LDK dhe PDK: KQZ e gatshme për zgjedhje

Politika

LDK dhe PDK: KQZ e gatshme për zgjedhje

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 janar 2021 Në ora: 20:17
Valdete Daka

Kanë mbetur edhe një muaj deri në datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Këto zgjedhje që erdhën si shkak i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, do të jenë sfiduese për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi nuk do të jenë të vetmet që do të mbahen brenda këtij viti.

Edhe zgjedhjet lokale janë paraparë të mbahen brenda këtij viti. Kështu është ngushtuar buxheti i ndarë për këtij institucion.

Kështu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka planifikuar që për vitin 2021 të ketë buxhet në vlerë prej 14 milionë e 337 mijë euro.

Anëtari i KQZ-së nga LDK-ja, Sami Hamiti ka thënë se plani i buxhetit është më specifik sepse në 2021 janë zgjedhjet lokale. Ai ka thënë se nuk është reale sepse janë përgjysmuar shumat e projekteve.

“Plani i buxhetit është pak ma specifik sepse në vitin 2021 është vit zgjedhor i rregullt dhe kemi zgjedhjet lokale. Ne i kemi rekomanduar KQZ-së që ta votojë këtë draft dhe njësitë kërkuese që e kanë pasur prej shefit janë munduar që të kenë një planifikim sa më real dhe rekomandimi i këshillit është që të votohet. Konsideroj që nuk është reale sepse janë përgjysmuar shumat e projekteve dhe besoj që do të reflektohet në komisionin për buxhet”. Po ashtu në mbledhje ka pasur edhe përplasje mes kryetares së këtij komisioni dhe anëtarit të VV-së lidhur me propozimin për rivlerësimin e gjendjes epidemiologjike në Podujevë për mbajtjen e zgjedhjeve”, ka thënë Hamiti.

Gazeta ka kontaktuar edhe KQZ-në për të komentuar lidhur me atë se a janë të përgatitur për këto zgjedhje, mirëpo nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkaq, deputetët nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit shprehin besimin se KQZ-ja ka përvojën dhe mundësinë e mjaftueshme për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

KQZ ka përvojë të mjaftueshme për zgjedhje të parakohshme

Kështu kryetari i këtij komisioni, Shkëmb Manaj thotë se KQZ-ja ka përvojë të mjaftueshme për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme, pasi asnjë legjislaturë pas shpalljes së pavarësisë nuk e ka përfunduar mandatin e plotë.

Image
Shkëmb Manaj

“Unë mendoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka përvojë të mjaftueshme për të përgatitur në mënyrën me të mirë të mundshme zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës sepse pas shpalljes se pavarësisë, asnjë legjislaturë nuk e ka mbaruar mandatin e plotë, rrjedhimisht çdo herë kemi shkuar në zgjedhje të parakohshme”, vlerëson deputeti Manaj për “Bota sot”.

Sipas tij, sfida më e madhe në këtë rast mund të jetë gjendja me pandeminë.

“Kësaj radhe sifiduese në organizimin e këtyre zgjedhjeve mund të jetë gjendja e pandemisë dhe KQZ duhet t'i organizojë këto zgjedhje në përputhje me rekomandimet e IKShP-së, për të siguruar dhe mbrojtur shëndetin e qytetarëve të vendit”, thekson deputeti i LDK-së.

Thaçi është optimiste që në zgjedhje do të tregohet kulurë e lartë

Ndërkaq, anëtarja e këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, Evgjeni Thaҫi, thotë se KQZ-ja tashmë e ka dëshmuar përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve sipas parimeve dhe kërkesave ligjore.

Image
Evgjeni Thaҫi

“KQZ-ja siguron përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve në pajtim me parimet dhe kërkesat ligjore, gjë të cilën tashmë e ka dëshmuar se mund ta bëjë, duke pas parasysh rrjedhën e shumë parë zgjedhjeve të mëparshme. Sigurisht që mangësitë e evidentuara ligjore dhe procedurale qëndrojnë dhe do të jenë pengesë përderisa nuk zhvillohet një reformë e mirëfilltë zgjedhore”, thotë deputetja Thaҫi.

Deputetja e PDK-së, thekson poashtu se zgjedhjet e drejta dhe demokratike nuk varen vetëm nga KQZ-ja por edhe shumë faktorë të tjerë.

Ajo shprehet optimiste për këto zgjedhje dhe më pas themelimin e institucioneve legale, demokratike dhe funksionale.

“Megjithatë zgjedhjet e drejta dhe demokratike në Kosovë tashmë janë të etabluara, dhe mbarëvajtja e tyre nuk varet vetëm nga KQZ-ja, por edhe nga palët pjesëmarrëse në zgjedhje, qytetarët dhe shumë faktorë të tjerë. Unë jam optimiste se edhe në këto zgjedhje, ne si vend do të dimë të shfaqim një kulturë të lartë të votimit dhe do të themelojmë institucione legale, demokratike e funksionale që respektohen nga të gjithë”, vlerëson deputetja Evgjeni Thaҫi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat