Parashikimi i analistit për zgjedhjet: Gara do të zhvillohet në mes të këtyre dy partive

Politika

Parashikimi i analistit për zgjedhjet: Gara do të zhvillohet në mes të këtyre dy partive

Nga: G.B Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 11:49
Ilustrim

Së shpejti në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

U.d e presidentit Vjosa Osmani të martën dhe mërkurën ka mbajtur takime me përfaqësuesit e partive politike në vend, për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Zgjedhjet do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Speciale që shpalli jokushtetuese votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për “Bota sot” ky vendim i dha kahje të re mundësisë për një sprovë të re partive politike që e kanë humbur rrugën dhe se kriza është thelluar me luftën për marrjen e pushtetit.

Image
Skënder Zogaj

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese më në fund i dha një kahje të re mundësisë për një sprovë të re partive politike të Kosovës, të cilat, është fakt, se e kanë humbur rrugën dhe për qëllime partiake po e sakrifikojnë interesin e vendit dhe të popullit! Janë tepruar stërkeqjet e organizuara brenda strukturave shtetërore që vendin po e mbajnë peng dhe të ngulfatur! Kësaj logjike i kanë shërbyer të gjitha partitë politike, ato të pozitës - nga lakmia e mbajtjes së pushtetit ndërsa ato të opozitës - nga mënyrat e çoroditura të luftës për marrjen e pushtetit që e bëjnë duke zgjeruar dhe thelluar krizën, si mundësi më lehtë për arritjen e pushtetit”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, shkuarja në zgjedhje është shans për të gjithë qytetarët që të vendosin për fatin e vet dhe se votuesit në këto zgjedhje nuk guxojnë të gabojnë.

“Kjo është vërtetuar nga Qeveria Hoti, së cilës iu kundërvunë të gjithë aspiruesit e pushtetit, për t'ia pamundësuar funksionimin e duhur! Kështu që shkuarja në zgjedhje të reja është shans i shkëlqyer që qytetarët e Kosovës, të mendojnë mirë dhe që, me votën e tyre të vendosin seriozisht për fatin e vet! Votuesit në këto zgjedhje nuk guxojnë të gabojnë, sepse, do ta cenojnë rënd interesin e vet historik, siç i ka ndodhur Malit të Zi, ku malazezëve ua mori pushtetin pakica serbe! Ngjashëm mund të ndodh edhe në Kosovë, nëse, elektorati nuk arrin ta kuptojë momentin historik, qëllimet destruktive antikosovare! Si asnjëherë deri tash, votuesit shqiptarë duhet mendojnë mirë dhe me verdiktin e tyre të përcaktojë udhën e Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së vendit”, ka vlerësuar Skënder Zogaj.

Sa i përket garës zgjedhore, ai thotë se do të jetë gara në mes të LDK-së dhe VV-së, ndërsa rënie do të ketë PDK e ngritje AAK dhe Nisma.

“Duke analizuar kompleksin e gjendjes dhe problemeve aktuale, mendoj se gara do të zhvillohet ndërmjet LDK-së, e VV-së, që kryesisht do t'i ruajnë numrat e zgjedhjeve të kaluara, me rënie të lehta! Rënie do të ketë edhe PDK-ja, ndërsa ngritje të lehta pres te AAK-ja dhe NISMA”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat