Haradinaj e quajti të dobët, publicisti tregon arsyen pse ai e ofendoi Vjosa Osmanin

Politika

Haradinaj e quajti të dobët, publicisti tregon arsyen pse ai e ofendoi Vjosa Osmanin

Nga: G.B Më: 13 janar 2021 Në ora: 17:35
Vjosa Osmani

Të dobët e ka quajtur Vjosa Osmanin, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Derisa ka folur për kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës, ai ka thënë se ajo po ndihet e forcë, tani kur Kosova ka një Qeveri të shkarkuar dhe një President të dobët në detyrë.

Madje, Haradinaj ka thënë se kemi nevojë për një President i cili qëndron fortë për Kosovën dhe është i denjë të përballet me kundërshtarin agresiv, Serbinë., duke folur për veten e tij, si kandidat për president.

Osmani së fundmi ka qenë objekt i ofendimeve nga politikanët, përfshirë ish bashkëpartiakët.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Osmani i ka prishur planet e disa partive dhe e shohin me sy kritik.

Image
Fadil Lepaja

“Vjosa Osmani realisht i ka prishë planet e disa partive dhe është e kuptueshme përse e shohin me sy kritik dhe në fakt kjo është pika e vetme e atakuar e saj, aktualisht. Realisht, ajo nuk ka fuqi politike dhe nuk arrin të imponojë asgjë dhe varet kryekëput nga vullneti politik i LVV-së ndërkohë që vështirë se mund të luajë njëkohësisht edhe rolin e presidentes në detyrë, me obligimin për të qenë e paanshme”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, Haradinaj e ka parasysh se Osmani është shumë më e mirëpritur nga faktori ndërkombëtar në pozitën e presidentit sesa ai dhe SHBA e BE me siguri e shohin si përparësi.

“Njëkohësisht z. Haradinaj e ka parasysh se zonja Vjosa Osmani është shumë më e mirëpritur nga faktori ndërkombëtar në pozitën e presidentit sesa ai, prandaj atë që evropianët dhe me gjasë edhe SHBA e shohin si përparësi, ai e vë në pah si dobësi, duke krijuar idenë se Kosovës i duhet një dorë e fuqishme, e guximshme, që mund të përballet me sfidat që e presin Kosovën”, ka vlerësuar Fadil Lepaja.

Ai shton se thirrja është drejtuar elektoratit të PDK-së dhe LDK-së që mund ta simpatizojnë figurën e saj.

“Sidoqoftë edhe thirrja e z. Haradinaj i drejtohet elektoratit të PDK-së dhe LDK-së që mund të simpatizonin figurën e saj, se ajo nuk është përfaqësuese e denjë as e rugovizmit as e vijës së luftës, duke promovuar veten kështu si alternativë që mund t’i lidhë këto dy vija politike, duke u bazuar në luftën e tij por edhe në marrëdhëniet speciale me ish presidentin Rugova”, ka theksuar ai.

Lepaja thotë se tani as PDK e as LDK nuk e kanë të preferuar për president, asnjërin nga këto dy personalitete.

“Tani për tani nuk duket se për PDK apo LDK asnjëri nga këta të dy të jetë personaliteti i preferuar për president të vendit, çka mund të ndërrojë pasi të shihet pesha e secilit në votime”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat