Skenari që e pret Kosovën: Ja deri kur Vjosa qëndron në Presidencë, ky është lajmi i keq për Albin Kurtin e VV-në

Politika

Skenari që e pret Kosovën: Ja deri kur Vjosa qëndron në Presidencë, ky është lajmi i keq për Albin Kurtin e VV-në

Nga: P.R Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 19:52
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë takimit konsultativ me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani. Prishtinë, 22 dhjetor, 2020.

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani ka takuar të gjitha partitë politike dhe pritet që shumë shpejt të vendos për datën e zgjedhjeve të reja në Kosovë, zgjedhje këto që vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila e shpalli antikushtuese Qeverinë Hoti.

E lidhur me situatën politike dhe atë se si do të rrjedhin zhvillimet në javët në vijim, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri.

Ai thotë se zgjedhjet në Kosovë pritet të mbahen në javën e parë të muajit shkurt.

Image
Ramush Tahiri

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme Parlamentare në Republikën e Kosovës me gjasë do të mbahen të dielën e parë të muajit shkurt. Caktimi i datës me dekretim bahet nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, zonja Vjosa Osmani pasi që të jetë shpallur aktvendimi nga Gjykata Kushtetuese me të cilën kjo Gjykatë konstatoi se janë përmbushur kushtet nga neni 65 pika 4 e Kushtetutës së Kosovës dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 40 ditës”, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Ai paralajmëron shumë paqartësi, që sipas tij e presin javët në vijim Kosovën.

“Duket se këto zgjedhje do të përcillen me vështirësi e paqartësi procedurale dhe me kontestime të zbatimit të kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë. E para është zgjedhja e vet Presidentit dhe afatit se kur duhet të bëhet kjo zgjedhje. Unë konsideroj që Presidenti i Republikës së Kosovës duhet të zgjidhet detyrimisht brenda një afati dy muajsh siç edhe e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës neni 82 pika 3, që thotë se Kuvendi shpërndahet “nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë ditësh [60] nga dita e fillimit të procedurës nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës”. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dha dorëheqje me 05 nëntor që do të thotë se afati përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës është 05 janar”, thotë Tahiri.

“Kjo shihet se nuk do të përmbushet dhe nëse edhe pas kësaj date Vjosa Osmani është në këtë detyrë një kontestim në Gjykatën kushtetuese mund ta shpallte antikushtetuese mbajtjen e pozitës nga ana e sajë sepse Gjykata nuk mund të përcaktojë se kur është afati se nisin procedurat për zgjedhjen e presidentit përveç se ky afat nisë kur vendi mbetet i zbrazët për cilëndo arsye, pra shkarkimi, vdekja, paaftësia e përjetshme, etj. Dorëheqja nuk është e paraparë dhe si e tillë nuk dihet para kujt e dha Hashim Thaçi dorëheqjen dhe cili organ ia aprovoi”, thekson analisti Tahiri.

Ai shton se Vjosa Osmani mund ta ushtroj postin e presidentit deri më 5 maj 2021.

“Dikush mund të thotë se Vjosa Osmani ka mandat gjashtë muaj të ushtrimit të funksionit të Presidentes së vendit mirëpo neni 90 I Kushtetutës nuk flet për mandat por për zëvendësim të Presidentit i cili për ndonjë arsye nuk mund të ushtrojë funksionin e tij ose të saj, zakonisht udhëtim jashtë vendit apo çështje shëndetësore apo ndonjë pengesë tjetër dhe ai me dekret e emëron Kryetarin e Kuvendit ta zëvendësojë deri në gjashtë muaj por jo detyrimisht aq sepse mundet me javë apo me muaj gjithsesi më pak, sepse edhe neni përkufizohet “Mungesa e përkohshme e Presidentit” që do të thotë se nuk bëhet fjalë për mungesën e përhershme përkatësisht lënien e postit vakant të presidentit. Pika 3 e këtij neni thotë tekstualisht “Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të republikës së Kosovës, nuk mund nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë [6] muaj”. Sipas këtij shpjegimi, Vjosa Osmani mund ta ushtroj postin e presidentit deri më 05 maj 2021”, sqaron Tahiri për “Bota sot”, duke shtuar se deri në këtë datë më së largu duhet të zgjidhet presidenti i ri.

“Gjithashtu Kushtetuta e Kosovës kur ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit në nenin 86 thotë “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë [30] ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. E Hashim Thaçi ishte zgjedhur President më 07 prill 2016, që i bjen se presidenti i ri duhet të zgjidhet më së largu deri më 05 mars 2021. Edhe ky afat Kushtetues është e qartë se nuk mund të përmbushet nëse zgjedhjet mbahen në fillim të muajit shkurt 2021. Bile pikëpyetje është a do të mund të konstituohet Kuvendi i ri i Kosovës deri në atë kohë. Nëse edhe ushtrimi i detyrës quhet mandat i Presidentit edhe pse nuk është i zgjedhur pra Vjosa Osmanit i llogaritet mandat Presidenteje gjashtë muaj, atëherë i bjerë që Presidenti i ri duhet të zgjidhet deri më 05 prill 2021”, shprehet Ramush Tahiri.

E një çështje procedurale që do të shkaktojë paqartësi e telashe, sipas Tahirit ka të bëjë me të drejtën e kandidimit për deputet.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës në rastin e Ethem Arifit të cilin e ka shpallur pa mandat të zgjedhur ka konstatuar se askush nuk mund të kandidojë e le më të zgjidhet nëse është i dënuar me vendim të plotfuqishëm nga Gjykata për vepër penale në tre vjetët e fundit. Në këtë thirret në paragrafet e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Mirëpo Kushtetuta e Kosovës është e qartë në këtë çështje dhe neni 73 i përkufizuar si “Pamundësia e kandidimit në pikën 2. Thotë: Nuk mund të kandidohen për deputetë personat e privuar nga zotësia juridike për të vepruar për me vendim përfundimtar të gjykatës”. Kjo do të thotë se për deputetë nuk mund të kandidohen nëse me vendim të gjykatës së rregullt shprehimisht i është ndaluar kjo e drejtë qytetarit i cili është dënuar për një vepër të caktuar. Zakonisht kjo bëhet në rastet kur personi duke shfrytëzuar pozitën ka bërë vepër penale ose ka shfrytëzuar favoret që i mundëson pozita publike e shtetërore ose profesionale, bie fjala drejtor, profesor, mjek, deputet, ministër, zëvendës kryeministër, kryeministër, President etj”, thekson Tahiri.

Sipas tij, ky është një lajm i keq për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.

“Nëse mbetet në fuqi ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, është e sigurtë se ky aktvendim duhet të respektohet, atëherë as një numër i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje duke përfshirë edhe kryetarin e saj Albin Kurti nuk mund të kandidojnë për deputet dhe konform kësaj as të zgjidhen ministra, kryeministër apo President të Kosovës. Ka një arsyetim që thotë se këta të Vetëvendosjes janë të dënuar me kusht dhe jo me burgim efektiv dhe se afati kohor i kushtit është kapërcyer por të tjerët shpjegojnë se Gjykata Kushtetuese është e qartë dhe thotë se nuk mund të kandidojnë dhe të zgjidhen ata që janë të dënuar me vendim përfundimtarë gjykate në tri vjetët e fundit si periudhë kohore”, përfundon për gazetën “Bota sot” analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat