Familja simbol Rugova, pa përfaqësim në parlament

Politika

Familja simbol Rugova, pa përfaqësim në parlament

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 16 janar 2021 Në ora: 10:46
Presidenti historik, Ibrahim Rugova

Një vizitë e Kryesisë të LDK-së, Dega në Gjermani, e prirë nga kryetari Osman Ferizi, në Familjen simbol Rugova. U pritëm me thjeshtësi, natyrshmëri dhe plot dashuri nga zonja e shtëpisë, Fane Rugova, djemtë Mendimi, Uka, vajza Teuta, shefja e protokollit të Familjes presedenciale dhe miq të Familjes Rugova.

U nisëm për pak, por, muhabeti, biseda na pëlqeu dhe ndejem gjatë, duke thyer edhe rregullat e protokollit. U çmallëm sadopak, duke rrëfyer kujtimet, që nga rinia e hershme e Ibrahim Rugovës e deri në shuarjen e Tij fizike.

Fane Rugova, një intelektuale gjithë edukatë, modeste, e çiltër, e përkorë dhe e përkryer në sjellje dhe në fjalë. Shoqe ideale e jetës e Presidentit Rugova, e cila, në kushte e rrethana supërspecifike, rriti dhe edukoi fëmijtë, duke qenë e përkushtuar edhe për jetën dhe angazhimet intelektuale e politike të bashkëshortit Ibrahim Rugova.

Bota gjithëshqiptare dinë fare pak për jetën pa fëmijëri të fëmijëve të Familjes simbol Rugova. Bota nuk ka njohur, madje, në asnjë epokë, një vetizolim fëmijënor, siç ka ndodhur me fëmijtë e çiftit presidencial Rugova. Shantazhet, kërcënimet personale e familjare, nuk kanë preçedencë, paraprijës, në historinë politike botërore.

Me shuarjen e Presidentit Rugova, në pamundësi për ta mundur apo ekzekutuar në gjallje, siç bëri ndaj disa bashkëpunëtorëve të Tij, SHIK-u u përkujdes për të futur në oborrin Presidencial hafijet e tij. LPK-ja, e konvertuar në  PAN-in e sotëm, me ndjenja kriminale e metoda fashizoide rugaçërore, shantazhoi me gjyqe e makinacione gjithëfarëshe, për të dëmtuar politikisht fëmijtë, Familjen dhe Rugovën, edhe pas amëshimit, me synimin e goditjes të LDK-së. Realisht, ajo nuk bëri asgjë për mbrojtjen, jo vetëm të Familjes, por, as të trashëgimisë të Presidentit Rugova.

T´i kthehemi sërishmi vizitës dhe bisedës në Familjen Rugova.

Zonja Fane Rugova ishte mjaft e hapur në bisedë. Veprimtarët e LDK-së u ndjenë të shpenguar në shprehjen e lirë  të mendimeve. U shtrua pyetja, nëse duhet të jetë e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, si organi më i lartë shtetëror, Familja simbol Rugova? Dhe, përgjigja ishte aprovuese, me çka pajtohej edhe zonja Rugova. Por, kjo nuk po ndodhë në legjislaturat e radhës. 

Kjo "harresë" u shtri edhe jashtë Familjes së ngushtë Rugova. Shembull: Vitin e shkuar, në fshatin e origjinës të Presidentit, në Malaj të Rugovës, u përkujtua Kushtetuta e Kaçanikut, 7 shtator 1990. Të paktën, në dy raste më ofruan telefona, me të njëjtin mesazh: "Mos votoni Naser  Rugovën, sepse ai ka votuar Demarkacionin!"

E vërteta është se Naser Rugova ka lobuar fuqishëm, që nga Prishtina e deri në Çakorr, në mbrojtje të territorit tokësor të Kosovës, tashmë, të humbur. Krahas Ali Lajçit, Zymber Nezirit, me rugovasit tjerë, pa mëdyshje, Naser Rugova, ka qenë nga më të zëshmit.

Sidoqoftë, përpjekjet e parreshtura, të kundërshtarëve, më shumë se politikë, përfshirë edhe rastin e arrestimit të zyrtarit të parë të Istogut, nga shefi i Policisë të Kosovës, që u dëshmua si goditje politike, duke kaluar në bazën e tij partiake - PDK, për ta denigruar Familjen simbol Rugova, kanë dështuar. Presidenti Rugova ka qenë dhe mbetët njëshi i Shqiptarisë, pas Gjergjit tonë të madh.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat