Marrëveshja Kurti-Osmani, analisti tregon arsyet pse ajo ishte e domosdoshme dhe e pashmangshme

Politika

Marrëveshja Kurti-Osmani, analisti tregon arsyet pse ajo ishte e domosdoshme dhe e pashmangshme

Nga: G.B Më: 15 janar 2021 Në ora: 14:24
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Vjosa Osmani ka shpallur kandidaturën për presidente të vendit, ndërsa Albin Kurti atë për kryeministër.

Këtë e bënë dje të ditur përmes një konference për media, ku zyrtarizuan marrëveshjen e përbashkët, për të garuar në një listë zgjedhor, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Për këtë bashkëpunim pati reagime të shumta pro dhe kundër.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Osmani duke qenë e sulmuar nga të gjitha anët dhe nuk ka pasur zgjidhje tjetër, përpos që t’i bashkohet LVV-së në listë zgjedhore.

“Siç dihet tanimë publikisht, në zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt të këtij viti, lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti kandidon për postin e kryeministrit, ndërsa, dr.Vjosa Osmani si udhëheqëse e një segmenti të sapo lindur politik, për atë të presidentes së Kosovës, e cila edhe aktualisht ushtron detyrën e presidentes së vendit. Madje zonja Vjosa Osmani, e atakuar pothuajse nga të gjitha anët, kësaj radhe as që kishte rrugëdalje tjetër, përveçse t’i bashkohej një segmenti të fortë dhe të mirë konsoliduar politik, si Lëvizja Vetëvendosje në garën për zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat bashkë me Albin Kurtin synojnë marrjen e dy posteve kryesore udhëheqëse në Republikën e Kosovës, për çka edhe kërkohet mbështetje e madhe dhe e gjerë elektorale në gjithë vendin”, është shprehur ai.

Image
Gani Qarri

Sipas Qarrit, për të arritur një sukses që pretendon, në një pozitë kaq të lartë shtetërore, iu desh që të bashkohej me VV-në, pasi ndryshe nuk mund të fitojë.

“Kështu që, si prijëse e një segmenti të ri dhe të krijuar pothuajse në mënyrë gati të imponuar nga kushtet dhe rrethanat që u shkaktuan pas përjashtimit të saj nga LDK dhe grupim fillestar me strukturë ende të papërmbaruar partiake dr. Vjosa Osmani, ishte e detyruar që në fushatën elektorale të hynte në listë të përbashkët me një parti të fuqishme, në mënyrë që të sfidohet që në start, me sukses në zgjedhjet e përgjithshme. Përndryshe arritja e një pozite kaq të lartë shtetërore, për kohë kaq të shkurtër veprimi, do të ishte e pa imagjinueshme për cilëndo figurë politike në vend dhe jo vetëm për dr.Vjosa Osmanin që qysh në zgjedhjet e para, si segment i sapo dalë-më vete, të arrijë, pa mbështetje të gjerë ndërpartiake, të fitojë, e postin e presidentes, kur dihet mirëfilli, se vetëm për të marrë miratimin në Kuvend, i duhen më së paku, dy të tretat e votave të deputetëve”, ka vlerësuar Gani Qarri për “Bota sot”.

Ai shton se bashkëpunimi në mes të Kurtit dhe Osmanit ishte i pashmangshëm dhe i domosdoshëm.

“Ndaj lista e përbashkët në zgjedhjet e para për dr. Vjosën si segment i ri dhe bashkëpunimi me LVV-në, ishte i domosdoshëm e i pashmangshëm, megjithëse ka zëra se zonja Osmani do të ishte më mirë të garonte e vetme se sa në listë me VV-në, që për mua, më tepër tingëllojnë si përpjekje për ndërskëmbca elektorale se sa shprehje reale dhe të arsyeshme”, ka deklaruar Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat