Vjosa Osmani doli kundër Lajçakut, analisti: Një pjesë e BE-së bashkëpunojnë me agjendat e Serbisë

Politika

Vjosa Osmani doli kundër Lajçakut, analisti: Një pjesë e BE-së bashkëpunojnë me agjendat e Serbisë

Nga: A.Z Më: 13 janar 2021 Në ora: 20:36
Vjosa Osmani dhe Mirosllav Lajçak

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi ndaj pretendimeve nga përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili ka thënë se nëse Serbia e ndryshon pozicionin karshi Kosovës, atëherë njëjtë do të mund të vepronin edhe pesë vendet evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Sipas Osmanit është për të ardhur keq nëse politika e jashtme e këtyre vendeve i nënshtrohet asaj të Serbisë dhe Rusisë.

Lidhur me këtë analisti politik Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deklarata e z. Lajçak shkon në kundërshtim me rolin të cilin e ka në kuadër të BE-së.

“Deklarata e z. Lajçak, është deklaratë e cila shkon në kundërshtim të plotë me rolin të cilin e ka në kuadër të BE-së. Pos kësaj, tregon edhe njëherë se pjesë të komunitetit europian, në raport me Kosovën, shërbehen me standarde të dyfishta dhe bashkëpunojnë me agjendat e Serbisë”, tha ai.

Tutje ka shtuar se reagimi i Osmanit ka qenë i drejtë. Ai thotë se Kosova duhet të gjejë rrugë drejtë integrimit dhe forcimit të shtetit pa u varur nga vullneti i fqinjëve verior.

“Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, znj. Osmani, ka pas të drejtë në reagim. Shtetet anëtare të BE-së, të cilat akoma nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, do të duhej të ishte prioritet i shtetit, përkatësisht diplomacisë së Kosovës. Kosova duhet të gjejë rrugë drejtë integrimit dhe forcimit të shtetësisë së saj, pa u varur nga vullneti i fqiut verior”, përfundoi Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat