivitetit politik edhe ndërpartiak edhe në interes të shtetit. LDK të vetëm alergji politike duhet ta ketë ndaj korrupsionit e krimit, nepotizmit dhe papërgjegjësisë.  Zgjedhja e z. Thaci për postin e Presidentit të Kosovës nuk duhet kuptuar si afërsi politike në mes LDK-së e PDK-së, por si përmbushje e një marrëveshje koalicioni në mes dyja palëve, përmes së cilës LDK kishte siguruar postin e të parit të Qeverisë së Kosovës. Fundja, unë e kam thënë edhe më parë se përkundër kësaj, elektorati i LDK-së ka shpreh një pezm ndaj koalicionit të LDK-së me PDK-në dhe si rezultat e ka dënuar elektoralisht LDK-në për këtë”, vlerëson deputeti Bislimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat