Ish bashkëthemeluesi i LDK-së në Rahovec e konfirmon për “Bota sot” se do të kalojë te Vjosa Osmani

Politika

Ish bashkëthemeluesi i LDK-së në Rahovec e konfirmon për “Bota sot” se do të kalojë te Vjosa Osmani

Nga: D.RR Më: 10 janar 2021 Në ora: 18:59
Vjosa Osmani

Njëri ndër themeluesit e LDK-së në Rahovec dhe aktivist për shumë vite i kësaj partie, Shaip Shala, tanimë edhe zyrtarisht ka braktisur Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai në një përgjigje për gazetën “Bota sot” e ka konfirmuar se do t’i bashkangjitet Vjosa Osmanit, pasi sipas tij, ajo ka treguar se asnjëherë nuk ka vepruar kundër votës së popullit dhe për interesa personale.

Shala ka kritika edhe për kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, për të cilin thotë se asnjëherë nuk ka qenë rugovist.

“I zhgënjyer dhe i mllefosur tej mase me strukturën politike në Lidhjen Demokratike të sotme, ku nuk ka mbetur asgjë nga fjala demokraci, ku vendimet po merren në mënyrë arbitrare dhe autoritare nga Isa Mustafa, do i bashkohem Iniciativës Qytetare të Vjosa Osmanit, e cila ka treguar se asnjëherë nuk ka vepruar kundër votës së popullit dhe për interesa personale. Deklaratën e Isa Mustafës se ata që largohen nga LDK-ja nuk kanë qenë kurrë aty dhe nuk janë mishëruar me subjektin politik i cilësoj si nebuloze, duke ditur se Mustafa asnjëherë nuk ka qenë rugovist, dhe dihet fort mirë se në krye të partisë ka ardhur me dallavere, shantazhe dhe me metoda të pandershme”, ka thënë ai.

Shala thotë se nuk mund të jetë në vijë me një lider që punon për interesa personale, teksa uron që LDK-ja të reformohet.

“Nuk mundem të jem në vijën e një lideri mashtrues i votuesve, injorant, hipokrit, servil dhe vetëm për interesa personale, dhe i cili në stilin e Millosheviqit i qëron hesapet me ata që mendojnë ndryshe. Si bashkëthemelues i LDK-së në Rahovec, uroj që ky subjekt politik të reformohet, por pa Isën, Agimin, Skenderin, të cilit dita ditës po shkojnë drejt katandisjes më të thellë. Por skeptik jam se reforma do të vie shpejt derisa janë aty “ dinosaurusa” të cilit nuk brengosen fare për LDK-në e Ibrahim Rugovës”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat