Vjosa u “shkri” në Lëvizjen Vetëvendosje

Politika

Vjosa u “shkri” në Lëvizjen Vetëvendosje

Nga: A.Z Më: 15 janar 2021 Në ora: 16:06
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Lista e Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garojë në kuadër të listës së Lëvizjes Vetëvendosjes.

Kjo u bë e ditur në konferencën për media të mbajtur nga Vjosa Osmani dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti. Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se me Vjosa Osmanin do të garojnë bashkë në një listë.

“Sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parimeve dhe synimeve politike, marrëveshje kjo për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, për një shoqëri me shëndet, punësim e arsim pa diskriminim…”, tha ai.

Ai tha se më 16 janar do ta dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Sipas tij, këto zgjedhje janë referendum.

Kjo ka ngjallur disa reagime, analisti Fatmir Bajraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se nuk kemi të bëjmë me bashkëpunim të palëve në cilësinë e subjekteve politike, sepse sipas tij mungon subjekti por mashtrim të votuesve për kinse bashkëpunim të palëve, i cili në të vërtetë është akomodim i Vjosës në LVV, me pasoja si për LDK-në ashtu edhe për Kosovën.

“Vjosa definitivisht anëtare e LVV-së, dhe vartëse e Kurtit, të tjerat janë hipokrizi e kulluar! S'kemi t'bëjmë me bashkëpunim të palëve n'cilësinë e subjekteve politike, ngase mungon subjekti (substanca) dhe n'mungesë të substancës (subjektit real), të palës nga ana e kundërt e Albinit (VV), kemi një qellim përfid, kamuflimin dhe mashtrimin e votuesit për kinse bashkëpunimin e palëve i cili në të vërtetë është akomodim i Vjosës n'LVV, me pasoja fillimisht për LDK-në, e më pas edhe për Kosovën. Tanimë, me aktin e djeshëm edhe legalisht kalon n'LVV, aty ku kishte bagazhin e angazhimit dhe hambarin e energjive të derdhura n'kohë, por e kamufluar n'LDK si kuislinge nga ana e Kurtit dhe LVV-së, fakt ky i pranuar kohë më parë edhe nga zonja Osmani kur kishte deklaruar se një koordinim dhe bashkërendim synimesh e energjish me LVV-në dhe z.Kurti, daton që nga viti 2010”, tha ai.

Më tej ka thënë se dje ndodhi “shkrirja” logjike e Vjosës në VV, me një akt formal-aderimi, dhe taktika e fundit në këtë strategji, mashtrimi publik kinse me ndarje përgjegjësish “shtetërore”, me të vetmin qëllim për manipulimin e votuesve edhe pse në kundërshtim me parimet e proklamuara dhe moralin politik.

“Dje ndodhi "shkrirja" logjike e Vjosës n'VV, me një akt formal-aderimi, të shtrënguar nga momentumi dhe me kalkulimin se tanimë është adekuat konteksti i daljes publike meqë është arritur suksesi i "misionit" të Kurtit për fragmentarizimin dhe dobësimin e LDK-së, dhe taktika e fundit n'këtë strategji, mashtrimi publik me kinse ndarje përgjegjësish "shtetërore" n'mes të partnerëve inekzistent me t'vetmin qellim,manipulimin e votuesve edhe pse me një ofertë anti-kushtetuese dhe n'kundershtim me parimet e proklamuare dhe moralin politik si kartë populiste e promovuar nga e njëjta ngjizje ideologjike, dyshja Kurti-Osmani”, tha ai.

Tutje ka shtuar se ftoj ndjekësit e Osmanit, të lexojnë drejtë mashtrimin e saj të ulët, me rastin e akomodimit akrobatik në LVV nga një subjekt i kësaj të fundit, përkatësisht nga LDK-ja e presidentit Rugova.

Ai ka thënë se integrimet euro-perëndimore dhe partneriteti me SHBA-të t’i lëshojnë radhët dhe ta braktisin përfundimisht Vjosa Osmanin.

“Ftoj ndjekësit fanatik të mercenares politike të LDK-së, znj. Vjosa Osmani, ta lexojnë drejtë mashtrimin e saj të ulët, bërë publik dje, me rastin e akomodimit akrobatik n'LVV nga një subjekt antipod i kësaj të fundit, përkatësisht nga LDK-ja e presidentit historik Rugova si parti shtetëformuese dhe shtetëndertuese, në një parti-bandë dhe anrkiste, e cila deri n'fund të ditës e ka luftuar projektin nacional të shqiptarëve të Kosovës me mjete dhe metoda jo-konvencionale dhe jo-demokratike, që nga Rambuje, intervenimi i NATO-së, pavarësia, integrimet euro-përendimore dhe partneriteti me SHBA-të, t'i lëshojnë radhët dhe t'a braktisin përfundimisht Vjosa Osmanin dhe t'kthehen n'shtepinë vlerave të promovuara dhe t'provuara në mbi tri dekada për vendin, në LDK”, tha ai.

Tutje ka theksuar se Oferta e Kurtit për Vjosën Presidente, është mashtrim dhe abuzim i popullit, veprim anti-kushtetues dhe anti-institucional, njëkohësisht që bie ndesh edhe me moralin dhe kulturën kombëtare dhe me vlerat e sakrificës së familjes Jashari që e eksitojnë me një grusht vota e që nesër e harrojnë.

“Oferta e Kurtit, Vjosa presidente, mashtrim dhe abuzim populist me ndjenjat qytetare, veprim anti-kushtetues dhe anti-institucional, dhe mbi të gjitha, bie ndesh me moralin dhe kulturen tradicionale kombëtare, kur moralizon me efekte sensitive dhe sentimentale të historisë unike nacionale, siç është vlera e sakrificës sublime e familjes Jashari me kapërcime akrobatike-politike sot e eksitojnë familjen Jashari për një grusht vota, nesër e harrojnë atë dhe shfaqin paturpësisht egon për pozita pushteti, përkatësisht- tëndencën për absolutizimin e pushtetit, alias, kapjen e shtetit”, tha ai.

Bajraj ka shtuar se familja Jashari, dje pësoi një goditje të ulët, nga dyshja Kurti dhe Osmani, që të vetmin synim ka vetëm pushtetin.

Ai thotë se Kurti dhe Osmani, duhet të marrin përgjigjen e duhur nga qytetarët të cilët e duan dhe e çmojnë atdheun dhe respektojnë Familjen Jashari.

“Sakrifica sublime e Familjes Jashari, dje pësoj një goditje të ulët nga binomi i zhveshur nga çdo vlerë dhe parim, nga dyshja Kurti-Osmani, e cila t'vetmin synim ka pushtetin dhe vetëm pushtetin, andaj kjo çasje dhe tendencë abuzive dhe pëverse e z.Kurti dhe z.Osmani, duhet të marrë përgjigjen e duhur nga qytetaret lojal të Republikës së Kosovës të cilët e duan dhe çmojnë atdheun e larë në gjak dhe respektojnë Familjen Jashari, gjakim i lirisë dhe i shtetit sovran e t'pavarur të Kosovës. Kurti si lider i LVV-së, dje ka djeg keq pritjet e atyre të "pakënaqurve" në LDK, alias ndjekës të Vjosa Osmanit, të cilët nuk kishin arritur me kohë të kuptojnë lakun dhe intrigën e Kurtit si një anti-Rugovist i egër dhe i tërbuar, duke i "ofruar" Vjosës një pozitë ireale dhe një pushtet të derivuar nga përfaqësuesit e Sovranit në tempullin e demokracisë parlamantare, atribut ky i cili tejkalon vullnetin e një subjekti politik siç është LVV-ja e Kurtit dhe Osmanit”, tha ai.

Më tej ai thotë se Kurti nuk do të jetë kandidat për deputet, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votën e ish deputetit Ethem Arifi. Sikur Kurti të ishte serioz, Osmanit do t’i ofronte nominimin për Kryeministre dhe t’i printe Listës Zgjedhore të LVV-së dhe jo ta nominoj për presidente gjë që vret subjektin dhe sloganin e saj “GUXO”.

“Kurti, arimiqësor me LDK-në, dhe jo serioz me shtetin ! Kurti, VV-ja dhe akëcili me vetëm dy fije mend n'krye , e di që z.Kurti, nuk do të jetë kandidat për deputet, gjithënjë sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese n'lidhje me votën e ish deputetit Ethem Arifi, konform të cilit, z.Kurti dhe 4 tjerë nga LVV-ja nuk mund të jenë në listë për deputet dhe aq me pak që z.Kurti t'i prinë Listës dhe të jetë kandidat për Kryemnistër, andaj sikur të ishte serioz z.Kurti dhe ta shihte zonjen Vjosa Osmani si partnere politike, do t'i ofronte asaj nominimin për Kryemnistre dhe t'i printe Listës zgjedhore të LVV-së, dhe jo t'a nominoj për presidente, ofertë kjo iluzore por që vret dhe djeg brënda, subjektin imagjinar të Vjosa Osmanit dhe slloganin e saj "GUXO", e zberthën në frikë trishtuese dhe nënshtrim poshtërues ndaj lidershipit të VV-së dhe z.Kurti”, tha ai.

Bajraj shtoi se Vjosa do të përfundoi sikurse Mimoza Kusari dhe ndjekësit e saj, do të mbesin të braktisur dhe të zhgënjyer, e cila mashtroi shtëpin e presidentit historik Rugova dhe i dorëzoj në shtëpin e re, në atë Hugo Çhavezit (VV-në e Kurtit), e pse jo së bashku të përfundojnë te Pabllo Eskobari (PDK e Hashim Thaçit), në një koalicion përmes të cili do të digjes edhe ëndrra e Vjosës-presidente.

Tutje ka thënë se Vjosa mision ka vetëm shkatërrimin e LDK-së, por që ende nuk e shohin të mashtruarit nga ana e saj.

“ Vjosa do të përfundoj sikur Mimoza Kusari dhe ndjekësit e saj, do ngelin të braktisur, të thyer e t'zhgenjyer nga ajo, e cila i mashtroj dhe i nxori jashtë prej shtepisë së presidentit historik Rugova (LDK), dhe i dorëzoj në shtepinë e re, në atë Hugo Çhavezit (VV e Albin Kurti), dhe pse jo bashkë me ta të perfundojnë te Pabllo Eskobari (PDK e H.Th) në një koalicion qeverisës përmes të cilit do digjej definitivisht edhe ëndrra e Vjosës-presidente. Këtë "fat" të Vjosa Osmanit, e shohim të gjithë, dhe kjo s'do shumë mend për t'u lexuar e kuptuar, dhe kështu e di edhe zonja Osmani e cila e ka mision vetëm shkatërrimin e LDK-së, por ende nuk e shohin të mashtruarit nga ana e saj, dhe të cilët i ftoj që të reflektojnë dhe t'a braktisin sot Vjosa Osmanin, para se të ndjejnë të zhgënjyer braktisjen prej saj në të ardhmen e afërte”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat