“Kurti nuk mund të kandidojë për kryeministër”, të ndërpritet praktika e personave të dënuar që të jenë në krye të Kosovës

Politika

“Kurti nuk mund të kandidojë për kryeministër”, të ndërpritet praktika e personave të dënuar që të jenë në krye të Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 janar 2021 Në ora: 08:19
Albin Kurti

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ditë më parë ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Pas këtij vendimi të plotë, aty sqarohet edhe nëse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mund të garojë në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 shkurt.

Vendimi thotë se “në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetutës.

Përkundër, këtij neni, nga partia e Kurtit shprehen të bindur se lideri i tyre mund të kandidojë edhe si deputet, si dhe mund të vije edhe në krye të ekzekutivit.

Njohësit e çështjeve juridike janë të mendimit se në bazë të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, aty sqarohet se nuk mund të kandidojë askush i cili në tre vitet e fundit ka bërë vepër penale dhe ka aktgjykim të formës së prerë.

Ndërsa, nga ana tjetër, njohësi e politikës shprehen se duhet të ndërpritet praktika e personave të dënuar që të jenë në krye të institucioneve të larta shtetërore, siç ishte më herët në Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinaj, njerëz me dosje të trasha të veprimtarisë inkriminuese.

Profesori: Gjykata Kushtetuese dëshiron të tregojë mbisundimin

Profesori i së Drejtës, Muhamet Kelmendi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka shpjeguar në detaje vendimin e Kushtetueses lidhur me Qeverinë Hoti dhe për kandidimin e Kurtit për kryeministër.

Ai është i mendimit se lidhur me këtë çështje, dalin dy çështje shumë domethënëse për politikën e Kosovës.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në kuadër të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të shpallur zyrtarisht dalin dy çështje shumë domethënëse për politikën e Kosovës, të cilat në aspektin juridik, futen në gabime të rëndë të kësaj gjykate. Së pari, ka të bëjë, pas anulimin e vendimit të dal nga Kuvendi për Qeverinë Hoti, mbi bazën e nenit 70, paragrafi 3, pika 6 të Kushtetutës, pasi që deputeti ka qenë i dënuar mbi një vit burg të formës së prerë. Ky anulim është i drejtë. Nuk ka bazë juridike pjesa tjetër, ku në vend që sipas të njëjtit nen, paragrafit 4 të kësaj kushtetute të bëhet zëvendësimi i vendit të deputetit të përjashtuar, me një deputet tjetër nga lista e njëjtë, nuk bëhet”, thotë Kelmendi.

Profesori shpjegon se në paragrafin 3, pika 6 të Kushtetutës qëndron se, ‘Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlershëm (...), nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për një ose më shumë vjet me burg’.

“Gjykata shkon dhe urdhëron zgjedhjet. Së dyti, në asnjë nen kushtetues nuk qëndron se kandidatet për deputet a për ndonjë pozite shtetërore përjashtohen pse kanë qenë të dënuar me kusht. Në paragrafin 3, pika 6 të Kushtetutës qëndron: ‘Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlershëm (...), nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për një ose më shumë vjet me burg’. Këtu shihet se thuhet në Kushtetute taksativisht ‘me nxjerr më shumë vjet burgim’. Nuk thuhet me kusht. Në interpretim juridik qëndron fakti se nëse një njeri është dënuar me një vit burg, por i cili iu ka kthyer me kusht, nuk ka të drejtë të konkurron”, tha ai.

Gjithë këtë proces, Kelmendi e konsideron si të rëndë, që nuk lejohet zëvendësimi i deputetit nga lista e njëjtë dhe procedurën juridike të zgjedhjes së re të një qeverie, pa shkuar në zgjedhje.

“Pra, kemi një interpretim juridiko-logjik të nenit kushtetues. Natyrisht se gjykata në rastet e tilla ka të drejtë në interpretimin e normave kushtetuese, por jo në kundërshtim me frymën e sistemit të rregulluar me Kushtetutë. Këtej kemi një situatë të rëndë. Në rastin e parë, gjykata futet në punën e Kuvendit, gjë që nuk ka të drejtë dhe ia ndalon zëvendësimin e deputetit të përjashtuar me deputet tjetër, sipas Kushtetutës. Dhe, edhe me rëndë nuk lejon zëvendësimin e deputetit nga lista e njëjtë dhe procedurën juridike të zgjedhjes së re të një qeverie, pa shkuar në zgjedhje. Ndërsa, në rastin tjetër, bënë interpretim juridiko-logjik, në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe ndalon konkurrimin për deputet dhe për qeveri. Pra, kemi këtu një kundërthënie të pakuptimtë dhe aspak te mbështetur në ligj”, ka shtuar njohësi i çështjeve juridike.

Kelmendi ka theksuar se Kushtetuesja po dëshiron të tregojë mbisundimin, që në fakt, sipas tij, është antikushtetuese dhe puqë ndaj organeve të dala nga votat e qytetarëve.

“Duket se Gjykata Kushtetuese donë për të treguar mbisundimin, që në fakt është antikushtetuese dhe puqë ndaj organeve të dala nga votat e qytetarëve. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i kanë përzier dy çështje: 1. Deputetët dalin nga vota e qytetarëve dhe për çdo njërin deputet kanë votuar mbi 6 a 7 mijë votues dhe 2. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë dalë nga vota e Kuvendit mbi bazën e pazarllëqeve ndërpartiake. Por, kjo s’ka rëndësi juridike. Pse? Sepse pazarllëqet dihen, por në aspektin juridik, nuk vlerësohen pa masa konkrete gjyqësore. Kanë dalë,pra, gjyqtarët nga Kuvendi. Në këtë kuadër mbetet respektimi i verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Këtu e kemi instancën e fundit dhe diku çështja duhet të përfundojë”, tha profesori i së Drejtës, Muhamet Kelmendi.

Jurtisti: Me këtë vendim, Kurti nuk mund të kandidojë!

Kurse, juristi Blerim Burjani, është i mendimit se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk mund të kandidojë për postin e kryeministrit.

Burjani shpjegon se, sipas vendimit të fundit të Kushtetueses, asnjë person i dënuar në tre vite e fundit nuk ka të drejtë të kandidojë.

Image
Blerim Burjani

“Në baze të vendimit të Gjykatës nuk mund të kandidojë jo Albin Kurti, por askush që në tre vitet e fundit ka bërë vepër penale dhe ka aktgjykim të formës së prerë. Tash e vërteta e këtij aktgjykimi është ky. Shpresoj që Lëvizja Vetëvendosje të mos krijojë trazira në KQZ kur të ndodhë certifikimi i kandidateve për deputet”, ka thënë juristi Burjani.

Tutje, Burjani ka shtuar se sqarimet e Gjykatës Kushtetuese janë shumë të qarta prej fillimit.

“Të gjithë partitë kanë probleme të kësaj natyre dikush me pak e dikush më shumë, tash e vërteta është kjo që është Gjykata ka një verdikt dhe kjo stopon të gjithë të dënuarit. Sqarimet janë shumë të qarta nga Gjykata prej fillimit. Tash ka individ që mendojnë përmes fjalorit gjysmë profesional e gjysmë politik e më shume politik që këta persona kanë të drejte të kandidohen, një është e qartë me këtë vendim të gjykatës asnjë funksion s’munden këta persona ta mbajnë sepse janë të penalizuar dhe këtu përfundon edhe sqarimi i im” është shprehur juristi Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Haziri: Kurti si i dënuar nuk do të duhej të kandidonte për kryeministër

Ndërsa, nga ana tjetër, analisti politik, Nexhat Haziri, është i mendimit se kreu i Vetëvendosjes, edhe në aspektin moral si i dënuar nuk do të duhej të kandidonte për kryeministër, pasi kjo, do e dëmton demokracinë në vend.

Image
Nexhat Haziri

“Mendoj se në këtë aspekt duhet të qartësohet KQZ-ja në bazë të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, për të mos lejuar standarde të dyfishta pamarrë parasysh presionit në rritje nga fallangistët majtistë. Në aspektin moral Kurti si i dënuar nuk do të duhej të kandidonte për kryeministër, pasi kjo dëmton demokracinë në vend dhe funksionimin institucioneve me një legjitimitet të kontestuar ne aspektin juridik, por edhe imazhin e vendit në rrafshin ndërkombëtar”, ka deklaruar Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri, konsideron se duhet të ndërpritet përfundimisht praktika e personave të dënuar që të jenë në krye të shtetit të Kosovës.

“Duhet të ndërpritet praktika e personave të dënuar që të jenë në krye të institucioneve të larta shtetërore, siç ishte më herët në Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinaj, njerëz me dosje të trasha të veprimtarisë inkriminuese, pra kjo duhet të vlejë edhe për Albin Kurtin, pamarre parasysh se dallon vepra për të cilën është dënuar kreu i LVV-së nga të parët, ku dy prej tyre janë në procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat