“I vetmi shqiptar që i kërkoi hasmit mos me vra” - profesori paralajmëron fundin e Baton Haxhiut

Politika

“I vetmi shqiptar që i kërkoi hasmit mos me vra” - profesori paralajmëron fundin e Baton Haxhiut

Nga: A.Morina Më: 9 janar 2021 Në ora: 21:37
Baton Haxhiu

Gazetari dhe publicisti, Baton Haxhiu ditë më parë në një emision televiziv e ka cilësuar Albin Kurtin si “politikan aktiv negativ”, shkruan "Bota sot".

Haxhiu  tha se retorika dhe fjalori i Albin Kurtit është i rrezikshëm për ecurinë dhe zhvillimin e Kosovës.

“Kasta e vjetër më nuk ekziston dhe është në opozitë. Eksiton formalisht. Përgatitu që mund të shkosh në veri dhe të luftosh bashkë për VV në veri për të mbrojtur Kosovën, me këtë diskurs dhe me këtë fjalor që ka ai. Unë këtij i kam besim aq sa kam besim tek një pastruese të jetë shefe e mirë”, Haxhiu.

Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar këto deklarata të Baton Haxhiut ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kreut të saj, Albin Kurti.

Image
Profesor, Enver Bytyçi

Bytyçi tha se këto deklarata u bënë në stilin serb të propagandës dhe provokimit të shqiptarëve.

“Prej ditësh Batoni Haxhiu në një emision të Tiranës u deklarua se “duhet të përgatitemi të shkojmë në Veri të luftojmë për Vetëvendosjen, kur Kurti të vijë në pushtet”! Kjo deklaratë e Baton Haxhiut nuk është e para dhe e vetmja prej diversioneve që ai bën në stilin serb të propagandës dhe të provokimit të shqiptarëve”, u shpreh Bytyçi.

Profesori përmendi edhe kohën kur Haxhiu kërkonte të ndryshohej vija kufitare dhe të shkëmbehen territoret e Kosovës me Serbinë, kështu duke ia dhënë veriun e Kosovës, shtetit serb.

“Ai u deklarua para disa muajsh, para se sa presidenti Hashim Thaçi të shkonte në Hagë, se “Me Serbinë duhet të merremi vesh për disa çështje: Të përcaktojmë vijën kufitare duke shkëmbyer territoret dhe ndryshuar kufijtë, pra duke i dhënë Serbisë veriun e Kosovës. Të mos kërkojmë dëmshpërblime për krimet e luftës, sepse nuk ka çka kërkohet tash pas 20 vjetesh. Dhe të arrihet marrëveshje me Beogradin që ta shkrijmë Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë”!”, theksoi Bytyçi.

Në vazhdim, ai tha se deklarata e Haxhiut: “Nëse ju votoni Vetëvendosjen, atëherë do të duhet të shkoni të luftoni në veri për llogari të Kurtit”, ka për qëllim të i trembë votuesit e Vetëvendosjes dhe Kurtit. Profesori tha se Batoni po tenton të përcjellë idetë dhe tematikat provokuese të Beogradit në Kosovë.

“Këto tri propozime të tij i përsëriti asokohe edhe pas pyetjes së një kolegu të tij në panel: “Si, si?” Më përpara në ekranet televizive Batoni me shkop tregues na tregonte së ku do të ishte vija e re kufitare me Serbinë, pas ndarjes së Kosovës. Ndërsa kërcënon qytetarët e Kosovës, duke u thënë se “Nëse ju votoni Vetëvendosjen, atëherë do të duhet të shkoni të luftoni në veri për llogari të Kurtit”. Kjo deklaratë synon dy objektiva: Së pari të trembë votuesit e Kosovës me “gogolin” Vetëvendosje dhe Albin. Sipas tij, vota për Vetëvendosjen “është votë për luftë”! Sigurisht që Batoni e di se për t’u ndarë me Serbinë nuk ka nevojë dhe as që do të ndodhë ndonjë luftë tjetër. Por ai ka vendosur që të përçojë në opinionin shqiptar deri në fund idetë, versionet dhe tematikat e provokimeve të Beogradit. Batoni thjesht bën lojën e diversionti serb në opinionin publik në Kosovë, në Shqipëri e kudo ku jetojnë shqiptarët”, nënvizoi Bytyçi.

Profesori tha se ky mision i Baton Haxhiut ekziston që para lutjes së tij ndaj Stanishiqit për ndaljen e luftës së Serbisë në Kosovë. Ai tha se Haxhiu është i  vetmi shqiptar që iu ka lutur hasmit mos me vra.

“Ky mision i tij është në kontinuitet para dhe pas kohës që kur iu lut Stanishiqit që “Serbia të mos bëjë luftë në Kosovë”! Edhe Rugova ishte kundër luftës në Kosovë, por nuk iu lut asnjëherë Serbisë të mos e ushtronte dhunën në Kosovë, thjesht e denoncoi dhunën serbe kundër shqiptarëve. I vetmi ndër shqiptarët është Baton Haxhiu që i thotë “hasmit mos me vra” dhe në emër të kësaj frike u bën thirrje shqiptarëve të pranojnë që ta shpërblejnë Beogradin me territoret e Kosovës. Pra objektivi i dytë i tij është ta vazhdojë përpjekjen e bashkërenduar të tij me Aleksandër Vuçiqin, Edi Ramën dhe Hashim Thaçin për ndarjen e territorit të vendit”, tha Bytyçi.

Profesori Bytyçi shtoi se Batoni po ka frikë nga klasa e re politike në Kosovë, pasi kjo e fundit nuk do ta pranoj assesi ndarjen e Kosovës dhe  do të i ndryshojë kompromiset e shkuara të politikanëve.

“Mesazhi i tij përmes asaj deklarate është se “Nëse ju votoni politikanët e rinj, të cilët duan ta fshijnë nga politika e qeverisja korrupsionin dhe krimin e organizuar, atëherë, thotë Batoni, përgatituni për luftë me Serbinë”. Pse? Sepse politika e re e votuar nuk do të pranojë ndarjen e Kosovës. Për pasojë Serbia do të dërgojë forca ushtarake për aneksimin e veriut. Dhe në këto kushte opozita dhe politika e re e ndryshimit do të “prishë statuskuonë”, d.m.th do të ndryshojë qëndrimet e kompromisit që i kishin përfaqësuesit politikë të së shkuarës! Në çdo deklaratë të Baton Haxhiut gjen një provokim të hapur ose nuance të qëndrimeve antishqiptare të tij”, theksoi ai, përcjell "Bota sot".

Bytyçi tha se se në çdo deklaratë të Haxhiut dallohet mbrojtja që ai ia bën interesave të Serbisë. Këtë e mbështeti në iniciativën e minishengenit për ta bërë shtetin serb lider në rajon. Duke shtuar se Haxhiu po tenton ta rikthej sovranitetin e Beogradit në Kosovë.

“Në çdo akt të tij lexohet mbrojtja që ai u bën interesave të Serbisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e gjetkë në rajon. E tillë është iniciativa për minishengenin p.sh. me të cilën Serbia merr rolin e lidershipit në rajon. Pikërisht këtë synim ka Baton Haxhiu në çdo rast, kur kërkon që t’i bëjë shqiptarët t’i nënshtrohen vullnetit të Beogradit me qëllim që të përhapë frikë e panik e më pas t’i detyrojë ata të ulin kurrizin përballë presionit serb. Baton Haxhiu i është bashkuar çdo strategjie dhe taktike serbe për të rikthyer sovranitetin e Beogradit në Kosovë”, tha Bytyçi.

Në fund, profesori përmendi kohën kur shkaku i frikës, Batoni inskenoi skenarin e vrasjes së tij. Madje tha se serbofilët si lloji i Haxhiu pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk do të gjejnë vrimë ku të fshihen.

“Në kohën e luftës u tremb për disa kohë, aq sa e detyroi shërbimin sekret serb të projektojë skenarin e vrasjes së tij e publikimin e lajmit përmes DW në gjuhën serbe. Por me përkrahjen që ai siguroi nga ana e Thaçit dhe e Ramës, ka marrë një revansh të pandalshëm. Kjo është një arsye më shumë pse në Kosovë duhet të ndodhë ndryshimi. Serbofilët si Batoni nuk duhet të gjejnë vrimë ku të futen pas 14 shkurtit. Prandaj nevojitet që të votohen Vjosa Osmani dhe Vetëvendosje, madje me një shumicë më shumë se absolute, që qeverisja e re të mos varet as nga Lista Srpska, as nga Lista PDK, as nga Lista LDK e Isa Mustafës!”, përfundoi profesor Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat