Vendimi i Kushtetueses, profesori i tregon formulën LDK-së: Kështu duhet të veprojë me Vjosa Osmanin

Politika

Vendimi i Kushtetueses, profesori i tregon formulën LDK-së: Kështu duhet të veprojë me Vjosa Osmanin

Nga: G.B Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 16:30
Vjosa Osmani - LDK

Gjykata Kushtetuese ka shpallur jokushtetuese votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti.

Sipas vendimit të kësaj gjykate, vendi do të shkojë në zgjedhje pas 40 ditësh dhe sot u.d e presidentit, Vjosa Osmani, ka filluar takimet me përfaqësuesit e partive, për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Lidhur me këtë, profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vendimi nuk ka të bëjë me performancën e Hotit por që është përpjekje e Kosovës për të respektuar demokracinë për dallim prej Shqipërisë, që ende nuk ka Gjykatë Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës dha vendimin e saj për legjitimitetin e qeverisë “HOTI”! Vota e deputetit Arifi u shpall e pavlefshme dhe për pasojë formimi i qeverisë nuk ka pasur numrin e nevojshëm të votave në parlament. Megjithatë qeveria e Thaçi-Mustafa-Grenell vazhdoi punën e saj dhe sipas vendimit do të jetë në krye të detyrës deri në formimin e qeverisë së re. Vendimi nuk ka të bëjë e performancën e qeverisë së zotit Hoti, i cili duhet thënë se ka dëshmuar integritet. Por ky vendim duhet lexuar si përpjekje serioze e Kosovës për të respektuar demokracinë në Kosovë. Në kushtet kur në Shqipëri nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese e jo më drejtësi të pavarur, mesazhi i Prishtinës për Tiranën është i qartë, është një mësim i mirë dhe një shuplakë njëkohësisht për atë që ka ndodhur e po ndodh tek ne. Nuk është hera e parë që Kosova i jep mësime demokracie autokratëve të Tiranës. Prandaj autokratët kurrë nuk do ta duan Kosovën. Edhe diktatori Hoxha nuk e donte Kosovën, sepse kishte frikë se ata e rrëzonin nga pushteti, për shkak se komunizmi nuk kishte e nuk ka rrënjë në Kosovë”, është shprehur ai.

Bytyçi thekson se i takon presidentes në detyrë, Vjosa Osmanit që të shpallë datën e zgjedhjeve brenda janarit apo në fillim të shkurtit.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Vendimi tashmë u mor. I takon presidentes në detyrë, zonjës Osmani, të shpallë ditën e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Këto zgjedhje duket se do të zhvillohen brenda muajit janar ose në fillim të shkurtit”, ka thënë ai.

Sipas profesorit, ky vendim i ka kapur në befasi disa parti, LDK-në më së shumti dhe PDK-në, por që jo edhe VV-në, AAK-në e Vjosa Osmanin.

“Disa i ka kapur në befasi ky vendim. Më në befasi janë kapur Lidhja Demokratike e Isa Mustafës dhe Partia Demokratike, e cila shkon në zgjedhje pa liderët tradicionalë. Por nuk besoj se ka ndonjë merak për Vetëvendosjen grupimin e Vjosa Osmanit apo partinë e AAK-së. Zgjedhjet do të prodhojnë një qeveri të re. Uroj që qeveria e re të mos jetë thupër, por çelik në duart e qytetarëve të Kosovës. Kosova duhet t’i lejë thuprat që përkulen mbrapa dhe të fillojë një epokë të re të sajën. Rasti dhe moment kanë ardhur tashmë. Nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron të mbetet aktor dhe faktor në politikën kosovare, duhet që Brenda një jave ta ndryshojë lidershipin e saj politik dhe të thërrasë Vjosa Osmanin që ta udhëheq partinë si edhe fushatën. Ndryshe ajo, ndonëse me vonesë duhet të aktivizohet fort për të marrë maksimumin nga elektorati i Kosovës, të zhgënjyerit nga qeverisja, por edhe nga partitë”, ka vlerësuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se fushata duhet të fillojë pa gabime dhe se garda e vjetër e korruptuar dhe inkriminuar ka mbështetjen e të gjithë anti-shqiptarëve, sidomos të Beogradit, por edhe të Edi Ramës.

“Megjithatë lëvizja e re për fitore nuk duhet të jetë euforike. Koha është e shkurtër dhe fushata duhet zhvilluar pa gabime. Ndryshe truket e gardës së vjetër do të përpiqen të mbijetojnë. Mos harrojmë se garda e vjetër e korruptuar dhe inkriminuar ka mbështetjen e të gjithë anti-shqiptarëve, sidomos të Beogradit, por edhe të Edi Ramës. Rama do të dërgojë ekipe dhe grupe mercenarësh të tipit të Miladin Popovicit që të ndihmojë aleatët e tij të fitojnë zgjedhjet”, ka vazhduar tutje ai.

Profesori e quan të guximshëm dhe të dobishëm për Kosovën vendimin e Kushtetueses që sovrani të marrë në dorë fatet e vendit dhe edhe presidenti do të zgjedhet pas zgjedhjeve.

“Megjithatë duhet thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një akt i guximshëm, parimisht dhe praktikisht i dobishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj. Sovrani do të marrë në dorë edhe njëherë fatet e vendit. Edhe presidenti do të zgjidhet pas zgjedhjeve të përgjithshme. Kjo do të thotë se do të ketë të tjera kandidatura të tjerë emra, të cilët do të duhet t’i votojë sovrani, qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Bytyçi.

Sipas tij, edhe nëse gjykata nuk do ta merrte këtë vendim, vendi do të shkonte në zgjedhje të reja, pasi nuk kishte konsensus për postin e presidentit.

“Por edhe nëse Gjykata Kushtetuese nuk do ta merrte këtë vendim, Kosova do të shkonte pashmangshmërisht në zgjedhje të reja për shkak se nuk do të kishte shanse që presidenti i ri i vendit të zgjidhej me këtë konfigurim politik që ka sot. Mobilizimi total i të djathtëve dhe të majtëve do të duhet të bëjë që në krye të shtetit të vijnë politikanët atdhetarë e patriote që e duan vendin dhe ardhmërinë e qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat