Analisti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese: Zgjedhjet mund të prodhojnë kriza të reja

Politika

Analisti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese: Zgjedhjet mund të prodhojnë kriza të reja

Nga: G.B Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 00:01
Ilustrim

Është shpallur jokushtetuese vota e deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti.

Atë e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese, e cila përmes vendimit, ka njoftuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 40 ditëve.

Lidhur me këtë, analisti Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se zgjedhjet kanë qenë opsioni më i mundshëm por që mund të kalojmë nga kriza në krizë.

Image
Leon Duhanaj

"Sipas pozicioneve të paraqitura përmes deklaratave publike të subjekteve politike, nga të cilat vërehet qartë më shumë qëllimi i kalkulimeve për interesa elektorale se sa për interes dhe unitet politik në vend, zgjedhjet kanë qenë edhe ashtu opsioni më i mundshëm. Megjithatë, pas konfirmimit të Kushtetueses për hedhjen poshtë të votës së Arifit, atëherë dallimi del që zgjedhjet do të jenë të jashtëzakonshme dhe se mundësia për të pasur zgjidhje të menjëhershme pas zgjedhjeve do të jetë e vogël, çka nënkupton që mund të kalojmë nga kriza, në krizë", është shprehur ai.

Sipas Duhanajt, partitë më shumë e duan ineresin personal dhe se nuk ka vullnet për bashkëpunim e sakrificë për vendin dhe se lufta po bëhet për interesa klanesh e partish.

"Kjo që po shpërfaqin partitë politike në vendin tonë, për mendimin tim është më shumë se e pamoralshme politikisht. Sepse nuk ka vullnet për bashkëpunim dhe sakrificë për interesa të vendit, përkundrazi e tërë lufta bëhet për interesa klanesh dhe partish. Një shoqëri e emancipuar politikisht shumë moti do të ndërpriste mbështetjen për ketë lloj politike, por ja që kemi qëlluar të tillë dhe biem pre e propagandave mediatike e jo e studimeve të mirëfillta politike", ka deklaruar Leon Duhanaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat