“Jo fjalë por dëshmi” - analisti flet për Kurtin në lidhje me lirimin e Selimit

Politika

“Jo fjalë por dëshmi” - analisti flet për Kurtin në lidhje me lirimin e Selimit

Nga: A.Morina Më: 2 janar 2021 Në ora: 23:11
Albin Kurti dhe Rexhep Selimi

Arrestimet e Gjykatës Speciale, që nga muaji nëntor vazhdojnë të komentohen dhe të jenë një nga temat më të përfolura në vend.

Së fundi, ish-kryeministri Albin Kurti, me një deklaratë të tij lidhur me lirimin e Rexhep Selimit ka ngjallur reagime të mëdha mediatike.

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të liderit të VV-së, Albin Kurti, i cili sipas tij po e do vetëm lirimin nga Haga të bashkëpartiakut të tij, Rexhep Selimit.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar deklaratat e Albin Kurtit dhe sjelljet e partive politike në përgjithësi lidhur me arrestimet e Speciales.

Zogaj u shpreh se dëshima më e madhe e dështimit të funksionimit të drejtësisë në Kosovë

“Gjykata Speciale është dëshmia kryesore e mosfunksionimit të drejtësisë në Kosovë, sepse, po të kishte funksionuar, krimet, të gjitha pa dallim do të ishin zbardhur dhe, autorët e krimeve do t'i kishin marrë dënimet e merituara dhe, tash Kosova do të ishte shtet i mirëfilltë dhe i plotë kuptimtë i integruar në të gjitha strukturat Euro-Atlantike”, deklaroi Zogaj.

Analisti tha se për 20 vite me radhë, partitë politike kanë heshtur dhe kanë bashkëjetuar me kriminelë, duke shpresuar se ata do t’i mbulojë harresa. Zogaj u shpreh se pa dallime subjektet politike kanë hezituar të sakrifikojnë interesat partiake për interesa të vendit.

Por kjo nuk ka ndodhur sepse, partitë politike, tē gjitha pa dallim, nuk kanë dashur që interesat partiake t'i sakrifikojnë për interesat e vendit dhe popullit! Prandaj 20 vjet radhazi kanë pranuar të heshtin dhe bashkëjetojnë me kriminelët të cilëve u ka konvenuar heshtja, me shpresën  se, koha do t'i mbulojë me harresë. Rezultat i kësaj është Gjykata Speciale e cila tashmë i ka arrestuar ish krerët më të lartë të UÇK-s  që i supozon se kanë bërë krime!

Tutje, Zogaj tha se situata është shumë e ndjeshme, shkaku që subjektet politike dhe institucioneve shtetërore nuk kanë pasur sjellje të duhura. Ai tha se reagimet e shthurura e rëndojnë pozitën e të akuzuarve në Hagë.

“Situata është shumë delikate, sepse, mënyra e sjelljes së partive politike dhe institucioneve shtetërore nuk është e duhura! Reagimet  e rastit dhe të shthurura e rëndojnë pozitën e të akuzuarve, për të cilët ndihma më e mirë dhe e vetmja që u duhet është insistimi që të veprojë drejtësia. Çdo lloj veprimi tjetër është gabim që i rëndon”, theksoi analisti.

Në fund, Zogaj tha se Kurti duhet të i lë fjalët dhe të ofroj dëshmi konkrete që demantojnë akuzat ndaj Selimit apo edhe ish-krerëve të UÇK-së.

“Prandaj, jo fjalë, por duhet të ofrohen dëshmi konkrete që demantojnë ose i vërtetojnë akuzat! Kjo është ajo që duhet të bëhet në mënyrë që e vërteta të zbardhet dhe drejtësia të mund ta thotë fjalën e saj meritore! Mendoj se këtë duhet ta bëj edhe Albin Kurti, për Rexhep Selimin por edhe për krerët e tjerë të UÇK-s që i përkasin bërthamës  së përbashkët dhe përgjegjësive të përbashkëta”, përfundoi Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat