Debati i sikletshëm Berisha-Mushkolaj

Politika

Debati i sikletshëm Berisha-Mushkolaj

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 17 janar 2021 Në ora: 08:12
Imer Mushkolaj dhe Sali Berisha

Debatet përmbajtjesore, mirë të argumentuara, nuk kanë nevojë për ngritje zëri. Madje, as për kundërshtira, deri në ofendime të rënda, pa ndonjë arsye logjike, aq më pak kur bëhet fjalë për të tretët, fort të inkriminuar. Opinioni shqiptar u skandalizua, duke parë debatin e sikletshëm, deri në brutalitet të tribunit të pluralizmit dhe të demokracisë shqiptare, Prof. Dr. Sali Berisha, në përballje me analistin e Kosovës, Imer Mushkolaj.

Bota akademike shqiptare e pranon se Berisha është njëri nga intelektualët më të kompletuar shqiptar. Një studjues shumëdimensional, erudit, poliglot. Edhe për atdhetarizëm, tashmë, është i dëshmuar. Ndërkohë, përgjatë veprimtarisë politike e drejtuese 20-vjeçare, në pozitë dhe opozitë, ka edhe batica e zbatica, suksese e gabime, që janë normale, njerëzore. Por, kurrë të krahasueshme me mëkatet e fajet, deri në tradhti, të Edvin Ramës, Hashim Thaçit dhe sojit të tyre gjakprishur.

Dr. Berisha, në mes tjerash, foli edhe për Gjykatën Speciale dhe të akuzuarit për krimet e luftës, duke i mbrojtur ata nga akuzat e Dick Martit dhe duke potencuar luftën e drejtë të UÇK-së. Në librat e Carla del Pontes dhe Dick Martit, duhet ndarë akuzat kontestuese të transplantacionit të organeve me ato të krimeve faktike, rrastë të argumentuara, tashmë, të mirënjohura në Kosovë.

Kjo ishte edhe arsyeja pse Hashimi premtoi përballjen gjyqësore me Martin, pastaj heshti, sepse e dinte se do të dilte humbës. Krimet jashtë betejave luftarake, kanë ndodhur dhe viktimat janë numerike, kryesisht, shqiptarë të pambrojtur, madje të ekzekutuar nga shqiptarët, gjithnjë, në emër të UÇK-së!

Këtu bënë ndërhyrjen normale analisti Imer Mushkolaj:

"- Zoti Berisha ju e keni akuzuar Hashim Thaçin për tradhti. Pse e mbroni tani?"

- Berisha: "Unë po flas për raportin e Dick Martit. Por, për tradhtinë e bërë ndaj Kosovës Hashim Thaçin, në bashkëpunim me Ramën, Batonin, Vuqiçin, do ta varja në mes të Prishtinës."

- Mushkolaj: "Edhe ti zoti Berisha je akuzuar për tradhti, lidhur me marrëveshjen me Greqinë për detin."

- Berisha: "Unë isha përcaktuar për 6 (gjashtë) milje, kurse Rama, tani, diskuton për 12 milje!"

- Mushkolaj: "Hashimi nuk ka nënshkruar dhe as nuk ka bërë asnjë tradhti. Janë po ata kufinj të 2008-ës. Prandaj, mos shpif zoti Berisha!!"

Drejtuesi i debatit, në TV "Dkagjini" Ermal Panduri, në vend që të ndërhynte për t`i qetësuar "gjakrat", ai u rrjeshtua në krah të kolegut Mushkolaj, për ta ndezur edhe më shumë debatin, pa respektuar as moshën dhe as personalitetin e padiskutueshëm të ish-presidentit të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha!

Reagimi i analistit Mushkolaj ishte paushall, krejt i pasaktë, në raport me të vërtetën absolute që e përsëriste Dr. Berisha.

Së pari, Kosova, sot, nuk është në kufinjtë e 2008-ës, sepse i mungojnë 8.200 hektarë tokë, për fajësinë parësore të Hashim Thaçit;

Së dyti, Hashimi aprovoi "Zajednicën" dhe ishte gadi edhe për dhurime tjera Serbisë, në këmbim të lirisë personale, pasi ajo i ka dosjet e faktuara, madje, domëthënëse, për atë me shokë.

Prandaj, avokatia e zotit Mushkolaj, për Hashimin me bashkëmendimtarë, ishte jo vetëm artificiale, por, edhe provokative, madje, jo vetëm ndaj Dr. Berishës, por, edhe për pjesën më të madhe të shqiptarëve, të cilët, logjikshëm e faktueshëm, e respektojnë, deri në adhurim. Kontributi kombëtar i Dr. Berishës, për shporrjen e diktaturës më të egër në Evropë e mëtej dhe fitoren e demokracisë pluraliste në Shqipëri, është i veçantë, unik.

Ndërkohë që prisnim kërkim-faljen e analistit Imer Mushkolaj, për dëmtimin e debatit, deri në skandalizim, televizioni "Dukagjini", me drejtues Ermal Pandurin, e reprizoi, njëanshëm, pikërisht atë fragmentin skandaloz të "debatit" provokativ. Dhe, kjo rëndon më shumë për zotin Mushkolaj, kur dihet se opinioni e njeh si analist kërkues e serioz, për ta sheshuar të vërtetën përgjatë debatit.

Megjithatë, asnjëherë nuk është vonë, për të reflektuar, aq më parë, për një rast ekstrem, siç ishte debati me mysafirin e nderuar Prof. Dr. Sali Berishën, i cili shquhet në Shqiptari, për shpalosjen faktike të së vërtetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat