Vendimi i KQZ-së për diasporën shqiptare, paralajmërohet padi kundër Valdete Dakës

Politika

Vendimi i KQZ-së për diasporën shqiptare, paralajmërohet padi kundër Valdete Dakës

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 16 janar 2021 Në ora: 08:37
Valdete Daka

Vendimi i KQZ-së për votuesit e diasporës ka ngritur debat të gjerë dhe të ashpër ndaj tyre.

Ndaj vendimit të KQZ-së, ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani.

Në vendimin  e Komisioni Qendror Zgjedhor thuhet se, “thirrja e parë realizohet në orarin e punës sipas kohës lokale në Kosovë. Nëse aplikuesi nuk e hap telefonin do të bëhen tentime tjera gjatë orarit të rregullt të punës, sipas kohës lokale të shtetit të vendbanimit ku gjendet aplikuesi i shënuar në aplikacion. Nëse aplikuesi nuk e hap telefonin sipas pikës b, do të bëhen tentime të radhës edhe pas orarit të rregullt të punës sipas kohës reale të shtetit të vendbanimit ku gjendet aplikuesi i shënuar në aplikacion”.

Për këtë, vendim u ankua edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila bëri ankesë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa, kur kjo e fundit e hodhi poshtë.

Ndërkaq, ekspertët kanë mendime të ndryshme rreth kësaj çështje, duke u shprehur se duhet të bëhet padi ndaj KQZ-së për diskriminim ndaj mërgatës, por ka edhe nga ata të cilët e quajnë të drejtë.

KQZ me vendim të drejtë

Njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot” e ka quajtur të drejt vendimin e KQZ-së.

Image
Leon Duhanaj

Ai shprehte se ky vendim është i bazuar në fakte, pasi ka pasur manipulime në procesin e votimeve me postë.

“Vendimi i KQZ-së për verifikimin me telefon të personave, përkatësisht votuesve potencial nga diaspora, mendoj që është i bazuar mbi faktet se, sidomos vitin e kaluar, janë shfaqur manipulime të shumta në procesin e votimeve me postë. Për mendimin tim, vendimin është i drejtë, sepse çdo keqpërdorim është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe vlerat e demokracisë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Duhanaj ka përmendur disa mënyra se si është bërë manipulimi në zgjedhje.

“Ka ndodhur që shumë njerëzve, t'u merren kopjet e dokumenteve identifikuese, kinse po i ndihmojnë me votuar dhe kanë votuar masivisht në emër të tyre, duke përdorur qoftë numra fiktiv, qoftë edhe të personave të tretë dhe, pasi thirrjeve për verifikim është dëshmuar se numrat ose nuk ekzistojnë, ose është lajmëruar ndonjë shtetas i huaj”, është shprehur ai.

Sipas tij, procesi i votimit jashtë vendit të thjeshtëzohet duke përdorur mekanizmat e mundshme.

“Në ketë kontekst, mendoj që vendimin është me vend, mirëpo do të dëshiroja që procesi i votimit jashtë vendit të thjeshtëzohet duke përdorur mekanizmat e mundshme, mirëpo për ketë kërkohet një reformë me e thellë”, ka potencuar Duhanaj për “Bota sot”.

Diasporës po i mohohet e drejta e votës

Të njëjtin mendim sikurse parafolësi i tij nuk e ka analisti politik, Gani Qarri. Ai shprehet se kjo e drejtë po i mohohet mërgatës nga KQZ-ja.

Image
Gani Qarri

“Përderisa, për habi, në Kosovë guxojnë të votojnë edhe deputet të dënuar me vendime të plotfuqishme gjyqësore, madje me votat e tyre të paligjshme, krijohen edhe qeveri kundër- kushtetuese, kjo e drejtë u mohohet, nga vet Komisioni i korruptuar i Zgjedhjeve në Kosovë, shqiptarëve të mërguar jashtë vendit, ani pse edhe pas kalimit të dekadave ata ruajnë me përkushtim deri në fanatizëm, shtetësinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas Qarrit, kjo garantohet edhe më Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në të cilën thuhet se për të gjithë shtetasit e një vendi, pavarësisht se ku ata jetojnë, është e garantuar e drejta për të votuar.

“Madje megjithëse në klauzolën e protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, thuhet qartë se për të gjithë shtetasit e një vendi, pavarësisht faktit se ku ata jetojnë, është e garantuar e drejta për të votuar (aspekti “aktiv”) si dhe ajo për të qenë kandidat në zgjedhje (aspekti “pasiv”)-(§§ 48-51;§ 102), gjë që do duhej të vlente edhe për zonjën Daka dhe gjithë anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve në Kosovë, ky komision dhe udhëheqësja e tij, dëshmoi edhe një herë më tepër, se nuk vepron konform Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por sipas dirigjimeve politike të partive të inkriminuara në vend”, ka theksuar ai.

Sipas tij, po përdorën standarde të dyfishta për votimin nëpër zgjedhje, duke përmendur rastin e votimeve në veri të vendit.

“Po të jetë fjala për kandidat nga Diaspora të cilët pretendojnë poste deputetësh apo pozita politike në vend, do të ishte disi në rregull të përdoren kritere më të shtrënguara, por përderisa flitet vetëm për votim të thjeshtë të shtetasve të këtij vendi, ti vihen kaq shumë pengesa vetëm mërgatës, përderisa serbët nga Bosnja e Kroacia të vendosur ilegalisht në Veri të Kosovës, të cilët në vendet e tyre mund të kenë bërë edhe krime lufte, votojnë lirshëm brenda Kosovës për Listën serbe, dorës së zgjatur të Aleksandër Vuçiqit, pa asnjë dokument të Republikës së Kosovës, kjo vërtetë është një ndër shkeljet më të rënda që mund tu bëhen të drejtave dhe lirive njerëzore të shqiptarëve jashtë vendit edhe pas dëbimit të Serbisë nga Kosova”, ka thënë ai.

KQZ tallet me mërgimtarët

Sipas tij, vendimi i KQZ-së për t`i thirrur mërgimtarët përmes telefonit është tallje.

“Për aq më tepër, neni 3 i Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, përveç organizimit të zgjedhjeve brenda vendit, parasheh që shteti tu garantojë mundësi të barabarta për votim dhe të krijoj kushte për shprehjen e vullnetit të lirë me votë edhe shtetasve të vet jashtë vendit, jo përmes talljes me "thirrje telefonike", siç lajkatohet zonja Daka, akt ky, i padëgjuar kund në botë, nga BE deri në SHBA, Australi a Kanada, por duke hapur Ambasadat dhe Konsullatat e vendit, për organizimin e votimit të mërgimtarëve, siç veprojnë të gjitha shtetet tjera normale në Evropë dhe kudo, në botën mbarë”, ka potencuar Qarri.

Po ashtu, ai ka hedhur kritika ndaj KQZ-së, si dhe ndaj kryetares së saj, Dakës, duke thënë se po cenohen hapur shprehja e vullnetit  të lirë të mërgatës.

“Për aq më tepër, me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që çuditërisht, përpiqet edhe ta arsyetojë vet zonja Daka, për të cilën thuhet se ka bërë trajnime edhe jashtë vendit, ajo bën edhe një veprim tjetër arbitrar, që nuk ndodhë në asnjërin nga ato vende ku ajo, mund ti ketë kryer trajnimet, i cili jo vetëm kufizon të drejtat e mërgimtarëve por edhe cenon hapur shprehjen e vullnetit të lirë të tyre, përmes votës në zgjedhjet e vendit, shtetas krenar të të cilit, ata vijojnë të mbeten edhe shumë dekada pas mërgimit”, ka theksuar ai.

Ai ka përmendur arsyet se pse po ndodh një gjë e tillë, duke theksuar se nga kjo mund të ketë keqpërdorime.

“Ndaj ky akt, vërtet i paprecedent i KQZ-së, mbi 21 vite pas çlirimit, kur Kosova megjithëse ka gjithandej Ambasada dhe Konsullata të hapura, bëhet edhe më i pakuptueshëm se pse dhe për çfarë arsye vetëm shqiptarët e Kosovës ende edhe mbi dy dekada pas lufte me Serbinë, nuk guxojnë të votojnë në përfaqësitë e vendit të vet, apo të paktën të dorëzojnë aplikacionet me dokumente autentike, numër të telefonave dhe adresa të vendbanimeve, por u dashka tu telefonohet atyre nga Kosova. Apo krejt kjo ndodhë, me arsyetimin se qindra apo mijëra aplikues jashtë vendit, ishin të pa qasshëm përmes thirrjes telefonike, në mënyrë që, të keqpërdoren aplikimet e tyre për vjedhjen e votave e tjetërsimin e rezultateve, si dhe favorizimin e partive që dirigjojnë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë në vend”, ka thënë ai.

Qarri paralajmëron padi kundër Valdete Dakës

Në fund, Qarri ka thënë se duhet të bëhet padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për këtë diskriminim që po i bëhet mërgatës.

“Kështu që përderisa jo vetëm numri prej qindra mijëra shqiptarësh që sot ndodhen jashtë vendit, por edhe cilitdo individ i cili beson se i janë shkelur të drejtat sipas Konventës në fjalë, ka të drejtë ankese në GJNDJ, nëse të paktën kësaj radhe dakordohen mërgimtarët, dhënia fund e diskriminimit të tyre, mbetet vetëm organizimi i një padie të drejtpërdrejt në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut "GJNDJ" në Bruksel. Padi kundër veprimeve arbitrare të zonjës Daka, shkeljes së të drejtave e lirive njerëzore, diskriminimit të mërgimtarëve si dhe cenimit të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, nga Komisioni i korruptuar Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, i cili tash e sa vite, nuk vepron konformë rregullave të BE-së dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por shkel me të dy këmbët, ekskluziv të drejtat e shtetasve shqiptar të Kosovës në mërgim, sipas diktimeve politike të partive të inkriminuara të cilat shihet hapur se ende mbajnë të kapur, çdo ent dhe institucion në vend”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat