Cilat rrugë duhet të zbatohen pas vendimit të Kushtetueses? - Juristi tregon se si duhet veprojë Qeveria Hoti

Politika

Cilat rrugë duhet të zbatohen pas vendimit të Kushtetueses? - Juristi tregon se si duhet veprojë Qeveria Hoti

Nga: A.Morina Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 23:42
Foto Ilustrim

Gjykata Kushtetuese ka dalur me vendim zyrtar për çështjen e votës së ish-deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Sipas vendimit të kësaj gjykate, thuhet se dikush që është i denuar me vepër penale me një vendim gjyqësor nuk mund të jetë kandidat pë deputet të Kosovës.

Sipas kësaj Gjykate, Qeveria do qëndrojë në detyrë deri sa të zgjedhet Qeveria e re, me zgjedhje të reja.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me shpalljen e votës së pavlefshme të deputetit Etem Arifi.

Kelmendi u shpreh se ky vendim i Kushtetueses lidhur me legjitimitetin e Qeverisë Hoti ishte i pritshëm, këtë e vërtetojnë edhe normat kushtetuese.

“Nxjerrja e verdiktit nga Gjykata Kushtetuese për votimim e Qeverisë Hoti ka qenë një dukuri e pritur. Kjo për faktin se në aspektin juridiko-kushtetues ka qenë nul, sepse deputeti Etem Arifi ka qenë i dënuar mbi një vit burg me aktgjykim të formës së prerë. Këtë gjendje e vërtetojnë normat kushtetuese”, deklaroi Kelmendi.

Juristi e bëri fajtor Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Kryetaren dhe Kryesinë e Kuvendit që e lejuan deputetin ta bëj betimin në Kuvendin e Kosovës.

“Kuptohet se këtu përgjegjës është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pse ka lejuar që ky deputet të bëj betimin në Kuvend. Natyrisht se përgjegjës është edhe Kryesia, Kryetarja e Kuvendit, Sekretaru etj., pse nuk e përcjellin gjendjen dhe të kërkojnë që një deputet i dënuar të zëvendësohet. Etem Arifi është dashur të zëvendësohet me deputet tjetër të listës së njejtë sipas radhës”, nënvizoi Kelmendi.

Kelmendi përmendi dy rrugë që duhet ndjekur pas vendimin të Gjykatës Kushtetuese. E para është zëvendësimi i deputetit të dënuar me deputetë tjetër, ndërsa tjetra është shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Qeveria e ka humbur legjitimitetin. Këtu janë dy rrugë që kërkohet të zbatohen

E para, është rruga që të zëvendësohet deputeti i dënur me deputet tjetër dhe të ngarkohet partia aktuale për formimin e një qeverie të re. Këtu nuk ka zgjedhje, por votohet Qeveria e re.

Së dyti, të shkohet në zgjedhje. Duhet thënë se gabimet janë të nduarnduarshme. Ka bërë gabim KQZ. Ka bërë gabim Kuvendi, përktësisht organet që i përmenda, pse nuk e kanë zëvendësuar deputetin. Dhe, mbi këtë është bërë një zgjedhje jo kushtetuese”, theksoi Kelmendi.

Ai situatën e sheh të çrregulluar dhe shkuarja në zgjedhje sipas tij, është vendimi më i mirë, pasi edhe ashtu nuk po arrijnë marrëveshje partitë në pushtet për postin e presidentit.

“Pra, kemi çrregullim total dhe këtë gjendje të rëndë e spastron kryesisht shkuarja në zgjedhje. Kjo edhe për faktin se ky koalicion, pa PDK ose VV nuk po mund të zgjedh presidentin. Këtej del se janë dy fakte të mëdha për të shkuar në zgjedhje të reja brenda afatit prej 45 diteve. Kjo është zgjidhja që i jep fund gjendjes aktuale dhe krijohet një konstalacion i ri i forcave”, tha Kelmendi.

Mirëpo e gjithë kjo, sipas Kelmendit varet nga u.d e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

“E gjitha kjo tash varet nga kryesuesja e pozitës së presidentit. Natyrisht se duhet të konsumohen rrugët kushtetuese për të shkuar në zgjedhje. E këtu mendohet në atë të mos krijimit të koalicionit dhe të mos pajtueshmërisë për President”, u shpreh Kelmendi, përcjell "Bota sot".

Në fund, juristi tha se nëse presidentja thotë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, ekziston mundësia e kundërshtimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkohet anulimi i tij.

“Pas këtyre dy rasteve shkohet në zgjedhje. Ndërsa, nëse presidentja shkon në zgjedhje të jashtezakonshme, ka mundësi të paditet gjendja në gjykatë dhe ndoshta përsëri të kemi gjendje anuluese nga ana e saj. Duhet të shfrytëzohen të gjitha anët juridike për të qënë të sigurtë në zgjedhje”, përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat