Viti “Special”

Politika

Viti “Special”

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 janar 2021 Në ora: 08:35
Selia e Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale me ngritjen e aktakuzave ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pastaj, konfirmimin e të njëjtave aktakuza ishte një nga temat që mori vëmendjen më të madhe gjatë vitit 2020.

Se Dhomat e Specializuar do fillojnë me ngritje të aktakuzave dhe arrestimet e ish-krerëve të UÇK-së dihej që nga viti 2015 kur deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro themelimit të kësaj gjykate.

Deputetët e parlamentit të Kosovës me 3 gusht të vitit 2015, miratuan me shumicë votash ndryshimet kushtetuese, që mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Pro themelimit të Gjykatës Speciale votuan 82 deputetë, 5 ishin kundër dhe një abstenoi.

Për ngritjen dhe konfirmimin e aktakuzave, Gjykatës Speciale iu nevojiten afërsisht pesë vite kohë mbledhje të dëshmive, intervistime të dëshmitarëve dhe të dyshuarve.

Anulimi i takimit të ish-presidentit Hashim Thaçi me ish-presidentin Doanld Trump në shtëpinë e Bardhë

I ngarkuari i Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, kishte bërë të ditur se qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë ishin pajtuar që më 27 qershor të takohen në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Mirëpo, takimi në Shtëpinë e Bardhë, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk i shkoi siç kishte planifikuar, pasi vetëm 3 ditë para takimit me 24 qershor, në mënyrë të papritur anuloi takimin dhe vendosi të kthehej në Kosovë, përcjell "Bota sot".

Ish-presidenti Thaçi kishte ndërprerë vizitën e planifikuar më 27 qershor në Washington, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar, kishte njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzoheshin për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Gjashtë muaj më pas konfirmohen aktakuzat e ngritura ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Me 4 nëntor, gjashtë muaj pas ngritjes së aktakuzave, katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi morën njoftimin nga Haga se ndaj tyre i është konfirmuar aktakuza.

Jakup Krasniqi ishte marrë në pyetje dhe arrestuar ditën e konfirmimit të aktakuzës, me ç’rast ishte transferuar për në Hagë, përderisa Selimi, Veseli dhe Thaçi e kishin bërë publike aktakuzën ndaj tyre të nesërmen me 5 nëntor, me ç 'rast edhe ky i fundit ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Republikës së Kosovës.

Thaçi, Veseli dhe Selimi u transferuan gjatë asaj dite në burgun e Hagës.

Çfarë thuhet në aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit?

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore “dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

“Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Sipas aktakuzës pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Sipas aktakuzës së Dhomave të Specializuara, pjesëtarë të tjerë “të ndërmarrjes së përbashkët kriminale janë Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së” transmeton "Bota sot".

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në "kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve".

Dhomat e Specializuara pretendojnë se në korrik të vitit 1998, pas një sulmi të UÇK-së në Rahovec dhe rrethinë, ishin marrë peng civilë serbë, sipas aktakuzës në këto operacione ishin të përfshirë, Thaçi, Veseli e Selimi. Sipas aktakuzës, disa të ndaluar më pas ishin dërguar në një ish-stacion policor në Malishevë, ku Krasniqi ishte identifikuar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe “në një rast ka vizituar një dhomë ku po mbaheshin të ndaluarit”.

Në një tjetër rast, që sipas aktakuzës pretendohet se ka ndodhur në fillim të shtatorit të vitit 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit, ku, siç pretendon Gjykata, “Thaçi dhe Selimi ndërmorën hapa për të frikësuar dhe ushtruar dominim ndaj njësive që ishin të lidhura me LDK-në, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), që ishin të lidhura me qeverinë në ekzil”.

Aktakuza pretendon se më 1999, Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

Në aktakuzë pretendohet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë kontribuar në arritjen e qëllimit “të përbashkët, ku përfshihet edhe kryerja e krimeve në këto mënyra: duke formuluar ose marrë pjesë në zhvillimin, miratimin, promovimin, shpërndarjen e planeve dhe politikave ; dështimin për të ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar dhe hetuar krimet... etj”.

Përmes veprimeve ose mosveprimeve, thotë aktakuza, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi “së bashku me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, kryen, ndihmuan ose nxitën pjesëmarrës të tjerë për krimet e paraqitura në këtë aktakuzë”.

Të pandehurit, thuhet tutje në aktakuzë “si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”.

Arrestimet e tjera nga Gjykata Speciale

Përveç ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën edhe ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës, kryetarit dhe nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Më 24 shtator, Mustafa, u arrestua në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës.

Aktakuza e ngarkon Mustafën për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Gjatë seancës së mbajtur më 28 tetor, Mustafa është deklaruar i pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës.

Ndërsa, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan me 25 shtator në Kosovë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Gucati dhe Haradinaj ishin arrestuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, bëjnë të ditur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar

Të gjithë të akuzuarit të ‘pafajshëm’

Në seancat e para gjyqësore të mbajtura në Hagë, të gjithë ish-krerët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm dhe se të gjitha akuzat ishin të pavërteta.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë paraqitjes së parë në Hagë, u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritur nga Dhomat e Specializuara.

"Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës", tha Thaçi.

Edhe ish-kryetari i Parlamentit të Kosovës dhe PDK u vetë deklarua i "pafajshëm" ndaj akuzave të Prokurorisë.

"Faleminderit i nderuar gjykatës, i dëgjova dhe i kam lexuar. Më lejoni të deklarohem: Me bindje të plotë them se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës", u shpreh Veseli.

Po ashtu, i pafajshëm u deklarua edhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të UÇK-së, Jakup Krasniqi.

“Unë nuk ndjehem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet aty”, kishte thënë Krasniqi.

Njëjtë kishte vepruar edhe Selimi duke u deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës së konfirmuar nga Specialja.

“Kam pasur kohë të mjaftueshme që ta shoh, analizoj dhe kuptoj aktakuzën. Ndihem i pafajshëm për të gjitha pikat në aktakuzë”, theksoi ish-deputeti i VV-së.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Specialja dhe viti 2021

Gjykata Speciale pritet të ketë edhe një vit shumë të ngarkuar me aktakuza të reja dhe seanca të shumta gjyqësore me ish-drejtuesit e UÇK-së. Pra, edhe viti 2021 pritet të jetë i ngarkuar me shumë punë dhe befasi nga Dhomat e Specializuar.

Njohës të çështjeve kushtetuese kanë paralajmëruar edhe shumë befasi nga ana e Speciales me arrestime të reja dhe seanca shumë të ngarkuara gjyqësore. Mirëpo, sipas tyre me arrestimin e dy themeluese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, Specialja ka kaluar një prag problematik dhe se tash e tutje do ta ketë më të lehtë ushtrimin e funksionit të tyre.

Kelmendi: Do të ketë vazhdimësi të arrestimeve nga Specialja në vitin 2021

Image
Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” foli për arrestimet e Gjykatës Speciale gjatë vitit 2020 dhe tregoi nëse do të ketë arrestime të reja gjatë vitit 2021.

Kelmendi paralajmëroi vazhdimësi të arrestimeve nga Dhomat e Specializuara.

“Arrestimet nga Gjykata Speciale, të cilat me siguri se do të përcjellin vitin 2021. Sigurisht se Gjykata Speciale do të vazhdon edhe me arrestime të tjera”, deklaroi Kelmendi.

Ai arrestimet e Speciales i ndërlidhi me çështjen e ndërtimit të shtetit juridik, të cilën e sheh si një nga temat më të rëndësishme për qeverinë e cila do të emërohet gjatë vitit 2021.

“Çështja e ndërtimit të shtetit juridik mbetet edhe pas këtyre zgjedhjeve problemi dhe detyra më imediate për të kryer pushteti që do të vijë”, theksoi Kelmendi.

Juristi deklaroi se nuk është bërë punë në sistemin e drejtësisë, shkaku i mos ndërtimit të pushtetit në fushën e mbrojtjes së ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit.

“Nuk është bërë mjaftë punë në sistemin e drejtësisë. Natyrisht se kjo vjen nga fakti i mos ndërtimit të pushtit në fushën e mbrojtjes së ligjit dhe të luftimit të krimit. Këtej çdo qeveri e ka shumë të rëndë për të rikthyer shtetin juridik”, nënvizoi Kelmendi.

Burjani: Specialja do të sjellë shumë befasi në vitin 2021

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani ka komentuar arrestimet e Gjykatës Specile të cila ndodhën gjatë vitit 2020 dhe ecurinë e seancave gjyqësore gjatë vitit 2021.

Burjani paralajmëroi arrestime të reja vitin e ardhshëm, ai konsideroi se këto arrestime janë vetëm fillimi i punës së Speciales

“Sfidat do të vazhdojnë do të ketë arrestime tjera edhe në vitin e ardhshëm, kjo gjykatë posa ka filluar punën”, deklaroi Burjani.

Jurisiti paralajmëroi befasi gjatë vitit 2021, duke konstatuar se mbledhja e fakteve nuk do të ndalet as përgjatë këtij viti.

“Mbi 150 persona janë intervistuar ,mund të ketë edhe arrestime tjera të liderëve të partive të dala nga lufta. Mbledhja e fakteve po vazhdon e kësaj gjykate pa ndal, mund të ketë pra shumë befasi në vitin 2021”, theksoi Burjani.

Ai vlerësoi se pragu më problematik i Speciales u kalua me arrestimin e dy liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Sipas tij, gjërat në Dhomat e Specializuar do të jenë më të lehta.

“Pragu kritik dhe problematik u tejkalua me arrestimin dhe ngritjen e aktakuzave të dy liderëve të UÇK-së, tash gjërat janë më të thjeshta sipas vlerësimeve të kësaj gjykate”, përfundoi Burjani.

Gjoshi: Specialja ka vepruar në bazë të autorizimeve që i ka dhënë ligji

Image
Adrian Gjoshi

Ndërsa, avokati Adrian Gjoshi në një prononcim për “Bota sot” komentoi vazhdimësinë e seancave gjyqësore dhe ngritjen e aktakuzave të reja nga Gjykata Speciale.

Gjoshi vlerëson se Dhomat e Specializuara do të veprojnë në bazë të autorizimeve që ua ka dhënë ligji

“Mendoj se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të sillet sipas autorizimeve të veta që ja ka dhënë ligji”, tha Gjoshi.

Avokati tha se Specialja mund të zgjeroj rrethin e të akuzuarve, nëse do të ketë dëshmi të reja, lidhur me persona të tjerë. Por, Gjoshi u shpreh se kjo varet nga fushar e reja të hetimit dhe personave me gjykatën

“Mund ta zgjerojë rrethin e të akuzuarve po mund ta mbaj edhe kaq sa është varet se a ka të dyshuar tjerë apo varet prej asaj se a mund të ketë të dyshuar për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë. E gjitha është çështje hetimesh dhe sjelljesh nga ana e personave në raport me gjykatën”, përfundoi Gjoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat