Enver Hoxhaj, kandidat i padenjë për Albin Kurtin

Politika

Enver Hoxhaj, kandidat i padenjë për Albin Kurtin

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 janar 2021 Në ora: 18:22
Albin Kurti dhe Enver Hoxhaj

Debatet mes kandidateve për kryeministër, i kanë munguar historikisht në Kosovë.

Së fundmi, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj ftoi liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në debat televiziv.

Hoxhaj i bëri ftesë  Kurtit për t’u ballafaquar ne pesë debate televizive në lidhje me programet e dy partive që përfaqësojnë. Duke u shprehur se kushtet për debate e i vendos kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Sot i bëj thirrje Albin Kurtit që t’i kemi 5 debate. Debate serioze. Debate informuese. Ashtu që qytetarëve t’ia ofrojmë informacionin dhe elementet e nevojshme për ta marrë vendimin e tyre. I bëj thirrje Albin Kurtit që ta pranojë këtë tani. Kudo që ai dëshiron. Me çfarë kushte që ai dëshiron. Me kusht që i respektojmë rregullat bazike të angazhimit demokratik. Me kusht që i respektojmë proceset demokratike”, ka thënë Hoxhaj.

Mirëpo, kandidati për kryeministër nga radhët e LVV-së, Albin Kurti nuk e pranoi këtë ftesë. Duke ironizuar me Hoxhaj, ai tha se s’është në garë me kandidatët e tjerë.

“Është e vërtetë që në Kosovë ka një garë të ashpër mes dy partive të vjetra. Kjo garë është për vendin e dytë. Në atë garë, as unë e as zonja presidente, as s’kemi çka bëjmë as nuk kemi çka kërkojmë”, tha Kurti.

Sipas tij, debatet janë metoda të vjetra, sepse ai nuk është në garë për vendin e parë, por të tjerët janë në garë për vendin e dytë.

Njohësit e çështjeve politike, kërkesën e Enver Hoxhajt për debat me Albin Kurtin e kanë cilësuar si spektakël. Pasi, sipas tyre Hoxhaj ka tentuar ta barazoj vetën e tij me kreun e Vetëvendosjes.

Bekteshi: Thirrja e Albin Kurtit në debat, spektakël i Enver Hoxhajt

Analisti politik dhe veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar refuzimin e debatit politik të kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

Image
Ramazan Bekteshi

Veprimtari u shpreh se thirrja për debatin e Hoxhajt ndaj Kurtit ishte thjeshtë spektakël, pasi e kaluara ka treguar se kush ka hyrë në debat me Albinin ka dalur kokë ulur. Prandaj, bazuar në këtë argument, ai e cilësoi surrealist për faktin se i kërkon këto lloj debatesh.

“Ftesa e Hoxhajt për debat me Kurtin ishte sa për një spektakël. Thirrja, për ballafaqim nga Hoxhaj, në pamje të pare duket si një thirrje e guximshme, sepse të ballafaqohesh me Kurtin në debat nuk është pune e lehtë për shkak të shkathtësive të tij të veçanta oratorike e intelektuale, dhe e kaluara e ka treguar këtë përvojë, se kush ka hy në betejë me Albinin ka dalë kokulur.

Edhe pse kam respekt për Hoxhajn, ftesa e tij është surrealiste për vetë faktin se ai kërkon një seri debatesh. Pyetja është pse disa debate, nëse punët mund të sqarohen edhe me një debat të vetëm konstruktiv. Pra, ftesa është spektakolare, sepse te ne nuk kanë ndodhur asnjëherë më pare të zhvillohen pesë debate rresht nga dy kundërshtarë politik (pos në Amerikë)”, deklaroi Bekteshi.

Tutje, analisti tha se këtë veprim Hoxhaj e ka bërë vetëm për ta rritur famën personale dhe të subjektit të tij, duke shkaktuar zhurma mediatike.

“Hoxhaj, për t’ia rritur nëmim vetes dhe partisë së tij në mënyre bravuroze e plotë zhurmë në media, mundohet ti siguroj vetvetes një spektakël mediatik, pra një kapiten nga liga e tretë kërkon të sfidoj kapitenin e ligës së parë”, potencoi analisti.

Arsyet pse nuk do të realizohen debatet në mes kandidatëve për kryeministër

Bekteshi radhiti tri arsye kyqe që sipas tij janë shkaktare që nuk do të ndodhin këto debate. Njëra ndër to, është edhe fakti se vetë Hoxhaj është i vetëdijshëm se Albini ka përparësi jo vetëm për shkak të aftësive të tij, por edhe për shkak të keqqeverisjes së PDK-së dhe abuzimit të saj me financa, me investime, me privatizime, etj.

“Realisht këto duele nuk ndodhin për shkak: (1) niveleve të ndryshme, partia e Hoxhajt është katandis në vendin e tretë nga vendi i parë dikur (2) debatet nuk i përcakton një individ në mënyrën dëshirore, por një institucion, apo një media e pavarur, që ajo i përcakton kriteriumet e debatit, (3) Hoxhaj është i vetëdijshëm se një gjë e tille është e pamundur për shkak të degradimit të partisë së tij. Albini ka përparësi jo vetëm për shkak të aftësive të tij por edhe për shkak të keq qeverisjes dhe abuzimit me financa, me investime, me privatizimin, me marrëveshje shtetërore të dëmshme për shtetin, me heshtjen e turpshme të partisë dhe vete Hoxhajt kur lideri i tyre kërkonte këmbime territoresh me Serbinë, dhe të gjitha këto do ti jepnin një shansë ideale për sulme të pandërprera kundërshtarit te tij, në këtë rast Kurtit”, theksoi veprimtari nga Amerika.

Në vazhdim, Bekteshi e komentoi edhe përgjigjjen e Albin Kurtit të cilën e quajti spektakolare, duke shtuar se në këtë mënyrë ky i fundit ia bëri me dije Hoxhajt se ende është i vogël për të.

“Edhe përgjigja e Kurtit ishte po ashtu spektakolare, sepse la të kuptohet sikur i tha Hoxhajt: rritu pak, para se te takohesh me mua, sepse ende je i vogël. Ky refuzim i Kurtit e bënë më absolut atë në arenën politike kosovare, duke i shkaktuar Hoxhajt edhe një disfate në një spektakël që nuk ndodhi kurrë por që e nisi vetë ai”, u shpreh ai.

Në fund, Bekteshi tha se që nga fitimi i bastionit të LDK-së, Podujevën, kundërshtarëve të Kurtit u ka hyrë frika, sa edhe do të kërkojnë ndihmë nga Lista Srpska.

“Rritja e LVV në vazhdimësi, humbja e bastionit të LDK-ës, Podujevës, sikur i ka vënë në panik të llahtarshëm kundërshtarët politik të Kurtit, sepse ata edhe nëse bashkohen të gjithë së bashku mbeten serish të vegjël, sepse ata do të detyrohen sërish të thirrin në ndihmë Serbskën me turp si përherë”, përfundoi Bekteshi.

Kelmendi: Enver Hoxhaj po e mbivlerëson veten e tij

Njohësi i çështjeve kushtetuese dhe politike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se me ftesën e tij Enver Hoxhaj ka dashur të barazohet me Albin Kurtin.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi tha se Hoxhaj është i vetëdijshëm se nuk është në nivel me Kurtin, prandaj dëshiron të i shfrytëzojë mediat.

“Është gjë normale që çdo kandidat për kryeministër vendos sipas interesave të veta dhe të partisë nga vjen. Kështu është edhe me Albin Kurtin. Enver Hoxhaj ka dashur që me debatin e tillë para kamerave të barazohet me Albin Kurtin. Ai kështu e dinë se është jo në pozita të njëjta me Kurtin. Dalja para kamerave ia mundësonte atij një barazim”, deklaroi Kelmendi.

Ai madje kandidatin për kryeministër të PDK-së, e krahasoi me Driton Selmanaj dhe Enver Hasanin. Kelmendi tha se këta të fundit mendojnë se nuk kanë konkurencë politike.

“Në anën tjetër, Enver Hoxhaj e vlerëson tepër vetveten. Tamam si Driton Selmanaj i LDK-së dhe Enver Hasani. Këta janë të njëjtë për mendimet se janë të pa konkurueshëm në skenën politike.

Këtë dëshirë të Hoxhajt nuk ia mundësoi Kurti për të dalë para kamerave. Pasi priten nga larg kundërshtime dhe mendime të kundërta”, potencoi juristi.

Në fund, Kelmendi tha se arsyeja kryesore pse Kurti nuk i doli në debat Hoxhajt është se qëndron shumë mirë me votues.

“Natyrisht, se Kurti mendon se qëndron shumë mirë te votuesit, prandaj nuk ka nevojë të rrezikon fare me konfrontimin e tillë.

Këtu janë shkaqet e kundërshtimit dhe të mos daljes para kamerave në duel politik”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat