Thirrje për votimin e buxhetit, kërkohet që qytetarët të ndihen të sigurt

Politika

Thirrje për votimin e buxhetit, kërkohet që qytetarët të ndihen të sigurt

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 dhjetor 2020 Në ora: 21:15
Kuvendi i Kosovës

Votimi i Projektligjit për buxhetin e vitit 2021 të Kosovës do të bëhet nesër, më 28 dhjetor, në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare.

Nesër në ora 11:00 është në procedurë Ligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare në interes për Kosovën.

Projektligji për buxhetin e vitit 2021 është dërguar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë tashmë në largim.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të jenë të pranishëm në seancë gjatë ditë së nesërme dhe të votojnë pro miratimit të këtij ligji.

“Është e udhës që secili deputet të jetë në seancë dhe të mbështesë këtë ligj. Votimi i këtij ligji siguron stabilitet financiar në pjesën e partë të vitit të ardhshëm, kur të hyrat buxhetore janë të pakta. Votimi i këtij ligji mundëson mbështetjen për punëtorët e papunë dhe për biznese që janë në vështirësi financiare për shkak të pandemisë”, tha Hoti.

Thirrjes së Hotit, iu përgjigj pozitivisht Partia Demokratike e Kosovës.

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, deklaroi se subjekti i tij politik do ta votojë projektligjin për buxhetin e vitit 2021..

“PDK-ja nesër voton pro buxhetit. Duam që pagat në Kosovë t’i kenë mjekët, mësimdhënësit, ushtarët dhe të gjithë të tjerët”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje ai shtoi se PDK-ja nuk dëshiron që deri në pranverën e vitit tjetër të mbesin pa paga qytetarët e vendit.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër votimit të projektligjit për buxhetin e vitit 2021. Kurse, Alenca për Ardhmërinë e Kosovë nuk ka dal me ndonjë qëndrim zyrtar.

Mbetet të shihet nesër, nëse ky projektligj do arrijë të i marrë votat e mjaftueshme për t’u miratuar.

Ekspertët e ekonomisë e kanë cilësuar si shumë të nevojshëm miratimin e buxhetit. Ata i bënë apel të gjithë deputetëve të votojnë pro këtij ligji dhe të i lënë anash inatet politike.

Shahini: Votimi i buxhetit është obligim moral politik e kushtetues

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës ta votojnë buxhetin e vitit 2021. Pasi, sipas Shahinit kjo gjë do të jetë në të mirë të ekonomisë dhe qytetarëve të vendit.

Image
Agim Shahini

“AKB ju kërkon të gjithë deputetëve të parlamentit të Kosovës se të hënën të votohet buxheti në të mirë të ekonomisë së Kosovës dhe vetë qytetarëve të saj”, deklaroi Shahini.

Shahini tha se edhe pse zgjedhjet do të mbahen brenda disa javëve, formimi i qeverisë nuk dihet saktë kur do të ndodh, prandaj është i rëndësishëm votimi i buxhetit. Kryetari i AKB-së tha se këtë gjë e kanë obligim moral e politik e kushtetues deputetët.

“Zgjedhjet tash më po dihen se do të ndodhin brenda disa javëve apo muajit, por formimi i qeverisë së re nuk dihet sepse kjo mund të zgjatë me muaj të tërë pavarësisht fituesit të zgjedhjeve, prandaj miratimi i buxhetit është obligim moral politik e kushtetues”, nënvizoi Shahini.

Kryetari i AKB-së tha se miratimi i buxhetit nuk do të thotë mbështetje e kësaj qeverie, por mbështetje dhe përgjegjësi e deputetëve ndaj qytetarëve, bizneseve dhe votueseve të vendit.

“Miratimi i buxhetit nuk do të thotë favorizim i kësaj qeverie por angazhim në krye të detyrës dhe përgjegjësisë që e ka parlamenti dhe deputetët ndaj qytetarëve, bizneseve dhe votuesve të Kosovës”, u shpreh Shahini.

Në fund, Shahini deklaroi se nëse buxheti nuk votohet, atëherë nuk do të mund të zbatohet ligji për Rimëkëmbje Ekonomike në vitin 2021.

“Pa buxhete nuk mund të lëvizë asgjë pas muajit mars por nuk do të filloj as zbatimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike në vitin 2021”, përfundoi Shahini.

Kadriaj: Pa marrë parasysh pozicionin pozitë apo opozitë, të votohet buxheti për vitin 2021

Ndërsa, eksperti i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur për seancën plenare që pritet të mbahet të hënën me qëllim të votimit të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2021.

Image
Mustafë Kadriaj

Kadriaj kërkoi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ta votojnë projektligjin për buxhet, pa marrë parasysh pozicionin e tyre, pozitë apo opozitë.

“Votimi i buxhetit duhet të jetë njëherë e përgjithmonë e qartë për çdo deputetë dhe subjekt politik pa marrë parasysh pozicionin pozitë apo opozitë duhet të votohet për faktin që është kryefjala e çdo deputeti dhe sensi pse janë deputetë”, deklaroi Kadriaj.

Eksperti theksoi se buxheti duhet të jetë intensiv me qëllim të lehtësimit të jetës së qytetarëve dhe punën e bizneseve në përgjithësi, pasi jemi edhe në një situatë pandemie.

“Natyrisht me dhënë kontributin që me qenë buxhet investiv dhe që lehtëson jetën e qytetarit dhe të biznesit por gjithsesi duhet të votohet e sidomos në këtë kohë kur vendi po shkon në zgjedhje dhe njëherit jemi në kohë pandemie”, nënvizoi Kadriaj.

Në fund, Kadriaj uroi që të votohet buxheti për vitin 2021, pasi ky është një ligj vendimtar për funksionimin e shtetit. Ai përmendi edhe ndërhyrjet që mund të bëj qeveria e ardhshme për ndryshim ose plotësim të këtij ligji.

“Si përfundim duke uruar që nga zgjedhjet të del një qeveri kredibile edhe nëse votohet tani buxheti qeveria e ardhshme mund të shqyrtoi dhe të plotësoj buxhetin, pra nuk ka vend për mos miratim të buxhetit për faktin që buxheti është i rëndësisë së veçantë dhe specifik për faktin që është ligj njëvjeçar dhe është determinues për funksionimin e shtetit”, përfundoi Kadriaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat