Shkathtësia politike e Vjosa Osmanit dhe ‘muskujt’ e Ramush Haradinajt

Politika

Shkathtësia politike e Vjosa Osmanit dhe ‘muskujt’ e Ramush Haradinajt

Nga: Arife Morina Më: 15 janar 2021 Në ora: 11:42
Vjosa Osmani dhe Ramush Haradinaj

Derisa, shumica e liderëve të subjekte politike gjithë vëmendjen e kanë te zgjedhjet e 14 shkurtit dhe posti i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj e Vjosa Osmanin siç duket nuk e kanë vëmendjen aty.

Ramush Haradinaj është ndër të vetmit i cili publikisht është distancuar nga posti i kryeministrit, pasi ai ka deklaruar se qëllimi i tij është të bëhet President i Kosovës. Andaj, Haradinaj nuk ka humbur kohë aspak dhe ka filluar deklaratat thumbuese ndaj U.d. Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Siç duket, kreu i AAK-së si rrezik kryesor për realizimin e objektivit të tij, po e sheh U.d të Presidentit të Kosovës. Pasi dihet se edhe Vjosa Osmani u zyrtarizua si kandidate për Presidente të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ishte një deklaratë e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit që sjelli deri te përplasja Haradinaj-Osmani.

“Nëse Kosova përpiqet të anëtarësohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare, befasitë e shumta do ta presin atë”, kishte deklaruar Vuçiq.

Kurse, Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook kishte reaguar, duke thënë se Vuçiq ndihet i fortë sepse kemi një president të dobët në detyrë. Duke e goditur kështu direkt Vjosa Osmanin.

“Ai ndihet i fortë tani kur Kosova ka një Qeveri të shkarkuar dhe një President të dobët në detyrë. Ne kemi nevojë për një President i cili qëndron fortë për Kosovën dhe është i denjë të përballet me kundërshtarin agresiv, Serbinë.”, ka shkruar ai.

Ndërsa, pas kësaj deklarate këshilltari i ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Faton Peci i reagoi menjëherë kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Peci u shpreh se e kupton mendësinë e gjykimit të Haradinajt, për shkak se ka sfond prej ushtaraku, por theksoi se në politikë nuk kryejnë punën muskujt.

“Në politikë nuk kryejnë punë muskujt, por shkathtësie politike, të cilën ju nuk e keni demonstruar. Kjo, ngase po të ishte kështu do të ishe ende kryeministër, por jo shef i një partie të vogël opozitare, që lufton për mbijetesë”, shkruan Peci.

Kurse, Ramush Haradinaj e ka ftuar në një debat publik Vjosa Osmanin si kandidate për postin e Presidentit të vendit.

Njohësit e çështjeve politike nuk i kanë përkrahur aspak deklaratat e këtyre të fundit në “luftën” për postin e Presidentit. Ata madje u shprehen tejet kritik për të dy kandidatët për president.

Ahmeti: Përplasjet politike jashtë kornizës së mortaliteti politik

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se përplasjet politike në mes Ramush Haradinaj dhe Vjosa Osmanit nuk janë brenda kornizës së mortalitet politik.

“Përplasjet politike janë të natyrave elektorale që jemi mësuar t’i dëgjojmë gjatë çdo procesi zgjedhor në Kosovë. Ky diskurs politik nuk është brenda kornizës të mortalitetit politik, por as nuk i ndihmon proceseve të rëndësishme politike për shtetin e Kosovës”, deklaroi Ahmeti.

Tutje, ai tha se diskursi politik duhet të ndërtohet në një standard të lartë publik dhe në vlera intelektuale dhe morale.

“Mendoj se ky lloj diskursi duhet të lëvizë në dobi të trupit publik dhe ngritjes së qytetarisë aktive dhe në këtë mënyrë mund të ndërtohet një standard i lartë i diskursit publik duke u bazuar në vlera të mirëfillta morale e intelektuale”, theksoi Ahmeti.

Në fund, Ahmeti u shpreh se nuk e përkrah asnjë lloj të diskursit fyes e nënçmues dhe kërkoi një ngritje të komunikimit publik në mënyrë që të ngritet shkalla e vetëdijes dhe vlerësimit qytetarë në bazë të meritokracisë.

“Personalisht, nuk jam i prirur të përkrahi një diskurs fyes e nënçmues pamarrë parasysh ndaj kujt drejtohet. Ngritja e standardit mbi diskursin publik domosdo prodhon vlera të mirëfillta për shoqërinë tonë, duke ngritur shkallën e vetëdijes qytetare për të vlerësuar e gjykuar në bazë të meritokracise e vlerave të mirëfillta shoqërore”, përfundoi Ahmeti.

Haziri: Post i Presidentit të Kosovës, ëndrra e Ramush Haradinajt

Image
Nexhat Haziri

Njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” përplasjet e Ramush Haradinajt me Vjosa Osmanin i ka cilësuar si ethe të fushatës elektorale.

“Përplasja e ditëve të fundit në relacionin Haradinaj-Osmani, më shumë është si diçka që vije nga ethet e fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit, se sa një përplasej që në esencë ka ndonjë përmbajtje”, deklaroi Haziri.

Analisti u shpreh se këta dy të fundit kanë shumë pak gjasa që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të mund të zgjedhën President të Kosovës.

“Pra kjo përplasje po bëhet në mes UD të presidentit të vendit, sic është znj. Osmani dhe pretendentit për këtë post siç është z. Haradinaj, dhe që të dytë kanë pak gjasa, apo fare që pas zgjedhjeve mund të jenë në krye të institucionit më të lartë të vendit, si presidente apo president”, theksoi Haziri.

Ai paralajmëroi vazhdimësi të përplasjeve të kreut të AAK-së dhe U.d. të Presidentit të Kosovës, gjatë gjithë fushatës elektorale. Ai synimin e Ramush Haradinajt për të u bërë president i vendit e vlerësoi si një ëndërr të bukur, por pa asnjë mundësi që të bëhet realitet.

“Andaj pa hyrë shumë në detaje rreth shkëmbimit të akuzave Osmani-Haradinaj, mendoj se të tilla përplasje do të kemi në vazhdim gjatë gjithë fushatës, sidomos nga z. Haradinaj i cili sikur vështirë se do të mund të pajtohet deri në fund, se përkundër dëshirës së tij për tu bërë president i vendit, nuk është njeriu i duhur dhe kjo do t'i mbetët vetëm një nga endërrat e tij, gjithsesi e bukur, por pa asnjë mundësi që t'i bëhet realitet. Ndoshta rezultati i subjektit të tij në fund të zgjedhjeve, mund ta kthjellë z. Haradinaj”, përfundoi Haziri.

Duhanaj: Debati Haradinaj-Osmani i padrejtë

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar deklaratat thumbuese ndaj Ramush Haradinajt dhe Vjosa Osmanit. Ai u shpreh se debati për postin e presidentit nga këta dy politikanë është i padrejtë.

“Për mendimin tim, debati për pozitën e Presidentit nga të dy këto profile politike, është i padrejtë”, u shpreh Duhanaj.

Duhanaj përmendi disa arsye se pse Vjosa Osmani nuk duhet të jetë kandidate për postin e Presidentit të Kosovës. Njëra ndër to, ishte sjellje e saj jo e duhur si U.d. e Presidentit të vendit.

“Së pari znj. Osmani, nuk është Presidente e zgjedhur por ushtruese e detyrës. Për fat të keq, sjellja e saj që nga dorëheqja e Presidentit Thaçi ishte me arrogancë të plotë, pasi që ajo lëshoj zyrën e kryekuvendarit për të kaluar në Presidencë dhe duke u shitur jo vetëm si presidente, por si ‘mbretëreshë’”, tha ai.

Ndërsa, sipas Duhanajt, Haradinaj tash e sa vite e ka shfrytëzuar partinë për karrierë personale.

“Në anën tjetër, kemi z. Haradinaj, i cili që dy dekada të gjithë arsenalin partiak e shfrytëzon për karrierë personale për 10 vite është trumbetuar për Ramushin Kryeministër, tash për Ramushin President”, nënvizoi ai.

Në fund, analisti th se kandidatura e tyre është legjitime por mënyra se sip o pretendojnë të bëhen president Haradinaj dhe Osmani nuk është e drejtë.

“Mendoj që kërkesa, gjegjësisht kandidatura është legjitime, por përpjekja për ta arsyetuar me pretendime të tilla se këtë pozitë duhet ta ketë dikush i "fortë" nuk janë me vend. Në këtë kontekst, mendoi se edhe njëra, edhe pala tjetër nuk është që kanë të drejtë në pretendimet e tyre”, përfundoi Duhanaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat