Si u dogjën flamujt e presidentit Rugova nga “krahu i luftës” dhe përplasja mes Mustafës e Osmanit, analisti i “ashpër”: Ky është qëllimi i Vjosës!

Politika

Si u dogjën flamujt e presidentit Rugova nga “krahu i luftës” dhe përplasja mes Mustafës e Osmanit, analisti i “ashpër”: Ky është qëllimi i Vjosës!

Nga: N. H Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 11:03
Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, ditën e djeshme publikoi pamje të ambientit të Presidencës ku flamuri Dardan shihej, ndërsa valëvitej mes atij të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

E, lidhur me këtë veprim të Osmanit, i pari që reagoi ishte kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai këtë veprim të Vjosa Osmanit e cilësoi gënjeshtër folklorike.

”Flamuri Dardan është ideuar nga Kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, kryetar i një partie politike të qendrës së djathtë-konservatore. Nuk përfaqëson vlerat dhe idetë e majta. Vetëvendosje s’ka asnjë lidhje dhe as relacion politik me vlerat rugoviane. Nuk funksionon formula edhe me VV dhe idetë skajshmërisht të majta edhe me Ibrahim Rugovën dhe simbolet Rugoviane. Është një gënjeshtër folklorike”, u shprehë Mustafa.

Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka folur rreth përplasjeve të fundit mes kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe ish-nënkryetares së kësaj partie, Vjosa Osmani, tani u.d presidente e Kosovës.

Bajraj tregon se flamuri Dardan, ishte simbol i Presidentit historik Rugova, simbol i ideuar dhe i përdorur nga Presidenti Ibrahim Rugova që nga viti 1992, përkatësisht pas zgjedhjeve të para në Republikën e Kosovës, në një gjendje të okupimit klasik nga Serbia dhe instalimin e një sistemi represiv e aparteidi të regjimit të Millosheviçit mbi Kosovën dhe shqiptarët.

Madje, analisti shpjegon se “krahu i luftës”, përveç që nuk e mirëpriti, edhe e dogjën këtë flamur, duke e quajtur flamur privat, gjersa këta të fundit, sipas tij, ishin në gjendje ta digjnin edhe Kosovën vetëm e vetëm që ky propozim të mos kalonte.

Image
Fatmir Bajraj

“Flamuri Dardan, bartë në vete, trashëgiminë nacional-historike të shqiptarëve ndër shekuj që nga Leka i Madh, përkatësisht, Aleksandri i Madh dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe gjerë në ditët tona. Flamuri Dardan, ishte projekt-propozim i Presidentit historik Rugova për simbol shtetëror dhe për vulën e Presidentit të Republikës së Kosovës në vitin 2001, pasi ky i fundit kishte fituar pozitën e Presidentit për herë të tretë në Republikën e Kosovës, dhe për herë të parë në Kosovën e lirë dhe të çliruar nga regjimi kriminal i Millosheviçit. Ky simbol kombëtar në Kosovën e lirë dhe të administruar nga UNMIK-u, ishte pritë mirë dhe me entuziazëm nga shumica absolute e shqiptarëve të Kosovës, përjashto këtu, të vetëquajturin “krah i Luftës”, të cilët jo vetëm nuk e mirëpritën, por e dogjën atë, duke e quajtur flamur privat dhe ishin në gjendje ta digjnin edhe Kosovën vetëm e vetëm që ky propozim të mos kalojë ngase vinte nga arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, Presidenti historik, Ibrahim Rugova”, ka deklaruar analisti Bajraj.

Ai hedh akuza të rënda, duke thënë se pjesë përbërëse e bandave kriminale, ishte padyshim edhe kontingjenti i Lëvizjes së Kurtit dhe tani edhe zonjës Osmani.

“Flamuri Dardan me iniciativën e Presidentit Rugova, me 28 Nëntor të vitit 2001, valëvitej krenar në kryeqytetin e Dardanisë Antike-Kosovës, në Prishtinë e lirë dhe gati në të gjitha qendrat komunale të Kosovës, shumicën e të cilave qeveriste LDK-ja, por valëvitjen e tij në qiellin e lirë të Kosovës, nuk e lejuan falangat e krimit të ideologjisë së majtë sllavo-komuniste, duke e djegë e përdhos paturpësisht gjithandej në tokën e Kosovës martire. Pjesë përbërëse e bandave kriminale, ishte padyshim edhe kontingjenti i Lëvizjes së Kurtit dhe tani edhe zonjës Osmani, i cili jo vetëm që nuk e pranoi flamurin e Dardanisë, por e luftoi atë, ideatorin (Presidentin Rugova) dhe LDK-në si bartëse e proceseve kruciale për fatet e vendit”, shprehet ai.

Kurse, sa i përket rastit të fundit, me vendosjen e flamurit Dardan në presidencë, sipas Bajraj, po bëhet me të vetmin qëllim që kjo e fundit të manipulojë dhe t’i vë në lajthitje elektoratin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Demagogjia perfide e Vjosës me Flamurin Dardan në presidencë, është neveritëse dhe provokuese për LDK-në dhe presidentin historik Rugova, kur dihet së zonja Osmani ka braktisur LDK-në dhe filozofinë politike Rugoviane dhe i është bashkuar, pikërisht kundërshtarit të egër politik të LDK-së, presidentit Rugova dhe simboleve shtetërore (Flamurit i Dardanisë), dhe himnit shtetëror të ideuar e projektuar nga Presidenti Rugova; “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”. Vjosa Osmani, me sjelljen e Flamurit Dardan në Presidencë, do që të manipulojë elektoratin e LDK-së, duke i vënë në lajthitje se gjëja ajo nuk është larguar nga LDK-ja dhe Rugovizmi, por është kundërta , LDK-ja është larguar nga Vjosa Osmani dhe Rugovizmi autentik, absurd i llojit sui-generis”, tha analisti Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat