Nasim Haradinaj shfrytëzoi të drejtën e tij në Speciale

Politika

Nasim Haradinaj shfrytëzoi të drejtën e tij në Speciale

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 janar 2021 Në ora: 16:59
Nasim Haradinaj

Gjatë ditës së premte, kryetari dhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, kanë dalur sërish para Gjykatës Speciale.

Haradinaj dhe Gucati janë arrestuar në fund të shtatorit të vitit të shkuar.

Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Gucatit dhe Haradinajt për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Ata u akuzuan për frikësim të dëshmitarëve të Gjykatës, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Mirëpo ajo se çfarë mori vëmendjen në këtë seancë, ishte mungesa e Haradinajt.

Avokati i tij tha se Haradinaj nuk dëshiron të marrë pjesë mbi bazën e protestës për mënyrën se si është trajtuar.

Avokati i Haradinajt ka sqaruar mungesën e tij Haradinajt, e cila erdhi si rezultat i mos trajtimit të duhur nga ana e Speciales.

“Ne e kemi paraqitur me shkrim se pse zoti Haradinaj nuk ka pranuar të paraqitet, ai më ka thënë se nuk dëshiron të marrë pjesë mbi bazën e protestës për mënyrën si është trajtuar dhe që të bëhet një deklarim pafajësie në emër të tij dhe më ka thënë mua që të marrë pjesë në këtë seancë”, tha mbrojtja.

Në këtë seancë Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që gjykimi ndaj krerëve të OVL-UÇK të fillojë në pranverën e këtij viti, por mbrojtja ka kërkuar më shumë kohë.

Ndër të tjera, ZPS-ja ka deklaruar që ka 10 dëshmitarë kundër Haradinajt dhe Gucatit.

Në lidhje me këtë “Bota sot” ka kontaktuar me njohësit e çështjeve juridike, të cilët u shprehën që është e drejtë e Haradinajt të gjykohet edhe me mos pranin e tij mirëpo nuk arsyetojnë këtë veprim të tij.

Klinaku: Nuk ia jep mbrojtjes materialet, sepse është thjesht prokurori politike

Image
Faton Klinaku

Pas kësaj seance, ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku.

Klinaku mbështeti refuzimin e Nasim Haradinajt për pjesëmarrjen në seancë, ai komentoi edhe vendimin e Prokurorit Special për mos dhënien e materialeve të nxjerra nga OVL.

"Nuk ia jep mbrojtjes materialet, sepse është thjesht prokurori politike", shkroi Klinaku në facebook, përcjell "Bota sot".

Gjithashtu Klinaku arsyeton mungesën e Haradinajt duke u shprehur që ka bërë shumë mirë që nuk është paraqitur.

Burjani: Është e drejtë e Haradinajt të gjykohet pa praninë e tij

Image
Blerim Burjani

Në lidhje me këtë temë, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot” u shpreh që mungesa e Haradinajt është një çështje e mbrojtjes së tij dhe avokatit, pra ai mund të zgjedh se si dëshiron të mbrohet me apo pa praninë e tij, mirëpo që nuk ka ndodhë më herët të ketë mungesë të llojit të tillë.

“Është çështje e mbrojtjes së tij, pra avokatit, ai e kërkon ose mund të gjykohet pa praninë që deri më tash nuk ka ndodhë që të ketë në gjykim mungesë. Nëse ka probleme tjera seanca shtyhet por kjo duket e çuditshme”, u shpreh Burjani.

Ai më tej, thotë që tashmë përfaqësimi mund të bëhet në mungesë të tij pra vetëm me avokatin e Haradinajt.

“Tash përfaqësimi mund të ndodhë përmes avokatit mbrojtës por pa prani të tij ose avokatit i bjen gjykim në mungesë”, u shpreh Burjani për "Bota sot".

Kelmendi: Mos prania e Haradinajt është e drejtë e tij

Image
Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që Specialja nuk po e bën punën e mbështetur në norma juridike sepse është e koncetruar në zhvillimet politike dhe propagandë.

Kelmendi më tej thotë që serioziteti I Speciales u pa në momentin që u arrestuan Gucati dhe Haradinaj e që ky i fundi që në paraqitjen e parë ka deklaruar që nuk e njeh Gjykatën Speciale.

“Gjykata Speciale po e vazhdon punën aspak të mbështetur në norma juridike. Ajo tërë çështjen e ka koncentruar në zhvillimet politike dhe në propagandë. Këtej dhe për të treguar seriozitetin si Gjykatë u kapen dhe u arrestuan z.Gucati dhe z. Haradinaj. Akuzat ishin të drejtuara në anën e pengesave që po i bëjnë Gjykatës Speciale nga pozitat në OVL të UÇK-së. Duhet thënë se z. Haradinaj deklaroi në Gjykatë, që në paraqitjen e parë, se nuk e njeh Gjykatën Speciale dhe se këndejmi nuk dëshiron fare të merr pjesë”, u shpreh Kelmendi.

Në fund Kelmendi thotë që është vullnet I të akuzuarit nëse dëshiron apo jo të marr pjesë në seancat gjyqësore, sepse ka raste kur edhe pse merr pjesë I akuzuari nuk përgjigjet në asnjë pyetje.

Gjykata do të paraqes provat që i ka dhe dëshmitë dhe në mungesë të të akuzuarit do të shpallë aktgjyimin, shton më tej Kelmendi.

“Nga deklarata e z. Haradinaj vërehet se ky nuk e njeh Gjykatën dhe se nuk dëshiron të merr pjesë në gjykim. Ky është vullnet i çdo të akuzuari dhe natyrisht se nuk mund të ndalet askush nga mospjesëmarrja nëpër seanca gjyqësore. Ka raste që vetëm fizikisht është prezente i akuzuari dhe nuk përgjigjet në pyetje etj. Z. Haradinaj nuk e njeh këtë Gjykatë dhe si të tillë e kundërshton dhe nuk merr pjesë në shqyrtimet kryesore. Tash a merr apo jo pjesë për Gjykatën fare nuk ka rëndësi. Gjykata do të paraqes provat që i ka dhe dëshmitë dhe në mungesë të të akuzuarit do të shpallë aktgjyimin. Kështu edhe do të vepron”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat