Profesori publikon shifrat: Kurti nuk e thotë të vërtetën, kaq deputetë do të fitojë LVV-ja

Politika

Profesori publikon shifrat: Kurti nuk e thotë të vërtetën, kaq deputetë do të fitojë LVV-ja

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 janar 2021 Në ora: 08:09
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit javë më parë botoi rezultatet e një sondazhi të realizuar, e cila tregonte rezultate të pafavorshme për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Madje, sipas këtyre sondazheve, partia e Isa Mustafës renditen si e treta për nga mbështetja popullore. Ky rezultat dukshëm irritoi krerët e kësaj partie.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sondazhet e VV-së i ka quajtur si të porositura, ndërsa ka theksuar se në zgjedhjet e 14 shkurtit do të dalin të parët.

Madje, ai tha se në këtë parti nuk iu besojnë fare përrallave, duke iu referuar sondazheve të fundit që po e nxjerrin Vetëvendosjen si fituese të zgjedhjeve, duke i quajtur të porositura nga kjo e fundit.

Mustafa theksoi se në zgjedhje do të hyjnë me besimin nga qytetarët për programin dhe për punën që ka bërë Qeveria Hoti.

“Unë mendoj që rrëzimi Qeverisë nuk mund të jetë asnjë arsye që LDK-ja të dëmtohet në zgjedhjet e ardhshme sepse Qeveria Hoti nuk e ka shkelur Kushtetutën. Qeveria nuk ka bërë asnjë shkelje të Kushtetutës. Nuk i ka zgjedhur Qeveria Hoti deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata i ka certifikuar një organ krejtësisht tjetër KQZ-ja. Ata kanë dhënë betimin në Kuvend. Është betuar edhe deputeti të cilit i është kontestuar vota dhe askush në atë kohë nuk ka thënë që ky nuk është deputet dhe nuk ka votë valide. Ka votuar gjithmonë dhe askush nuk ia ka kontestuar votën e tij. Prandaj nuk është kjo çështje e Qeverisë. Është dashur të jetë çështje e Kuvendit dhe e KQZ-së. Dhe në këtë rast vetëm pasojat janë në Qeverinë Hoti sepse rrjedhimisht asaj po i përfundon mandati për një shkak që nuk është pasojë e sjelljes së saj. Sa i përket zgjedhjeve unë jam shumë i bindur që ne do të dalim mirë”, ka deklaruar Mustafa.

Njohësit e rrethanave politike në Kosovë janë të mendimit se në vendin tonë është keqpërdorur maksimalisht edhe ndikimi i sondazheve. Analistët për gazetën “Bota sot”, kanë thënë se LDK-ja ka pak gjasa t’i fitojë këto zgjedhje, ndërsa, nuk besojnë se Kurtit mund të marrë një shumicë absolute.

Bytyçi: Kurti nuk besoj se thotë të vërtetën kur thotë se do të ketë një shumicë absolute

Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, duke i komentuar deklaratat e kreut të LDK-së, ka thënë se sondazhe janë të besueshme, nëse partitë përdorin ndonjë subjekt të pavarur dhe i bëjnë ato në funksion të përmirësimit të punës së tyre.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Në pyetjen tuaj ka dy qasje, njëra ka të bëjë me sondazhet, rolin e besueshmërinë e tyre. Ndërsa, tjetri lidhet me një deklaratë të zotit Mustafa për vendin që zë Lidhja Demokratike në sondazhet dhe anketimet që po bëhen. Sa i përket qasjes së parë, anketimet dhe rezultatet e tyre varen nga institucioni që ato i bën. Nëse një institute ose organizatë tjetër që bën sondazhet është i pavarur, profesional dhe serioz, natyrisht që anketat janë të besueshme. Në të kundërtën, mbeten jo të besueshme. Por, ka gjithashtu sondazhe që i bëjnë vetë partitë, gjithnjë për konsum të brendshëm, për të mësuar se sa përkrahje kanë ato te qytetarët. Edhe këto sondazhe janë të besueshme, nëse partitë përdorin ndonjë subjekt të pavarur dhe i bëjnë ato në funksion të përmirësimit të punës së tyre. Sa i përket anketimeve që janë zhvilluar për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, mendoj se besueshmëria më e madhe lidhet me ato që janë bërë nga institucione jo-kosovare, por të huaja, evropiane ose amerikane”, ka thënë profesori Bytyçi.

Sipas profesorit, se “LDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet”, ai konsideron se kreu i kësaj partie po mashtron opinionin publik në Kosovë, ndërsa e akuzon LDK-në si përgjegjëse për dështimet e qeverisjes në këto 13 vitet e fundit.

“Këto sondazhe e nxjerrin p.sh Lëvizjen Vetëvendosje të parën dhe me rritje nga zgjedhjet e kaluara. Zoti Mustafa thotë se Lidhja Demokratike që ai drejton do të jetë e para. Kam përshtypjen se në këtë rast kreu i LDK-së mashtron opinionin publik në Kosovë. Kjo për disa arsye: Së pari Lidhja Demokratike bëhet përgjegjëse nga qytetarët për dështimet e qeverisjes në këto 13 vitet e fundit. Ajo ka qenë thuajse vazhdimisht në pushtet, përjashtuar një legjislature dhe ka bashkëpunuar me hajnat e Kosovës për ta dështuar qeverisjen e saj. Trendi është që të bëhet ndryshimi. Qytetarët e kërkojnë ndryshimin dhe jo statukuonë. Të votosh partinë e Isa Mustafës është njësoj sikur të votosh partinë e Hashim Thaçit. Prandaj, them se zoti Mustafa gënjen ditën për diell, sepse edhe ai e di se nuk del në vend të parë”, tha Bytyçi.

Ai ka numëruar edhe arsyet pse LDK-ja do ta humbas edhe pozitën e dytë që kishte në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Së dyti, LDK vjen në këto zgjedhje me firo, për shkak të përçarjes. Vjosa Osmani është shkëputur prej saj dhe ajo do të marrë pas vetes jo vetëm anëtarë dhe eksponentë të Lidhjes Demokratike, por edhe shumë zgjedhës të saj. Kjo bën që LDK të lëshojë vendin e dytë e të ulet në vendin e tretë, sepse pavarësisht faktit që Thaçi e Veseli janë në Hagë, Partia Demokratike e ruan deri në një farë mase elektoratin e saj. PDK ka një elektorat militantësh, jo lojalë siç është elektorati i Lidhjes Demokratike. Demokratët e Lidhjes janë demokratë që të ndëshkojnë kur qeveris keq. Demokratët e PDK-së së Thaçit nuk kanë ndjesi nga keqqeverisja, mjafton ta shohin partinë e tyre në pushtet. Por, edhe Albin Kurti nuk besoj se thotë të vërtetën kur thotë se do të ketë një shumicë absolute”, ka shtuar me tej ai.

Profesori: Sondazhet ndërkombëtare e çojnë VV-në diku të 40 përqindëshi

Bytyçi ka treguar për gazetën “Bota sot”, se sondazhet ndërkombëtare, Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit e çojnë diku të 40 përqindëshi.

“Sondazhet ndërkombëtare e çojnë diku të 40 përqindëshi. Por, jo te 40 përqindëshi i 120 vendeve në parlament, e çojnë te 40 përqindëshi i 100 vendeve në parlament, d.m.th te 40-42 deputetë, nga 61 sa duhen për të qeveris vendin. Megjithatë, kjo do të thotë një rritje me së paku 10 deputetë më shumë. Ku do t’i marrë Albini këta. Gjysmën te partia e Thaçit e gjysmën te partia e Mustafës. Plus Vjosa që i merr 90 për qind të LDK-së, do të thotë se Mustafa duhet të jetë i lumtur nëse mban vendin e tretë. Ndërkaq, Mustafa nuk ka asnjë shans që kësaj radhe ta fajësojë Vjosa Osmanin, siç bëri para pak ditësh, duke e akuzuar atë si dështake në zgjedhjet e shkuara”, u shpreh profesori ndërkombëtar.

Profesori Enver Bytyçi nënvizon se muaji shkurt në Kosovës, do të jetë vendimtar për mënyrën e komunikimit me qytetarët për mesazhet që subjektet politike do të japin.

“Nuk ka shans, sepse Isa Mustafa për herë të parë do të përballet e autoritetin që ai ka. Madje, jo plotësisht sepse ka jo pak shqiptarë në Kosovë që e votojnë Lidhjen Demokratike për hatër të Ibrahim Rugovës e jo të Isa Mustafës. Të gjitha sondazhet e sotme mund të rezultojnë të pasakta, pasi që votimet janë më 14 shkurt d.m.th pas një muaji. Ky muaj është vendimtar për mënyrën e komunikimit me qytetarët për mesazhet që subjektet politike do të japin, për argumentet që ato do të përdorin, me qëllim që t’i bindin zgjedhësit për të votuar në mbështetje të tyre. Por një bindje kam se peshorja anon dukshëm dhe pa asnjë mëdyshje nga ndryshimi i madh, nga ata që nuk janë provuar në qeverisje”, ka deklaruar Bytyçi, për gazetën “Bota sot”.

Duhanaj: Në Kosovë, për fat të keq, sondazhet bëhen me porosi

E, nga ana tjetër, analisti politik, Leon Duhanaj, shprehet se sondazhet në Kosovë bëhen me porosi.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se sondazhet e Vetëvendosje, janë të manipuluara, me qëllim, sipas tij, të krijojë opinion që po fiton.

Image
Leon Duhanaj

“Si çdo gjë që ekziston dhe që mund t’i shkojë për shtati politikës, është keqpërdorur edhe ndikimi i sondazheve. Në kushte normale, në çdo shoqëri bëhen sondazhe për të matur disponimin qytetarë, për manipulimi me sondazhe nuk është në natyrën e shoqërive të pjekura politike. Në Kosovë, për fat të keq, sondazhet bëhen me porosi dhe, manipulohen në atë mënyrë që subjekte të caktuara të nxjerrën shumë me mirë se sa janë, në mënyrë që të krijohet opinion pozitiv për subjektin në fjalë. Në rastin konkret Vetëvendosje ka manipuluar me opinionin publik, duke ngritur përqindjen e vetë në mënyrë që të krijojë opinion që po fiton”, ka thënë Duhanaj.

Krejt në fund, analisti ka theksuar se Vetëvendosje kohëve të fundit është e përkushtuar që të krijojnë opinion që kinse do t’i fitojnë mbi 50% të votave në mënyrë që qytetarë të pavendosur të ndikohen ta votojnë fituesin potencial.

“Tani janë të përkushtuar që të krijojnë opinion që kinse do t’i fitojnë mbi 50% të votave në mënyrë që qytetarë të pavendosur të ndikohen ta votojnë fituesin potencial. Në rastin konkret bëhet edhe një manipulim shtesë pasi që duke trumbetuar me shifra mbi 60% tentojnë t’i shmangen pyetjes me kënd do bëni koalicion. Pasi që ata përbaltin të gjitha subjektet tjera duke i cilësuar si hajna dhe, nëse do të shpreheshin pro koalicionit me ndonjërin nga subjektet tjera, qytetarët do ta kuptonin ketë manipulim. Për fat të keq, kemi edhe nivel të ulët të pjekurisë politike që do të na hakmerret në kohë”, tha krejt në fund, analisti politik Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat