Gjykata Kushtetuese dhe Albin Kurti, profesori paralajmëron kundërshtarët e LVV-së: Nëse Kurti nuk kandidon VV-ja ju dënon!

Politika

Gjykata Kushtetuese dhe Albin Kurti, profesori paralajmëron kundërshtarët e LVV-së: Nëse Kurti nuk kandidon VV-ja ju dënon!

Nga: N.Sh Më: 9 janar 2021 Në ora: 08:49
Albin Kurti

14 shkurti është dita kur në Kosovë do të mbahen zgjedhjet.

Këto zgjedhje të jashtëzakonshme, për herë të parë do të jenë më ndryshe sesa zgjedhjet e tjera që janë mbajtur në të kaluarën.

Kjo për faktin se nuk do të jenë këtu Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjithashtu, në këto zgjedhje një pikëpyetje e madhe është nëse do të mund të marr pjesë edhe lideri i LVV-së, Albin Kurti.

E krejt kjo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Profesor dr. Enver Bytyçi thotë se, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli vendimin e saj, me të cilin deligjitimoi qeverinë Hoti për shkak të votës së gabuar të deputetit Arifi.

Por krahas kësaj, sipas tij, në vendim përcaktohet se askush nga ata që kanë marrë një dënim të formës së prerë për më shumë se një vit heqje lirie në tri vitet e fundit nuk mund të kandidojë për deputet në zgjedhjet parlamentare të radhës.

Image
Prof. Enver Bytyçi

Ai shton se në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese i referohet nenit përkatës kushtetues dhe nuk le asnjë mundësi për diskutim.

“Parimisht është e pamundur që dikush të mbivendosë gjykimin e tij mbi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Edhe delegjitimimi i qeverisë aktuale nuk u ka pëlqyer shumë subjekteve politike dhe qytetarëve, por askush nuk mund ta kontestojë atë. Si i tillë nuk mund të kontestohet edhe vendimi që ndalon të dënuarit të kandidojnë për deputet. Por a është ky vendim i detyrueshëm për Albin Kurtin, të cilit në vitin 2018 i është shqiptuar një vendim i formës së prerë me dënim mbi një vit me kusht? Kjo është e diskutueshme dhe e interpretueshme. Gjykata ka folur për dënime me heqje lirie dhe nuk përmend rastet për dënimet me kusht. Në këtë rast do të jetë në dorën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të lejojnë ose jo kandidimin e zotit Kurti. Nëse Komisioni Qendror e lejon, atëherë ndonjë subjekt politik do të ankohet për rastin konkret në Gjykatën Kushtetuese. Por kjo gjykatë do ta shqyrtojë çështjen pas votimeve, sepse është e pamundur që procedura të realizohet kaq shpejt. Për pasojë Albin Kurti do të dalë deputet, por mund të mos lejohet ta ushtrojë mandatin e tij. Kjo gjë nuk e dëmton as Kurtin, as Vetëvendosjen, sepse zgjedhjet do të kenë mbaruar dhe zotit Kurtit nuk i ndalohet të ushtrojë detyrën e kryeministrit, megjithëse kjo duket si paradoks: Nuk lejohesh të kandidosh për deputet, por lejohesh të jesh kryeministër i vendit”, thotë profesori për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, mundet që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë se dënimet me kusht nuk përfshihen në ligjin kushtetues dhe praktikisht në kushtetutë nuk shprehet kjo.

“Atëherë çdo gjë do të jetë normale dhe pa asnjë problem. Unë mendoj se ky do të ishte arsyetimi më logjik, sepse nuk është njësoj si një i dënuar me burg edhe dikush tjetër i dënuar me kusht. Është si në ato rastet kur dikush paralajmërohet: “Po e përsërite do të dënohesh dyfish”! Për këtë arsye mendoj se kandidimi i zotit Kurti nuk do të jetë objekt i këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese”, pohon profesori.

Sipas tij, nga pikëpamja e stabilitetit politik dhe social çdo pengesë për të ndaluar drejtuesin e subjektit kryesor për të garuar politikisht është i gabuar.

“Janë qytetarët ata që zgjedhin dhe nëse vërtet dënimi për Albin Kurtin u ndikon ata negativisht, qytetarët mund të mos e votojnë atë. Mirëpo duke qenë se dënimi ishte për shkak të qëndrimeve politike, për hedhjen e gazit lotsjellës në parlament, atëherë qytetarët do ta përdorin këtë si motiv për të shtuar votat për Vetëvendosjen. Nga ana tjetër, procedimi penal i Kurtit për aktin e tij në parlamentin e Kosovës ka qenë selektiv, sepse ka pasur edhe deputetë të tjerë asaj periudhe, të cilët kanë ushtruar dhunën e gazit lotsjellës në parlamentin e Kosovës”, thekson ai.

“Unë nuk besoj se moskandidimi i Kurtit e dëmton Lëvizjen Vetëvendosje dhe e pengon atë për të sjellë ndryshimin në Kosovë. Përkundrazi pengesa për këtë do të shërbejë si motiv që qytetarët të reagojnë më me vendosmëri kundër forcave regresive të vjetra dhe të votojnë kundër tyre. Moskandidimi i Kurtit do të rritë predispozicionin e zgjedhësve për të shtuar kuotën e votës kundër, sepse kjo do të interpretohet si përpjekje e partive politike përgjegjëse për dështimet në Kosovë për të mbijetuar me pengesa artificiale. Nëse ndodh që Albin Kurtit t’i ndalohet kandidimi për në zgjedhjet parlamentare, atëherë mund të llogarisim edhe në reagimin e qytetarëve, të cilët nuk do të duan që të mohohet vullneti i tyre. Çdo akt që nxit protesta ose pakënaqësi të gjerë te qytetarët e Kosovës është i dëmshëm dhe i papranueshëm”, thotë Bytyçi.

Ai shton se, nuk e din nëse partitë politike të së shkuarës kanë ndikim te anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, por bën apel që partitë përgjegjëse për qeverisjen e keqe të këtyre 12 viteve duhet të tërhiqen, të reformohen, të rifreskojnë jo vetëm programet, idetë, modelet, por edhe përbërjen e strukturave partiake e mas disa viteve në opozitë të përgatiten të rivijnë në pushtet.

“Në këtë mënyrë ato do t’i bëjnë mirë Kosovës dhe vetes së tyre. Ju them sinqerisht se më e respektuar dhe më shumë vota do të marrë Lidhja Demokratike ose Partia Demokratike, nëse që në nisje të fushatës elektorale u thonë qytetarëve se ato do të mbeten në opozitë, edhe nëse do të merrnin më shumë se partitë opozitare një ose dy deputetë”, përfundon profesor Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat