Befasi/ Vjen propozimi: Kjo është formula, ja si mund t’i marr Vetëvendosje 61 deputetë

Politika

Befasi/ Vjen propozimi: Kjo është formula, ja si mund t’i marr Vetëvendosje 61 deputetë

Nga: B.S Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 17:39
Albin Kurti

Njerëzit e afërt të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe presidentes në detyrë, Vjosa Osmanit, tashmë kanë bërë të ditur se do të garojnë në një listë të përbashkët zgjedhore, me synimin që t’i marrin mbi 51% të votave, në mënyrë që ta udhëheqin Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

E lidhur me zhvillimet politike që kanë ndodhur së fundi në Kosovë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se bashkëpunimi i Osmanit me Kurtin, ka nxitur sulmet e kreut të LDK-së, Isa Mustafës.

“Vjosa Osmani duket se po e konfiguron partinë e saj dhe njëkohësisht ka shpallur edhe preferencën për një koalicion me Vetëvendosjen e Albin Kurtit. Aleanca dhe marrëdhënia e saj e mirë më zotin Kurti e ka vënë atë në shënjestër të një sulmi të orkestruar nga ana e Isa Mustafës, me qëllim denigrimi dhe si mjet për të shpëtuar nga goditja elektorale që mund të pësojë LDK në zgjedhjet e ardhshme”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, zgjedhjet e reja parlamentare janë të pavolitshme për Lidhjen Demokratike dhe për Partinë Demokratike të Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

“Kjo sepse qytetarët e Kosovës bëjnë fajtorë për gjendjen e sotme të mjerueshme qeverisjen e përbashkët të këtyre dy partive politike. Dihet edhe se Vjosa Osmani në kontiunitet ka qenë kundër bashkëpunimit dhe koalicionit midis Thaçit dhe Mustafës. Ky qëndrim i palëkundur saj i kushtoi përjashtimin nga Lidhja Demokratike. Do të ishte mirë që zonja Osmani të rikthehej në Lidhjen Demokratike dhe Isa Mustafa të gjente kurajon që t'ia lëshonte asaj vendin e kryetares, nëse do të zgjidhte anëtarësia ose Kuvendi I LDK-së. Por kjo nuk ndodhi. As nuk ka për të ndodhur. Kjo do të thotë se Isa Mustafa kërkon ta çojë LDK-në në zgrip, në fund të prestigjit të saj politik”, thekson profesor Bytyçi.

“Me qëllim që ta dëmtojnë lëvizjen e Vjosës për krijimin e një partie të re politike, aksioni politik i LDK-së, në vend të adresohet te alternativa e qeverisjes e programi I saj, i ka përqendruar energjitë e saj në sulmet kundër ish-kandidates për kryeministre e kësaj partie. A kanë të drejtë njerëzit e Isa Mustafës ta sulmojnë ish-nënkryetaren e partisë së tyre për anti-Rugovizëm, pse ajo bashkëpunon me Albin Kurtin? Disa naivë mund ta besojnë dhe mund të ndikohen nga kjo aksiomë politike. Por shumica dërmuese nuk e besojnë antirugovizmin e Vjosës, ashtu siç nuk e besojnë rugovizmin e Isa Mustafës. Pse Isa qenka rugovist kur bashkëpunon me Klanin Pronto për qeverisjen dhe për realizimin e projekteve anti-shqiptare në Kosovë? Ndërkohë Vjosa qenka anti-rugovist pse bashkëpunon me Vetëvendosjen, e përcaktuar së paku deri sot në mbrojtjen e interesave të Kosovës?!”, deklaron më tej profesor Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ai deklaron se kriteri themelor i rugovizmit ishte dhe mbetet mbrojtja e rugovizmit.

“A ka njeri që mund të besojë se Rugova do firmoste ndonjë marrëveshje për minishengen me Serbinë ende pa e njohur Beogradi shtetësinë e Kosovës? Kurrë jo! Isa Mustafa e nënshkroi marrëveshjen e nostalgjisë për ish-Jugosllavinë, Vjosa Osmani e denoncoi atë edhe në detyrën e presidentes. Pse Isa nuk i përdori kurrë ndonjëherë simbolet e Ibrahim Rugovës, por thjesht e nderoi ish-presidentin historik me ndonjë vizitë në varrin e tij, njësoj si edhe Thaçi?! Sepse zoti Mustafa më shumë ka nderuar dhe respektuar Hashim Thaçin sesa Ibrahim Rugovën. E Vjosa Osmani ruan identitetin e saj edhe në rastin e bashkëpunimit me Albin Kurtin. Nuk po bën koalicion me Kurtin si Albin, por si Vjosa Osmani, me identitetin e saj rugovist”, thekosn Bytyçi.

Ai tregon asryet pse Vjosa Osmani po bashkëpunon më Albin Kurtin.

“Nëse Vjosa Osmani nuk bashkëpunon me Albin Kurtin, me kë do të duhej të bashkëpunonte? Me LDK-në e Isa Mustafës që e linçoi dhe e përzuri nga dera e pasme e saj? Me aleaten e Isa Mustafës, Partinë Demokratike? Me kë do të duhej të ishte? Mbetej vetëm Albin Kurti, personaliteti politik, të cilit për momentin mund t'i besohet. Bashkëpunimi i saj me partitë e vjetra që e shkatërruan Kosovën është i pamundur. Është bashkëpunim në korrupsion dhe në përpjekje për të rikthyer Serbinë në Kosovë. Vjosa ka zgjedhur të kundërtën. Së paku deri tani besohet se Vetëvendosja është parti që garanton mbrojtjen e Kosovës dhe luftën kundër korrupsionit”, sprehet Bytyçi.

Për fund, ai ka treguar formulën se Kurti dhe Osmani mund t’i arrijnë 61 deputët në zgjedhjet e ardhshme.

“Ajo është përdorur e keqpërdorur në LDK, me qëllim që kjo parti të marrë sa më shumë vota prej saj. Edhe Albin Kurti beson dhe shpreson se zonja Osmani i shton atij në thesin elektoral një numër të madh votash. Herën e parë, pra në zgjedhjet e ardhshme kjo do të ndodhë. Vjosa do t'i japë shumë vota të simpatizantëve të Lidhjes Demokratike Albin Kurtit. Nëse edhe Ramush Haradinaj do i bashkohet kësaj aleance, atëherë është e sigurt se treshja Albin-Vjosa-Ramush do të marrin minimumi 61 deputetë. Kjo formulë e koalicionit dhe e qeverisjes I jep Kosovës një qeveri stabile, më stabilen që ajo ka njohur në këto 12 vitet e fundit!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat