“Sulmet” ndaj LDK-së, alarmi i fundit për partinë e Isa Mustafës! A do t’i fitojë kjo parti zgjedhjet parlamentare?

Politika

“Sulmet” ndaj LDK-së, alarmi i fundit për partinë e Isa Mustafës! A do t’i fitojë kjo parti zgjedhjet parlamentare?

Nga: N. H Më: 10 janar 2021 Në ora: 13:04
Lidhja Demokratike e Kosovës

Edhe pse ende nuk ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, partitë politike tashmë kanë filluar aktivitetet e tyre në teren.

Ndërsa, nga “fushata para fushatës” nuk po mungojnë akuzat dhe kundërakuzat në drejtim të subjekteve politike.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës po thonë se kohëve të fundit partia e tyre është kthyer në një tabelë qitjeje nga të gjitha anët.

E, për të folur për këtë çështje, “Bota sot”, ka biseduar me Fatmir Bajrajn.

Veprimtari i hershëm i LDK-së, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se “sulmet” e fundit ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë të denigruese dhe linçuese, me të vetmin qëllim, për ta dëmtuar këtë parti në këto zgjedhje.

“Sulmet e orkestruara intimiduese, denigruese dhe linçuese ndaj anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë të pritura dhe aspak befasuese për LDK-në, ngase këto nuk janë të izoluara, por vazhdimësi me të cilën LDK-ja është përballë që nga koha e presidentit Rugova dhe deri me tani, duke qenë cak i sulmeve gjithmonë dhe në kontinuitet, ajka dhe elita e saj në krye të strukturave përfaqësuese deri në ldership. Pra, LDK-ja, goditet në krye dhe jo në bisht, dhe kjo ndodhë gjithmonë dhe pandalshëm, për ta dobësuar si subjekt dhe për ta përçarë dhe fragmentarizuar atë, duke qenë objekt i sulmeve dhe target i linçit publik dhe politik, ndihmuar edhe nga mediat e kapura dhe kazani mediatik, për çfarë LDK është e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme”, ka deklaruar Bajraj.

Sipas veprimtarit të LDK-së, sulmet e fundit ndaj anëtarëve të këtij subjekti, po bëhen edhe për faktin se këta nuk iu bashkun iniciativës së Vjosa Osmanit, por vendosën të mbesin besnik të LDK-së dhe ideologjisë djathtiste të saj.

Image
Fatmir Bajraj

“Pra, i gjithë ky mllef dhe shfryrje pezmi mbi anëtarët e këtij subjekti është rezultat i pakënaqësisë se tyre, pasi nuk i’u bashkëngjitën zonjës Osmani dhe të dëmtohej LDK-ja edhe me shumë, por mbetën besnik të LDK-së dhe ideologjisë djathtiste të saj, ku platformë politike ka orientimin pro-perëndimor dhe ruajtjen dhe kultivimin e miqësisë permanente me SHBA-të si partner jetik dhe strategjik për Kosovën dhe shqiptaret”, shprehet ai.

Bajraj ka përmendur kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, ministrat Besian Mustafa, Hykmete Bajrami dhe të tjerë, si emra me të cilët me të cilat duhet të krenohet vendi, dhe jo vetëm LDK-ja.

Ndërsa, ka theksuar se Qeverisja Hoti ishte brilante në një kohë të rëndë të pandemisë globale me Covid-19, ani pse tashmë është kthye në tabelë qitjeje nga të gjitha anët.

“Ky brez i ri në LDK, gra dhe burra, janë të një moshe të lakmuar, të pajisur me dije, energji dhe invencion, janë shpresa e LDK-së, dhe e Dardanisë antike-Kosovës, janë garanci e suksesit për vendin në kontekstin e proceseve integruese dhe zhvillimore. Dr. Avdullah Hoti, akademik Kujtim Shala, zonja, Dr. Hykmete Bajrami, Lirije Kajtazi, Marigona Geci, akademik Frashër Demaj, Driton Selmanaj, Lumir Abdixhiku, Besa Gaxherri, Arben Gashi, Doruntinë Maloku e Besian Mustafa, janë disa nga emrat e përveçëm të brezit-bartës të proceseve demokratike në LDK dhe në politiken e vendit, kuadro këto me të cilat duhet të krenohet vendi dhe jo vetëm LDK-ja. Edhe tani dhe gjithë ditën, fushata e orkestruar politike dhe jo vetëm, është e orientuar kundër LDK-së, dhe qeverisjes së saj brilante në një kohë të rëndë të pandemisë globale me Covid-19, ku kryeministri Hoti dhe LDK-ja, është kthye në tabelë qitjeje nga të gjitha anët dhe krahët e politikes destruktive dhe mendësisë autoritare për vetëm një grusht vota dhe pushtet”, tha Bajraj.

Krejt në fund, Bajraj, potencon se përkundër fushatës dhe luftës që po bëhet ndaj këtij subjekti, ai konsideron se kjo parti do të ruaj substancën elektorale dhe do garojë për t’i fituar zgjedhjet parlamentare.

“LDK, nuk është dinosaur i politikes nacionale, përkundrazi; është aset politik krucial, njësojë sikur dje, sot dhe do të jetë edhe qeser pamëdyshje, pa të cilën nuk shkruhet historia e Kosovës dhe është një vlerë e cila i duhet Kosovës doemosdoshmerisht. LDK, me gratë dhe burrat që ka, do të ruaj konsistencën, kultivojë dhe artikulojë kulturën dhe filozofinë e urtë politike Rugoviane në shërbim të projektit nacional; Kosova shtet sovran dhe demokratik me orientim euro-perëndimor dhe demokraci bashkohore. LDK, përkundër fushatës se egër kundër saj dhe sondazheve të fyera e të sajuara të industrisë së rrjeteve sociale, do ruaj substancën elektorale dhe do garojë për t’i fituar zgjedhjet parlamentare, ngase ka kapacitete dhe potencial të jashtëzakonshëm, vlera këto unike që bëjnë diferencën me subjektet tjera politike”, tha në fund, veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat