“Fushata agresive dhe propaganda e Vetëvendosjes” - analisti paralajmëron LDK-në dhe PDK-në

Politika

“Fushata agresive dhe propaganda e Vetëvendosjes” - analisti paralajmëron LDK-në dhe PDK-në

Nga: A.Morina Më: 3 janar 2021 Në ora: 18:04
Lëvizja Vetëvendosje

Muajt janar dhe shkurt pritet të sjellin shumë zhvillime dhe ndryshime politike në vend. Pasi, gjatë kësaj periudhe kohore pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme dhe të formohet qeveria e re.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme pritet të sjellin shumë befasi, shkaku i ndryshimeve dhe krizave politike që kanë ndodhur kohëve të fundit në vend.

Secili subjekt politik po e konsideron veten si favorit për të fituar zgjedhjet, madje Vetëvendosje shkon shumë larg me deklaratat e saj duke pretenduar se do të marrë 55% të votave.

Njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se zgjedhjet e reja nuk pritet të sjellin ndryshim shumë të madh, shkaku i klimës së instaluar tash e një vit.

“Sipas klimës e cila është e dukshme kohëve të fundit, zgjedhjet nuk është që pritet të sjellin ndonjë  ndryshim sensacional. Nuk besoj që do të kemi befasi në këtë aspekt, partitë opozitare janë në avantazh edhe si pasojë e klimës së instaluar tash e një vit”, tha Duhanaj.

Analisti përmendi fushatën agresive që Vetëvendosje po e bën për mbajtjen e zgjedhjeve, tash e një vit. Duhanaj tha se shoqëria jonë ndikohet nga një qasje e tillë e VV-së, shkaku i papjekurisë në këtë kontekst.

“Në ketë kontekst, duhet po ashtu të merret parasysh se VV është në fushatë agresive në shërbim ekskluziv të zgjedhjeve tash e një vit. Në një shoqëri të emancipuar politikisht, një qasje e tillë nuk do të përkrahej, por tek ne është ndryshe. Shoqëria jonë është e papjekur në ketë kontekst dhe ndikohet shumë nga klima mediatike e krijuar sidomos përmes propagandës dhe lajmeve të pavërteta”, theksoi Duhanaj.

Ai u shpreh se varësisht nga agresiviteti që do të sjellin LDK dhe PDK fushatat elektorale, do të kenë ngritje krahas zgjedhjeve të kaluara. Ndërsa, sa i përket AAK dhe Nisma, Duhanaj tha se do të gjenden në pozicion shumë të vështirë.

“Megjithatë, mendoj që do të varet shumë nga agresiviteti që do të sjellin në fushatë LDK e cila do ta ketë me të vështirë dhe PDK, e cila do të duhej të kishte ngritje më krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Për mendimin tim, pozicion me të vështirë do të kenë AAK dhe Nisma, pasi që do ta kenë të vështirë pozicionimin në partitë të cilat mund të luajnë rol kyç në këto zgjedhje”, nënvizoi Duhanaj.

Në vazhdim, analisti tha se shkaku i pandemisë, subjektet politike kanë dështuar të krijojnë imazhe në favor të tyre.

“Duke pasur parasysh edhe situatën pandemike, konsiderojë  që partitë që kanë dështuar të krijojnë imazh euforik në favorin e tyre, duhet të mobilizohen maksimalisht për të depërtuar tek secili qytetarë, për ndryshe do ta kenë të vështirë”, deklaroi ai.

Për fund, Duhanaj tha se pret të ndodhin ndryshime në skenën politike, shkaku që partitë nuk kanë hapësira të vendosin vija të kuqe, por duhet të bashkëpunojnë me secilin.

“Si përfundim, mendoj që skena politike do të ketë ndryshime e mbi të gjitha në atë që quhet klimë politike, pasi që nuk do ketë hapësirë për politikë të bllokadave, apo vijave të kuqe por do të duhet që secili të punoj me secilin, gjë që do të ndikojë në përmirësimin e klimës politike në vend”, përfundoi Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat