Ja pakënaqësitë që sollën largimin e Osmanit nga LDK-ja, analisti përmend ish-komandantin e FARK-ut si kandidat për kryeministër

Politika

Ja pakënaqësitë që sollën largimin e Osmanit nga LDK-ja, analisti përmend ish-komandantin e FARK-ut si kandidat për kryeministër

Nga: N. H Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 22:38
Lidhja Demokratike e Kosovës

Shumica e partive politike në Kosovë, të cilat pritet të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, kanë filluar përgatitjet e tyre.

Shumica e partive politike, tashmë kanë bërë publike edhe emrat e kandidatëve për kryeministër. Ndërsa, një gjë të tillë nuk e ka bërë edhe me tej partia e Isa Mustafës.

Analistët janë të mendimit se Lidhja Demokratike e Kosovës, kjo parti e autoritetshme, është në një nga momentet më të vështira prej nga themelimi i saj si parti.

Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjes politike profesor Sulejman Mehazi, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhje të reja për partinë e Isa Mustafës ishte shokuese, befasuese dhe i papëlqyer.

Image
Sulejman Mehazi

“Kurrë LDK-ja nuk ka qenë më e papërgatitur dhe më e plandosur sesa gjatë këtyre zgjedhje të jashtëzakonshme të janarit. Që nga themelimi në krye me Rugovën e deri më sot asnjëherë kjo parti e autoritetshme nuk kaq qenë e paautoritetshme, sikurse tani, para këtyre zgjedhjeve të reja të janarit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhje të reja për partinë e Isa Mustafës ishte shokuese, befasuese dhe e papëlqyeshme. Veprimet e fundit të grupit të LDK-së kundër partnerit të koalicionit qeverisës, Lëvizjes Vetëvendosje, të Albin Kurtit devijuan rrugën politike aq sa u larguan nga kërkesat e votuesve dhe qytetarëve të Kosovës në përgjithësi. Mocioni i LDK-së kundër Kurtit për shkak qejfit inatçor të Agim Veliut, rrëzimi i Qeverisë Kurti e ardhja e Qeverisë së Hotit në koalicion me AAK-në e listën serbe më shumë dëmtoi e hidhëroi elektoratin e LDK-së të Isa Mustafës”, shprehet Mehazi.

Tutje, Mehazi ka treguar edhe shkaqet që dërguan tek prishja e raporteve mes Isa Mustafës, Agim Veliut me ish-nënkryetaren e kësaj partie, Vjosa Osmani.

Sipas tij, prishja e koalicionit mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike ka sjellë shumë probleme për partinë e Mustafës.

“Këtë pakënaqësi devijuese ndaj Isa Mustafës dhe Agim Veliut e shprehu edhe kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila dhe u përjashtua nga LDK-ja. Gabimet e njëpasnjëshme politike LDK-në e kanë dobësuar shumë, largimi i LDK-së nga Qeveria Kurti, largimi i Vjosa Osmanit, e afrimi i listës serbe do t’i bijë shumë të këqija zgjedhore LDK-së gjatë muajit janar. Kjo situatë e papëlqyeshme e LDK-së favorizon LVV-në e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanin që do fitojnë bindshëm ndaj LDK-së, parti e cila ka mbetur dhe pa çik autoriteti për bartës liste të zgjedhjeve të reja parlamentare. Edhe sikur ta afronin e ta bënin përsëri kandidate për kryeministre Vjosën, përsëri LDK-ja do dështonte”, deklaron analisti Mehazi.

Kurse, i pyetur se cili mund të jetë kandidati i mundshëm për kryeministër, me të cilin LDK-ja do të garojë në zgjedhjet që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, Mehazi ka përmendur ish-komandantin e FARK-ut, Anton Quni.

“Nuk mund të fitojë LDK-ja gjatë zgjedhjeve me kandidatë të pa-autoritetshëm të tipave të Isa Mustafës, Lutfi Hazirit, Agim Veliut, përveç Anton Qunit, i cili e ka autoritetin e madh para partisë së tij, por jo edhe para qytetarëve të Kosovës. Me të vërtetë nuk mund të gjejmë një kandidatë të LDK-së për zgjedhjet e reja parlamentare të janarit”, ka deklaruar profesor Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat