Kundërpërgjigjja e Hotit ndaj Vuçiqit, analisti tregon skenarin e presidentit të Serbisë në shenjë hakmarrje ndaj shqiptarëve

Politika

Kundërpërgjigjja e Hotit ndaj Vuçiqit, analisti tregon skenarin e presidentit të Serbisë në shenjë hakmarrje ndaj shqiptarëve

Nga: G.B Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 20:55
Avdullah Hoti Aleksandar Vucic

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq deklaroi ditë më parë se Serbia nuk do ta njeh Kosovën.

Pas kësaj pati reagime të shumta.

E kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti iu kundërpërgjigj, duke i thënë se nëse nuk ka njohje nuk do të ketë as vazhdim të dialogut, pasi rifillimi i tij është bërë që të arrihet marrëveshja finale, e që përfshin njohjen nga ana e Serbisë.

Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri, ka thënë për gazetën "Bota sot" se Vuçiq i dëshpëruar nga mosrealizimi i premtimeve renegate të kuislingut Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut, në shenjë hakmarrje ndaj shqiptarëve, ai provokon me deklarata të tilla.

"Presidenti kriminel serb Aleksandër Vuçiq i cili i takon edhe vet plejadës së udhëheqësve gjenocidial të Serbisë qysh nga qeveria e Millosheviqit, i dëshpëruar nga mosrealizimi i premtimeve renegate të kuislingut Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut me pjesët më vitale të vendit tonë Serbisë, në shenjë hakmarrje ndaj shqiptarëve, ai vazhdon edhe këto ditë, para syve tanë, kolonizimin e pareshtur të veriut të Kosovës me ardhacak kriminel serb nga Bosna e Kroacia, si dhe vijon të provokojë publikisht me deklarata arrogante se nuk do ta njohë as pavarësinë e Kosovës, deri në vitin 2022, kohë sa ai do të jetë president i Serbisë", është shprehur ai.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, para se të flitet për bisedime, qeveria duhet ta ndalojë kolonizimin e mëtejmë të Veriut të vendit tonë, me ardhacak kriminel serb të ikur nga Bosnja e Kroacia, sipas marrëveshjeve renegate të kuislingut Hashim Thaçi me kriminelin Aleksandër Vuçiq.

"Ndaj, para se të flitet për bisedime e vijim të dialogut me njerëz të tillë, është koha e fundit, që pikësëpari Qeveria e Kosovës përfundimisht ta ndalojë kolonizimin e mëtejmë të Veriut të vendit tonë, me ardhacak kriminel serb të ikur nga Bosnja e Kroacia, sipas marrëveshjeve renegate të kuislingut Hashim Thaçi me kriminelin Aleksandër Vuçiq, ku ndërtimi i lagjeve dhe fshatrave të tëra për kolonizatorët serb, jo vetëm vijon pareshtur, por edhe sa vije e zgjerohet, në shumë pjesë të veriut, përderisa banorëve autokton shqiptar, tash e 21 vite, u mohohet kthimi në vatrat e veta dhe ndalohet rindërtimi i shtëpive të tyre të shkatërruara gjatë viteve të luftës, nga Serbia okupatore, në ato pjesë të Kosovës", ka thënë Qarri.

Ai shton se Vuçiqit, njëjtë sikurse Millosheviqit, nuk i mjaftoi as gjenocidi i shkaktuar nga soldateska kriminale serbe gjatë viteve të okupimit dhe luftës së shqiptarëve, tani përpiqet edhe ta përgënjeshtrojë edhe gjenocidin e shkaktuar nga po këta gjeneral kriminel në Kosovë, duke fyer herë William Woker-in, herë Bill Klinton-in, e herë, herë edhe vet Madeline Albright.

"Madje Vuçiqit, njëjtë sikurse Millosheviqit, nuk i mjaftoi as gjenocidi i shkaktuar nga soldateska kriminale serbe gjatë viteve të okupimit dhe luftës së shqiptarëve për çlirim nga Serbia dhe përveçse ngritë dhe madhëron gjeneralët si Nebojsha Pavkoviq, që komandonte një strukturë të veçantë kriminale të krijuar nga vet Millosheviqi për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, i cili për çdo veprim gjenocidial dhe spastrimet etnike në Kosovë dakordohej drejtpërsëdrejti me Sllobodan Millosheviqin, për çka Millosheviqi edhe e kishte shpërblyer Pavkoviqin me gradën e gjeneral-lejtnantit, Vuçiq përpiqet hapur dhe pa fije turpi, ta përgënjeshtrojë edhe gjenocidin e shkaktuar nga po këta gjeneral kriminel në Kosovë, duke fyer herë William Woker-in, herë Bill Klinton-in, e herë, herë edhe vet Madeline Albright, mu për shkak se këta alarmuan botën për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve dhe çliruan Kosovën nga Serbia si dhe paralajmërimeve aktuale se Albright mund të jetë personaliteti i përzgjedhur nga ministria e jashtme e Qeverisë së re të SHBA, për bisedimet Kosovë-Serbi", thekson Gani Qarri për "Bota sot".

Sa i përket kundërpërgjigjes nga kryeministri Hoti, ai ka thënë se është e arsyeshme por derisa ka Listën Serbe në Qeveri, pesha e fjalës së tij është fragjile.

"Në anën tjetër kundërpërgjigjen e kryeministrit Hoti, se; "Nëse nuk ka njohje, nuk do të ketë as marrëveshje", pasi ky raund i dialogut pritet që të bëhet për marrëveshjen me njohje të Kosovës, e shoh më se të arsyeshme, por duke pasur parasysh faktin se ai udhëheqë një qeveri të pakicës, pjesë e të cilës është edhe Lista serbe dhe në rastet më të nevojshme mezi arrin ndonjëherë të grumbullojë 61 vota në parlament, kjo e bënë edhe peshën e fjalës së tij mjaft fragjile", ka shtuar tutje,

Qarri përmend edhe rastin në SHBA ku Hoti pranoi që të hiqej pika e marrëveshjes për njohjen e Kosovës nga Serbia.

"Për aq më tepër, vetëm para pak muajsh, kryeministri Hoti e kishte rastin ideal, që ta realizonte edhe premtimin e dhënë qytetarëve të Kosovës, para se të udhëtonte për takim me Vuçiqin në SHBA, që nga andej të kthehej me njohjen e pavarësisë nga Serbia, por ai pranoi vet, të hiqej pikërisht-pika e njohjes së ndërsjellë nga plani i marrëveshjes dhe u kthye me dy dështime nga SHBA, duke humbur mundësinë e artë për arritjen e marrëveshjes për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe duke e bërë Serbinë hisedar edhe në Ujman, privilegj që Serbia nuk e kishte as në kohën kur Kosova ndodhej nën domenin e shtetit ish jugosllav", ka deklaruar ai.

Madje, sipas tij, as Serbia nuk është e interesuar për vazhdimin e dialogut por vetëm donte heqjen e taksës ndaj mallrave të tyre.

"Madje tanimë shihet qartë se as vet Serbia, nuk është aq e interesuar për vazhdimin e bisedimeve me Kosovën, krejt çfarë ajo dëshironte, ishte heqja e taksës kundër mallrave të Serbisë dhe sigurimi i tregut prej dy milion banorëve, pa paguar asnjë metelik në Kosovë, gjë që edhe e arriti pa kurrfarë oferte analoge, duke vazhduar njëkohësisht me bllokimin e çfarëdo gjëje që vije nga Kosova, qoftë edhe vetëm për kalim të thjeshtë nëpër territorin e Serbisë, pengesa jo tarifore, mosnjohje e dokumenteve, mosrespektim të marrëveshjeve të arritura, kolonizim i veriut, si dhe provokimet se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës etj", është shprehur tutje Qarri.

Andaj, ai shton se duhet thënë stop Serbisë dhe pa u plotësuar disa kushte, të mos vazhdohen bisedimet.

"Ndaj përderisa ka vite që Kosova ka vendosur pikat ndërshtetërore kufitare me Serbinë dhe Pavarësia e Kosovës është vulosur ligjërisht qysh më 2010 edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi, si organi më i lartë juridik i OKB-së, është momenti i fundit që urgjentisht jo vetëm t'i thuhet STOP, por edhe të ndalohet me çdo mjet ligjor Kolonizimi i mëtejmë i Veriut nga Serbia, gjë që është edhe obligim kushtetues i Qeverisë së Kosovës, të mbahen zgjedhjet e reja, si dhe të arrihet konsensusi i brendshëm politik, dhe vetëm pasi të realizohen të gjitha këto pika, të merret edhe mendimi i miqve tanë më të mëdhenj ndërkombëtar si SHBA, se a ia vlen të vazhdojnë më tej bisedimet, me këtë shtet ish okupator dhe qeveritarët tej mase arrogant e agresiv të Serbisë, si Aleksandër Vuçiq, Ivica Daçiq, etj. pa pranimin e fajësisë dhe kërkim faljen për masakrat dhe gjenocidin shtetëror, të shkaktuar nga Serbia okupatore, në Kosovë", ka përfunduar Gani Qarri për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat