Si do të garojë Vjosa Osmani, me LDK-në apo me VV-në? Vjen parashikimi interesant: Partia e Isa Mustafës dhe e Albin Kurtit do të konfirmohen si...

Politika

Si do të garojë Vjosa Osmani, me LDK-në apo me VV-në? Vjen parashikimi interesant: Partia e Isa Mustafës dhe e Albin Kurtit do të konfirmohen si...

Nga: N. H Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 22:30
Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Tashmë kanë filluar të jepen parashikimet se si mund të jetë renditja e subjekteve politike në zgjedhjet e ardhshme.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për rrëzimin e Qeverisë Hoti, tashmë kanë filluar edhe përgatitjet për zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

Por, cilat janë pritjet e analistëve sa i përket rezultatit për dy partitë që në zgjedhjet e kaluara patën rezultatet më të mira.

Analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, është shprehur se Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet që priten të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, do të konfirmohen si dy subjektet politike që për një kohë do ta karakterizojnë skenën politike të Kosovës.

Haziri konsideron se tashmë do të shohim një përballje ideologjike në mes një të majte ekstreme dhe të djathtës, një pozicionim sipas tij, që i ka munguar apo nuk kemi pasur rastin ta shohim në Kosovë.

Image
Nexhat Haziri

“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nga këto zgjedhje do të konfirmohen si dy subjektet politike që për një kohë do ta karakterizojnë skenën politike të Kosovës, njëra në pozitë, dhe tjetra në opozitë. Se cila do të jetë në njërën nga këto dy rolet do ta përcaktojnë votuesit në zgjedhjet që do të mbahen së shpejti. Pra, do të shohim një përballje ideologjike në mes një të majte ekstreme dhe të djathtës, pra një pozicionim i partive politike që i ka munguar apo nuk kemi pasur rastin ta shohim për gjithë këto vite në skenën politike të Kosovës”, ka deklaruar Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Kurse, i pyetur se a do të hyjë në një listë Vjosa Osmani me Lëvizjen Vetëvendosje, apo ka gjasa për një rikthim në partinë ku mori hapat e parë, Haziri potencon se tashmë nuk është befasi nëse Osmani futet në një listë të përbashkët më VV-në e Albin Kurtit.

“Sa i përket Vjosa Osmanit, nuk do të jetë befasi futja e saj në listën e Lëvizjes Vetëvendosjes për zgjedhjet e ardhshme në garë për deputete, pasi ajo realisht nuk paraqet asgjë, përpos tashmë një marionetë të konfirmuar të Vetëvendosjes dhe liderit të saj Albin Kurti dhe assesi unë nuk e shohë si pjesë të LDK-së, pasi një gjë e tillë do të vetëvrasje për LDK-në e cila do të shkonte përfundimisht si një partie satelite e Lëvizjes Vetëvendosje dhe pesha politike e saj do të shkonte duke u zbehur, pa ndonjë rrol të veçantë në të ardhmen në të ashtuquajturën skenë politike të Kosovës”, tha analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Vjosa Osmani në zgjedhjet e fundit, ishte kandidate për kryeministre në listën zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mirëpo, Osmani u largua nga partia që udhëhiqet nga Isa Mustafa, për shkak që kjo e fundit bëri koalicion me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate, pas rrëzimin të Qeverisë Kurti, ku pjesë e saj ishte edhe vetë LDK.

Osmani pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ka mbajtur postin e kryetares së Kuvendit, ku më pas u bë edhe ushtruese detyre e presidentit, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga kjo pozitë, për shkak që ndaj tij u ngrit aktakuzë nga Gjykata Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat