Hoti paralajmëron Serbinë me reciprocitet, analistët e mirëpresin këtë

Politika

Hoti paralajmëron Serbinë me reciprocitet, analistët e mirëpresin këtë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 janar 2021 Në ora: 10:35
Avdullah Hoti

Kosova dhe Serbia mbetët ende një temë e pazgjidhur e cila po vazhdon të diskutohet ndër vite.

Të dy shtetet edhe pse po vazhdojnë dialogun nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që të dakordohen dhe të arrijnë një marrëveshje mes veti.

Tensionet mes të dy shteteve vazhdojnë të jenë prezente edhe nëse ndërmjetësues mes tyre janë akterët ndërkombëtar.

Në prill të vitit të kaluar Kosova në krye me qeverinë Kurti hoqi tarifën 100% ndaj mallrave serbe e vendosi reciprocitet tregtar, kjo qeveri tha se ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor kur do të bëhet një vlerësim i gjithëmbarshëm.

Mirëpo jo gjithçka shkoi ashtu siç planifikoi Kurti pasi që me një mocion të mosbesimit kjo qeveri u rrëzua duke kaluar kështu në krye të vendit qeveria Hoti.

Me ardhjen e qeverisë Hoti filluan të ndryshojnë disa vendime e njëra ndër to është edhe reciprociteti i qeverisë Kurti që i vendosi shtetit të Serbisë.

Ishte muaji qershor kur qeveria Hoti vendosi të shfuqizojë vendimin për reciprocitet ndaj Serbisë, shkruan “Bota sot”.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm, duke i hequr pengesat për procesin e dialogut, në përputhje me zotimet që kemi dhënë para partnerëve tanë ndërkombëtar. Tani presim që të njëjtën gjë ta shohim nga pala serbe”, tha Hoti.

Kryeministri Hoti shtoi se shfuqizimi i masave të reciprocitetit është bërë për një kohë të arsyeshme, dhe nëse nuk do të ketë një datë të shpejte se kur do të rinise dialogu, atëherë reciprociteti me Serbinë mund të kthehet.

Kështu edhe ndodhi sepse gjatë ditës së djeshme kryeministri Hoti në një konferencë për media ka paralajmëruar dje rikthimin e reciprocitetit me Serbinë, shfuqizimi i të cilit ishte një nga vendimet e para të tij kur erdhi në krye të Qeverisë.

“Kur e kemi filluar procesin e dialogut, në javët e para kur unë e kam marrë Qeverinë i kemi heq masat e reciprocitetit dhe e kemi shfuqizuar vendimin për tarifën dhe çfarë ka qenë më herët, që i ka hapur rrugë procesit të dialogut. Kjo është bërë me një afat të caktuar kohor, për disa muaj, dhe sapo ky proces të vije në përfundim, ose procesi mbaron me njohje reciproke, ose ne i zbatojmë të gjitha masat e reciprocitetit, pa përjashtim”, u shpreh Hoti për media.

Shahu: Nëse Hoti vendos rikthimin e reciprocitet atëherë ajo është në të mirën e Kosovës

Analisti politik, Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që vendosja e rikthimit të reciprocitet ndoshta shihet si domosdoshmëri dhe nuk është turp të rikthehet.

Image
Rexhep Shahu

Shahu thotë që nëse Hoti e ka larguar herën e kaluar atëherë ka qenë i asistuar nga ndërkombëtarët dhe nëse vendos ta rikthej do të jetë për të mirën e vendit.

“Askush nuk mund të thotë se është i pandryshueshëm, gjithkush ka të drejtë të ndryshojë në rrethana e për konjuktura të ndryshme. Vendosja apo rikthimi i reciprocitetit mbase shihet si domosdoshmëri tani dhe pse e ka heqë Hoti nuk është turp ta vendosë sërish. Ai është asistuar nga ndërkombëtarët në ato momente kur e ka heqë dhe në të mirë të Kosovës do të jetë vendosja e reciprocitetit, meqenëse pala serbe nuk njeh asnjë kriter në bisedime por sheh veç interesat e veta”, u shpreh Shahu.

Më tej, Shahu shton që shteti i Serbisë është i humbur dhe se do të pajtohet me fatin e saj që Kosova është shtet i saj fqinj.

“Vërtetë Serbia është e humbur dhe e mundur, por tani nuk do të qajmë të gjithë me e për Serbinë, ajo duhet të pajtohet me fatin e saj, me Kosovën shtet fqinj. Çdo vendim që tregon seriozitet të shtetit të Kosovës është i mirëpritur nga Hoti dhe cilido tjetër”, përfundoi Shahu për “Bota sot”.

Duhanaj: Reciprociteti është gjëja me normale që duhet kultivohet në marrëdhëniet bilaterale ndërshtetërore

Njohësi i çështjeve politike Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që ideja e zëvendësimit të taksës 100% ishte ide fillestare e LDK-së e cila me pas u integrua edhe nga VV përgjatë negociatave që patën për koalicion parazgjedhorë.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj më tej kritikon Kurtin i cili në mandatin e tij tha që do ta hiqte taksën edhe reciprocitetin në bazë të kërkesave të ndërkombëtareve por që të gjitha premtimet e tij mbaruan kur ajo u rrëzua. Pastaj kur LDK hoqi reciprocitetin ndikoi që marrëdhëniet me Serbinë të normalizohen.

“Vetë ideja e zëvendësimit të taksës 100% me reciprocitetin ishte ide fillestare e LDK-së e cila me pas u integrua edhe nga VV përgjatë negociatave që patën për koalicion parazgjedhorë. Pra, kjo ide u pranua nga të dyja palët si mjet për të arsyetuar heqjen e taksës 100 %. Mirëpo, çfarë ndodhi me vonë? Me ardhjen e Kurtit në krye të qeverisjes, ai i dha premtimet se do ta hiqte edhe taksen, edhe reciprocitetin në bazë të kërkesave ndërkombëtare. Problemi pse Kurti u konfrontua me emisarin Grenell, ishte jo tek mohimi për heqjen e reciprocitetit, por tek mënyra e zvarritjes së vendimeve. Z. Kurti, duke nënvlerësuar situatën dhe partnerët në bisedime, mendoj që mund t'i thej premtimet duke i zvarritur. Madje edhe kishte caktuar datat fikse por që tashme ishte thyer besimi që rezultoi me prishje dhe rënie të qeverisë. LDK me pastaj e hoqi reciprocitetin dhe ndikoi që klima të normalizohet. Ndoshta ka qenë hezitimi i gjatë për heqjen e taksës edhe problemi kyç që ndikoi që me vonë të na shtyejnë ta heqim edhe reciprocitetin si shenjë të vullnetit të mirë për dialog”, u shpreh Duhanaj.

Në fund, Duhanaj thotë që kërkesa në veti ishte absurde pasiqë reciprociteti është nëj gjë normale për tu kultivuar marrëdhëniet bilaterale ndërshtetërore.

Analisti shton që nëse pas zgjedhjeve, vie deri tek kërkesa për ta hequr reciprocitetin atëherë do të duhej fortë të argumentohet nga ata që na kërkojnë, sepse vetë kërkesa nuk përbën rrjedhë normale në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Në fakt një kërkesë e tillë ka qenë absurde në vete, sepse reciprociteti është gjëja me normale që duhet kultivohet në marrëdhëniet bilaterale ndërshtetërore. Në ketë kontekst, mendoj që tashme pasi që klima ka ndryshuar dhe akterët vendimmarrës në SHBA, do duhej të ishte pjesë e programeve politike në fushatë tek të gjithë, në mënyrë që kushdo të fitojë, ta ketë edhe me të lehtë mbrojtjen e kësaj mase Dhe, nëse pas zgjedhjeve, vjen deri tek kërkesa për ta hequr, do të duhej fortë të argumentohet nga ata që na kërkojnë, sepse vetë kërkesa nuk përbën rrjedhë normale në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe, nëse Kosova me pastaj e heq, do të duhej shpaguar me ndonjë favor tjetër”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

Kujtojmë që zgjedhjet e parakohshme në vend janë shpallur që do të mbahen më 14 shkurt të këtij viti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat