“LDK fituese e zgjedhjeve”, analisti tregon preferencën për zgjedhjet e 14 shkurtit – ja në cilën pozitë dëshiron ta shohë Vetëvendosjen

Politika

“LDK fituese e zgjedhjeve”, analisti tregon preferencën për zgjedhjet e 14 shkurtit – ja në cilën pozitë dëshiron ta shohë Vetëvendosjen

Nga: G.B Më: 9 janar 2021 Në ora: 16:14
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Këtë vit, 14 shkurti nuk do të jetë vetëm dita e të dashuruarve.

Në këtë 14 shkurt, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë tu drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre, në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen.

E analisti politik, Rexhep Shahu, shpreson që në këto zgjedhje të ketë dashuri, etikë dhe sa më pak urrejtje nga partitë e militantët.

"Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit 2021 në Kosovë në ditën e dashurisë apo në ditën e të dashuruarve, shpresoj të priten me dashuri, me etikë e me më pak urrejtje e shpifje nga partitë e militantët ndaj kundërshtarëve, shpresoj të sjellin më shumë dashuri. Kosova është e bërë, asnjë aktor aktual nuk ka fuqi të bëjë më shumë se sa është bërë, pasi nuk po bëhet tani luftë për ta bërë Kosovën po për ta marrë karrigen e pushtetit", është shprehur ai.

Sipas Shahut, viti që lamë pas ishte një vit i befasishëm për politikën në Kosovë, me rënie dhe ngritje.

Image
Rexhep Shahu

"Viti që iku ishte i befasishëm politikisht në Kosovë. Ngritje dhe rënie politike. Lakmi e llahtarshme e VV për pushtet. Shpifja u bë deri kriminale, nuk ka masë. Falë miqve amerikanë Kosova krijoi ushtri dhe ushtria e saj tani është ftuar të rreshtohet me Gardën amerikanë në misione paqeruajtëse nëpër botë. Kjo është qershi mbi tortë tani sepse Amerika nuk fton ushtri fisesh t'i rreshtojë me gardën e vet kombëtare, por fton ushtrinë e një shteti të pavarur e solid, që ka një ushtri elitare dhe e rreshton me trupat e gardës së saj kombëtare", ka vlerësuar ai.

Sipas tij, të gjithë sot rendin për pushtet dhe më i pangopuri deri tash ishte Thaçi, tani është Albini, ndërsa Osmani i ka konsumuar të gjitha pushtetet, e Avdullah Hoti sipas tij është më fisnik.

"Të gjithë që sot rendin pas pushtetit janë provuar në pushtet. Më i pangopshmi a i pangopuri me pushtet është treguar Hashimi me të tijtë në këto dy dekada, më i urituri e që i dalin sytë për pushtet e që ha edhe gurë e zall si favor pushteti është Albini me të tijtë që rrezik me krijua bord edhe për rrezet e diellit pse e ngrohin Kosovën e me vu njerëzit e tij në borde. Më fisnik e sojli është treguar Avdullah Hoti me të tijtë. Vjosa Osmani i ka sosë punët, ka mbetur pa pushtet, i konsumoi me shpejtësi pushtetet të gjitha dhe tani nuk ka më maje mbi majat e pushtetit por veç rënie. Mendoj se duhet më pak mashtrim, më pak kriminalizim të fjalës", ka theksuar Rexhep Shahu për "Bota sot".

Ai shton se militantët e frymëzuar nga Albini de Vjosa e kanë kriminalizuar aq shumë dhe aq rëndë atmosferën sa të vjen të vjellësh, derisa thotë se Albini nuk ka merita as në luftë e as në paqe, ndërsa Vjosa e ka veç meritën se e ka mbajtur LDK si veshkë mes dhjamit.

"Militantët të frymëzuar nga Albini e Vjosa e kanë kriminalizuar aq shumë dhe aq rëndë atmosferën sa të vjen të vjellësh. Nëse thua një fjalë të vërshojnë sharjet, shpifjet e akuzat nga më bastarde e banale dhe të nxisin tu hysh me rrënjë pastaj dhe tu thuash na i tregoni cilat janë meritat e Albinit në Kosovë veç atyre të shtet rrënimit e shkatërrimit. Ai nuk ka merita as në luftë e as në paqe, veç llafeve që derdh ngado nëpër ekrane e tubime dhe miqësive të dyshimta me ekstremistë apo lidhjeve të ndryshme. Njëjtë edhe Vjosa që ka veç meritën se e ka mbajtur LDK si veshkë mes dhjamit dhe ajo tash do të jetë vetë ajo LDK dhe LDK reale të shkrihet si kripa në ujë me urdhër të saj", ka thënë Shahu.

Ai thotë se në këto zgjedhje duhet të fitojë dashuria dhe të shuhet urrejtja e të liher rehat Rugova, pasi nuk ka të gjallë as të vdekur që ia mohon kontributin për Kosovën.

"Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 do doja të fitonte dashuria. Të shuhet a të pakësohet urrejtja. Të lihet rehat Rugova se nuk ka të gjallë as të vdekur që ia mohon kontributin që ka bërë ai për Kosovën dhe tash nuk është gjallë që t'i përgjigjet askujt, ndaj mos ta shëmtojë askush me pështymë kur flet. Nuk shkruhet me fitua like me Rugovën", ka deklaruar analisti.

Shahu shton se dëshiron që e para të dalë LDK, PDK e dyta, e treta VV, AAK e katërta dhe të gjitha ta bënin bashkë qeverinë.

"Do doja që asnjë parti të mos fitonte e vetme pushtetin në Kosovë. Do doja që e parë të dilte LDK. E dytë të dilte PDK pasi në radhët e saj ka shumë luftëtarë. E treta të dilte VV, e katërta AAK e komandantit real të luftës Ramush Haradinaj. Dhe të gjitha institucionet ti bënin bashkë, të mos ketë asnjëra fuqi të qeverisë e vetme", ka përfunduar Rexhep Shahu për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat