Flet kandidati i shpallur për President të Kosovës: Mimikat e fytyrës së Thaçit dhe Mustafës janë kujtimi më i keq që i është dhuruar popullit

Politika

Flet kandidati i shpallur për President të Kosovës: Mimikat e fytyrës së Thaçit dhe Mustafës janë kujtimi më i keq që i është dhuruar popullit

Nga: N.Sh Më: 16 janar 2021 Në ora: 13:59
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Seremb Gjergji e ka shpallur kandidaturën e tij për president të Republikës së Kosovës.

Gjergji i cili edhe më parë ishte kandidat për President, thotë se, po kandidon që t’ia hapë portat Kosovës.

Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, presidenti i zgjedhur nga populli - është zgjidhja më e mirë e shumë ngërçeve dhe kalkulimeve të grupeve politike në Kosovë.

“Do të isha një President që e njeh dhe ka ecur mbi 63% të Globit. Jo një President që fillon për ta ushtruar zanatin kur e merr pozitën dhe kurrë nuk ka dalur nga mahalla apo qyteti i tij/saj. Këtë e bënë edhe më të fuqishëm shkollimi im në Amerikë, Angli, Francë e Gjermani. Poashtu përvoja ime 4 vjeçare 2012-2016 në garën për President, duke njohur e takuar lider të fuqishëm botëror - nga OKB e deri tek Afrika e Jugut - nga Kanada - Japonia e deri në Australi dhe Zelandë të Re”, thotë Gjergji.

Image
Seremb Gjergji

Ai tregon se platforma e tij e orientuar ka pesë shtylla.

“1. Njohjet, 2. Siguria dhe anëtarësimi në NATO, 3. Imazhi, 4. Integrimet (jo vetëm liberalizimi), dhe 5. Përfaqësimi i popullit dhe Shtetit, brenda dhe jashtë vendit jane bazë e shëndoshë për shoqërinë tonë”, thotë ai.

Ai pohon se, do të kandidon serish për President të Kosovës, sepse është kandidati më serioz për këtë pozitë.

“Jam personi që do t'ia hapi dyert Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së e SHBA-së”, shton ai.

“Është turp për Kuvendin e Kosovës ta ri-zgjedhe sërish Presidentin përmes Kuvendit. Mos t'i harroi veprimet e gabueshme në zgjedhjet paraprake. Nëse NE si populli i Kosovës e konsiderojmë veten populli i dijshëm dhe i avancuar - PSE jemi të vetmit që ende zgjedhim Presidentin përmes Kuvendit?”, pyet Gjergji.

Sipas tij, rezoluta e Kuvendit të Kosovës dhe puna një vjeçare e Arsim Bajramit dhe ekipit të tij ka mbetur në pluhurat e arkivës së Kuvendit të Kosovës.

“Nëse deputetët e dalur nga zgjedhjen e 14 shkurtit nuk e votojnë këtë ndryshim, atëherë deklarimet e tyre për mbrojtjen e interesave të popullit dhe Kosovës janë malco”, shton ai.

“Pozita e Presidentit të Kosovës, edhepse pa fuqi vendimmarrëse, por vetëm përfaqësuese, nga shkarkimi i Presidentit Sejdiu ka qenë gjithmonë kalkulim POLITIK në politiken tonë. Pas ndërrimit të 3 Presidentëve për 4 muaj, Rezoluta e Kuvendit të Kosovës i hapi mundësitë për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Dëm i madh i është bërë Kosovës kur nuk janë  aprovuar propozimet z. Arsim Bajrami me ekip. Nga viti 2012 e deri më sot, pozita e Presidentit ka qenë jo serioze dhe ka pasur përfaqësim shumë të dobët. Imazhin e Kosovës vetëm sa e kanë dëmtuar. Aspak avancuar!?”, pohon kandidati për President.

Ai shton se, zgjedhja e Hashim Thaçit përmes Kuvendit është fakt i gjallë që kjo mënyre e zgjedhjes së Presidentit është shumë e gabueshme.

“Mimikat e fytyrës së Thaçit dhe Mustafës janë kujtimi më i keq që i është dhuruar popullit”.

Ai shton se, Kuvendi i Kosovës zgjedhë Presidentin e dhunës, zorit dhe interesave të ngushta.

“Andaj Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të reflektojnë dashuri edhe për Shtetin. Jo vetëm për pushtetin? Duke votuar ndryshimet Kushtetuese, Presidenti të zgjidhet me votën e lirë. I ftoj të gjithë që të matemi me votë. Presidenti i zgjedhur nga populli është vendimi më i fuqishëm për Kosovën dhe Rajonin për një paqe të qëndrueshme dhe një stabilitet me njohje të reja për Republikën e Kosovës. Unë jam gati të fitoj me votën e lirë”, përfundon Seremb Gjergji.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat