PDK-ja “heq dyert”

Politika

PDK-ja “heq dyert”

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 janar 2021 Në ora: 08:04
Enver Hoxhaj

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt. Për këto zgjedhje do të jenë tre kandidatë për kryeministër, Avdullah Hoti, ALbin Kurti dhe Enver Hoxhaj. 

Nëpër të gjitha partitë politke ka pasur aderime, personalitete të ndryshme. 

Kurse, një ditë më parë të gjitha subjektet politike kanë bërë dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetët që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. 

Ndër partitë e cila ka pasur aderime është edhe Partia Demokratike e Kosovës. Slogani i saj është “Rimëkëmbje për Kosovën” 

Asaj në fillim iu bashkua Faton Abdullahu, autor i disa librave dhe analist politik në mediat vendore. Ai ka qenë kryeredaktor dhe gazetar në disa media në vend. Ishte zëdhënës i Qeverisë së Kosovës në vitin 2016/17. 

Në PDK aderoi edhe Ardian Kastrati, profesor i Shkencave Politike, po ashtu ka qenë anëtar i Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, në kohën kur ky union organizoi demonstratat studentore të viteve 1997 dhe 1998. 

PDK u pasurua edhe me ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Qalaj ishte emëruar në krye të Policisë së Kosovës më 28 gusht të vitit 2018, duke u shkarkuar dy vite më pas, në tetor të vitit 2020. 

Gjithashtu, programit të rimëkëmbjes iu bashkua edhe Arben Dautaj, ish-profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, bashkëthemelues i klubit atdhetar “Jusuf Gërvalla” në New York, aktivist i shoqatës shqiptaro-amerikane dhe përfaqësues në Dhomën e Tregtisë, në Komitetin e Menaxhimit dhe Bordit të Drejtorëve në New York. 

Edhe Arben Fetoshi, profesor i gazetarisë iu bashkua PDK-së. Ai aktualisht ligjëron në Universitetin e Prishtinës dhe më herët ka punuar në media të ndryshme. 

Të gjithë këta do të jenë kandidatë për deputetë në listën e PDK-së. 

Analistët kanë vlerësuar se, çdo aderim ka rol pozitiv dhe janë të mirëseardhura sepse nuk janë vetëm partitë që përfitojnë po edhe demokracia jonë parlamentare. 

Duhanaj: Aderimet në parti janë përforcim me ide për të ardhmen 

Image
Leon Duhanaj

Analisti Leon Duhanaj për “Bota sot” ka thënë se aderimet në parti janë edhe pasurim, përforcim me ide për të ardhmen.  

“Kur flasim për aderime, apo prurje të reja në kuadër të partive politike, duhet të kemi parasysh se çdo prurje ka rol pozitiv. Jo vetëm si formë.e përkrahjes në zgjedhje, por edhe si pasurim, përkatësisht përforcim me ide për të ardhmen”, thotë ai. 

Sipas tij, PDK-ja është subjekti që me së shumti u ka dhënë hapësirë prurjeve të reja duke shtuar se prurjet kanë qenë kualitative. 

“PDK, është subjekti që me së shumti u ka dhënë hapësirë prurjeve të reja, bazuar në atë që në kuadër të PDK-së shumë prurje të reja, kanë vazhduar me pastaj të jenë edhe bartës të institucioneve të ndryshme si; ministra apo pozita të tjera. Për mendimin tim, kjo qasje mund të kuptohet në dy aspekte. Në radhë të parë, duhet thënë se prurjet kanë qenë kualitative. Së dyti është argument i fortë se kuadrot e lira në tregun politik, kanë besim në subjektin PDK, pasi që u ofron hapësirë dhe besim. Në ketë kontekst, mendoj që PDK, ka një performancë të avancuar  në raport me subjektet tjera”, përfundon Duhanaj. 

Salihu: Nga aderimet nëpër parti do të përfitojë edhe demokracia parlamentare 

Image
Fitim Salihu

Edhe analisti Fitim Salihu, për “Bota sot” ka thënë se, PDK-ja ka nevojë per reforma dhe fytyra të reja dhe duket se Enver Hoxhaj e ka kuptuar këtë, prandaj ka hapur dyert e partisë për figura te reja. 

“PDK-ja ka nevojë per reforma dhe fytyra të reja dhe duket se Enver Hoxhaj e ka kuptuar këtë. Prandaj, duket se pas shumë vitesh, ai ka hapur dyert e partisë për figura te reja. Jo vetëm në PDK, por në secilën parti janë të mirëseardhura aderimet e profesionistëve. Nga kjo përfiton jo vetem nje parti, por përgjithësisht demokracia jonë parlamentare”, shprehet Salihu.  

Me tej thekson se, nga figurat e reja, debati politik do të jetë më I shëndetshëm dhe më shumë dinamizëm do të ketë demorkacia parlamentare. 

“Sa më shumë figura të tilla të kemi në Parlament nga të gjitha partitë, aq më i shëndetshëm do të jetë debati politik dhe aq më shumë dinamizëm do të ketë demorkacia parlamentare”, përfundon Salihu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat